Surroi: Kosova nuk ka vizion të politikës së jashtme
Albeu.com
“Kosova nuk ka vizion të politikës së jashtme. Ajo ende po funksionon thuajse nuk e ka shpallur pavarësinë e vet", ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, publicisti Veton Surroi.Surroi: Kosova nuk ka vizion të politikës së jashtme
“Kosova nuk ka vizion të politikës së jashtme. Ajo ende po funksionon thuajse nuk e ka shpallur pavarësinë e vet, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, publicisti Veton Surroi.
Duke folur për procesin e njohjes së shtetit të Kosovës, bazuar në atë që është realizuar deri në këtë fazë – Surroi ka thënë se duhet pasur parasysh dy gjëra: “Ne nuk duhet të kemi si kut matës suksesshmërinë, por duhet ta kemi nevojën e Kosovës”.

Nevoja e Kosovës, sipas tij, është që të jetë e njohur prej dy të tretave të anëtarëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që ta ketë legjitimitetin e vet ndërkombëtar. “Pra, nga ky kut, nga kuti i nevojave të Kosovës, i funksionimit të Kosovës si shtet nuk është përmbushur ajo që do të duhej të ndodhte”, ka thënë Surroi.

Çështja e dytë, sipas publicistit Surroi është se edhe këto njohje që janë bërë, janë bërë falë drejtpërsëdrejti angazhimit të sponsorëve ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës, pra miqve të Kosovës. “Miqtë e Kosovës natyrisht kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për krijimin edhe të këtij numri të njohjeve”.

Të dyja këto çështje, sipas Surroit, shtrojnë pyetje për Kosovën: një, kur do t'i marrë përsipër Kosova obligimet e veta dhe dy, cila është ajo rrugë që e pret Kosovën në të ardhmen, çfarë strategjie ka ndërmend Kosova të ketë, në mënyrë që të ketë një njohje të plotë ndërkombëtare.

Ai ka thënë po ashtu se institucionet e Kosovës nuk e kanë kryer obligimin e tyre në aspektin e politikës së jashtme dhe të lobimit. “Është e tepërt të thuhet se Kosova nuk ka një aktivitet të duhur në politikë të jashtme, nuk ka vizion të politikës së jashtme. Një politikë e jashtme, një platformë e politikës së jashtme ende nuk është diskutuar bile as në Kuvendin e Kosovës. Pra, Kosova ende funksionon thuajse nuk e ka shpallur pavarësinë e vet”, ka vlerësuar Surroi. (lajm)
Shtuar më 16/08/2008, ora 23:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori