Sulmuan qeverine, tani vendosen te shuhen
Albeu.com
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të Luftës (KMDLV), i cili javën e kaluar organizoi protestat e dhunshme kundër Qeverisë, ka vendosur ta shuajë aktivitetin e tij.Vendimi është marrë pas një takimi që kanë zhvilluar drejtuesit e KMDLV-së, Xhevdet Qeriqi dhe Vesel Aruqi, me Kryesinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Në takim ka marrë pjesë edhe këshilltari i kryeministrit për çështjet e veteranëve, Faik Fazliu.

Nëpërmes një komunikate, shpërndarë medieve nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) thuhet se KMDVL ka shprehur besimin se OVL e UÇK-së, po i mbron në mënyrë dinjitoze të drejtat e kategorive të luftës. Drejtuesit e këtij këshilli thuhet se janë zotuar t’i japin përkrahje të plotë Organizatës që mbledh veteranët e luftës, në të ardhmen.

KMDVL ishte formuar vitin e kaluar. Ky këshill, kishte organizuar një grevë urie në muajin prill, si dhe disa protesta, në të cilat kishin kërkuar avansimin e të drejtave të veteranëve e invalidëve të luftës. Protesta e fundit që u mbajt nga ky këshill, më 15 e 16 korrik 2009, kishte eskaluar me veprime të dhunshme, por fatmirësisht pa viktima.

“OVL të UÇK-së, si e vetmja përfaqësuese e të gjithë luftëtarëve, në vazhdimësi kishte bërë apel, që ende nuk janë harxhuar mundësitë që çështja e avansimit të ligjit të vlerave të luftës, të zgjidhet në mënyrë institucionale. Duke u nisur nga ky fakt, OVL të UÇK-së, kishte kërkuar që të mos bëhen greva e protesta, të paktën pa u provuar të gjitha mundësitë ligjore. Pas takimeve me krerët e institucioneve dhe partive kryesore politike në Kosovë, një komision qeveritar ku përfaqësohen edhe veteranët, invalidët e familjet e dëshmorëve, kishte filluar punën në përgatitjen e draftit që do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Këshilltari i kryeministrit, Fazliu, i cili drejton Shoqatën e Invalidëve të Luftës, në takimin e 24 korrikut, ka premtuar në emër të Qeverisë se çështjet e kategorive të luftës, do të zgjidhen ashtu siç është më së miri dhe në mënyrë institucionale.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se një javë nga hedhja e dy granatave dhe e koktejeve të molotovit në oborrin e Qeverisë së Kosovës, ende nuk ka ndonjë person të arrestuar.

Më gjithë hetimet e zhvilluara, ende nuk ka ndonjë veprim konkret nga policia e prokuroria me qëllim që aktorët e këtyre veprimeve të përgjigjen për atë çfarë kanë bërë.

Prokuroria ka shikuar video-incizimet e bëra nga kamerat e vendosura në ndërtesat e qeverisë, por është arsyetuar nuk ka gjetur shumë prova, për shkak se kamerat kanë qenë statike. Në fakt, ata që kanë hedhur kokteje molotovi janë parë qartë edhe në incizimet që janë transmetuar nga televizionet.

Vetë përfaqësuesi i deritashëm i KMDVL-së, Vesel Aruqi, në ditën e ngjarjes kishte pranuar për Express se ata kanë hedhur mjete eksplozive në oborrin e qeverisë, në shenjë revolte pse qeveria nuk po u përgjigjej kërkesave të tyre.

“Menjëherë pas gjuajtjes së mjeteve shpërthyese kanë filluar lëvizjet e qeveritarëve, kështu ne do të vazhdojmë deri në përmbushjen e kërkesave”, pat thënë Aruqi, për Express.

Aruqi me këtë rast qe zotuar se protestuesit nuk do të ndalen me kaq, por shuarja e Këshillit i demanton fjalët e tij. (express/albeu)
Shtuar më 25/07/2009, ora 22:47
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori