Super-skandali i drejtësisë (FOTO-LAJM)

Pesë milionë lekë për të ndryshuar masën e sigurisë. Kjo është shuma që ka paguar një qytetar për lirimin e secilit prej pesë të afërmve të tij.

Emisioni investigativ “Fiks Fare” solli të martën fakte mbi mënyrën sesi funksionon sistemi i drejtësisë në vendin tonë. Investigimi disamujor i “Fiks Fare” zbuloi një zinxhir sekserësh, të cilët kërkojnë para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Historia e një familjeje, 6 anëtarët e të cilës u arrestuan gjatë një proteste për bukën e gojës, zbuloi të gjitha hallkat e korrupsionit në sistemin gjyqësor.



Një qytetar kërkoi ndihmën e “Fiks Fare” për padrejtësinë që po i bënte gjykata dhe prokuroria. Për ndryshimin e masës së sigurisë për secilin prej të arrestuarve në protestë, shuma që i kërkohej ishte 500 mijë lekë (të reja). Shuma përfundimtare për të liruar djalin e tij ishte 600 mijë lekë të reja.

Dëfrim Premçi është personi që ka luajtur rolin e ndërmjetësit për lirimin e këtij të arrestuari. Ai pranon se 600 mijë lekë ia ka dhënë prokurorit të çështjes, i cili shumë shpejt- sipas tij- do të tërhiqet nga akuzat e ngritura. Ndërsa avokati Fariz Xhuxhi pranon përpara kamerës së “Fiks Fare” se shuma prej 600 mijë lekësh i është dorëzuar prokurorit të çështjes dhe do i jepet pjesa edhe gjyqtarit. Për të qenë më i besueshëm, avokati organizon edhe një takim me oficerin e policisë gjyqësore të këtij prokurori, Hasan Alia. Ky i fundit del garant që është biseduar me prokurorin dhe se e kishin pasur shumë të vështirë që ta bindnin për të ndryshuar masën e arrestit për këtë person. Në bisedat e transmetuara në “Fiks Fare” me video dhe figurë, sekretarja dhe kancelaria e gjykatës së shkallës së parë në një nga qytetet e Shqipërisë, pranojnë se dy anëtarët e familjes së qytetarit, janë liruar kundrejt pagesës prej 500 mijë lekësh të reja secili. Për të arrestuarin e katërt, ato pasi kanë marrë konfirmimin e gjyqtarit, i rekomandojnë që lekët t’i sjellë një ditë më pas pasi gjyqtari nuk ndodhej në gjykatë.


Gjithashtu gjatë bisedës me kancelaren e gjykatës, ajo pohon me gojën e saj se ka parë që të gjitha paratë që janë dhënë për ndryshimin e masave të sigurisë të të afërmve të qytetarit që u ankua në “Fiks Fare” janë ndarë mes gjyqtarit të çështjes dhe prokurorit të çështjes, madje sipas saj, kjo ka qenë edhe arsyeja që prokurori nuk ka ankimuar vendimin e gjykatës. Ngjarjet që u transmetuan në “Fiks Fare” janë zhvilluar në shkallën e parë të gjyqësorit.

Biseda me sekretaren dhe kancelaren e Gjykates së Shkallës së Parë:

Kancelarja - Më tha mbaj letrat, mos i bëj konfirmimin, nesër vij unë në orën 9:30 tha, n.q.s vjen Pali.
Qytetari - Nuk do bëj konfimim?
Kancelarja - Më ka thënë të mos e bëjmë konfirmimin sot, do e bëjmë sikur e ke bërë të dielën... A ke folur me prokurorin ti?
Qytetari - Shiko si e kam punën, tani të flasim drejt, më kupton apo jo, kam hallin e lekëve.
Kancelarja - Nesër i ka thënë Bardhës me ardhur.
Qytetari - Nesër.
Kancelarja - Po don me ia marr Bardhës, nuk do me t’i marrë ty ajo.
Qytetari - Nuk do me m’i marr mua ajo!
Kancelarja - Kështu ka thënë.

Sekretarja - Tani Pal, jam duke hyrë direkt në temë. Unë kam folur dje me Shqefnin dhe më ka thënë të dorëzoj njërin, kaq.
Qytetari - Jo mo si të dojë, por dua me nxjerr dajlin, se më dhimbset, se është me kriza.
Sekretarja - Do me nxjerr djalin, do me lënë vëllanë atje ti?
Qytetari - Njëlloj i kam, si njërin, si tjetrin, a më dëgjon. Dëgjo unë kam hallin e lekëve, kush i merr?
Sekretarja - Lekët kam fol edhe me Bardhën, lekët i mbaj unë, një ditë përpara se të bëjmë gjyqin. Ose atë ditë që do e lejë Shtjefni, një orë përpara i fus lekët. Se, si të marrë lekët, nuk e vras mendjen më.
Qytetari - Një ditë përpara. Nuk bëhet fjalë me i marr sot?
Sekretarja - Nuk kam ku me i lënë, nuk kam ku me i lënë. Nuk kam ku i lë o Pal sot. Unë fola me Shtjefnin e më tha, unë jam për Palin, për vëllanë e vet.
Qytetari - Po tjetri kur del?
Sekretarja - Dëgjo Lilin, unë nuk e di kur del a kur nuk del tjetri, ai kështu më tha në telefon. Kam fol sot me të në telefon, më tha Lilajn, nuk bën të dy, se ndoshta bën bujë more Pal... E tjetrin si të eci puna. Më 1 fillon puna, data 27 sot. A do Astritit?
Qytetari - Ku t’i lë lekët?
Sekretarja-Kancelares - A po i mban ti këtu?
Qytetari - Jo këtu...
Sekretarja - Mirë, unë gjatë rrugës po marr në telefon kryetarin, që të më lerë datën dhe po i them se Pali e ka dorëzuar kërkesën, se ka thyer dorën nusja e Astritit dhe është shumë keq. Dhe ai më thotë bëj njoftime dhe unë, e unë të them Pal më datë kaq, ora kaq.
Sekretarja i drejtohet Kancelares - Po lekët.
Kancelarja - I mbaj unë në kasafortë.
Sekretarja - Se nuk kam ku i lë lekët.

Qytetari - Lekët tani, se i kam edhe të prokurorit komplet?
Sekretarja - Komplet.
Qytetari - Iku.
Kancelarja - Të kam thënë edhe atë ditë, se i ka marrë si ai, edhe ai.
Sekretarja - I kanë ndarë bashkë, tak, tak, tak.
Qytetari - 10 milionshin e kanë marrë 5 njëri, 5 tjetri.
Sekretarja - Pash këtë ujë, që lahet i gjallë e vdekur, po. Për kryet e katër fëmijëve, po. Pasha njatë djalë, se njatë djalë kam, pasha kryet e djalit, sikur m’i ka dhënë kunata jote, 5 milionë të parit, 5 milionë të dytit. Dhe ja kam shkruajtur në shifra, 2 500 000 prokurorit dhe 2 500 000 këtij (kryetarit të gjykatës). 2 500 000 atij, i kam dërguar katër zarfa, ia ka shkruajtur kunata jote 25. Harram m’i bëftë zoti... Shët bëja zotit dhe i kam thënë Bardhës futu brenda dhe thuaj a e ka marrë kafen.
Kancelarja - Vetëm se ka marrë lekët prokurori...
Sekretarja e kryetarit - Po i kam parë unë, vil-vil-vil kanë hyrë me çantë, e ka dalë pas... Unë jam mafije por nuk foli, kam 21 vite që e bëj atë punë. /albeu.com/
Shtuar më 27/11/2013, ora 10:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori