Surroi: Ky plan e kthen Kosoven ne situaten e qershorit te 1999-tes
Pëlqej
Albeu.com
Me planin gjashtë pikësh që është ende në tavolinë, Bashkimi Evropian ia bën më të lehtë Serbisë integrimin brenda strukturave të veta ndërsa në Kosovë shkakton ngrirje të problemit me rrezik më të madh të ndarjes së shtetit në vija etnike.Me planin gjashtë pikësh që është ende në tavolinë, Bashkimi Evropian ia bën më të lehtë Serbisë integrimin brenda strukturave të veta ndërsa në Kosovë shkakton ngrirje të problemit me rrezik më të madh të ndarjes së shtetit në vija etnike.
Kështu ka thënë kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi gjatë një debati rreth zhvillimeve në Kosovë në nëntë muajt e parë të pavarësisë. Sipas Surroit, ky plan e kthen Kosovën në situatën e qershorit të vitit 1999 kur UNMIK mori mandatin nga OKB për të qëndruar gjithashtu neutral ndaj statusit të Kosovës, njëjtë sikur po kërkohet tani edhe nga misioni i BE-së.
"Krijohen vija të qarta të ngrirjes me dy sisteme juridike të cilat janë të legjitimuara nga bashkësia ndërkombëtare. Gjashtë pikat do të thotë krijimi i një ndarje me bekimin e bashkësisë ndërkombëtare, me bekimin e bashkimit Evropian", deklaroi Veton Surroi, kryetar i Klubit për Politikë të Jashtme.
Por, sipas Edita Tahirit, deputete në Kuvendin e Kosovës, ndarja e Kosovës do të shkaktonte efekt zinxhir në tërë Ballkanin.
"Në koluaret apo në mendësinë politike të Beogradit mbase po fiton teren ideja e shteteve etnike, mirëpo kjo ide nënkupton prekjen e kufijve dhe nëse preken kufijtë kjo ka pasoja për tërë rajonin. Nëse preken kufijtë për 6 % serbë në Kosovë mos harroni se kemi 34 apo 40 % shqiptarë në Maqedoni. Lëvizja e kufijve nuk është e pranueshme, Ballkani ka nevojë për një perspektivë të qartë euro-atlantike", tha Edita Tahiri, deputete e Kuvendit të Kosovës.
Vedran Xhihiq, hulumtues shkencor nga Austria, që ka publikuar studimin "Kosova pas Pavarësisë" planin gjashtë pikësh e vlerëson si humbje kohe për Kosovën, e cila edhe ashtu, sipas tij, ka qenë në defansivë diplomatike që nga shpallja e pavarësisë.
"Përderisa Serbia ka luftuar muajve të fundit brenda OKB-së dhe vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për arritjen e qëllimeve të veta, dhe ka arritur disa rezultate, klasa politike e Kosovës ka fjetur dhe unë e quaj këtë gjumë i pas-pavarësisë", tha Xhihiq.
Për Surroin, politika kosovare nuk do të duhej të brengosej vetëm nëse do të shtrihet EULEX në tërë territorin e Kosovës por me çfarë mandati të shtrihet dhe cilin sistem juridik do ta respektojë ky mision i BE-së.
"EULEX gjatë ditëve të ardhshme ndoshta edhe do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, por brenda territorit ai do të i respektojë dy realitete të ndryshme- realitetin e krijuar nga sistemi kushtetues-juridik kosovar dhe realitetin e krijuar nga institucionet paralele, gjegjësisht nga Republika e Serbisë e cila administron një pjesë të territorit të Kosovës", nënvizoi Surroi.
Edhe hulumtimi "Kosova pas pavarësisë" ka ardhur në konkluzionin se vendi faktikisht është i ndarë, ndërsa dallimet e mëdha ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve e kanë kthyer Kosovën në një "konflikt të ngrirë".

Përparim Isufi, ALSAT KOSOVA
Shtuar më 20/11/2008, ora 20:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori