Sulmohet EULEX ne Zubin-Potok
Albeu.com
Një patrullë policore e EULEX-it është sulmuar me armë zjarri në vendin e quajtur Bërnjakë, afër Zubin- Potokut, në kufi me Serbinë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Burime të gazetës kanë bërë të ditur se vetura, me të cilën po patrullonin policë rumunë të EULEX-it, është sulmuar orën 22:00.
“Njësitet rumune të EULEX-it janë sulmuar me armë zjarri. Një plumb 7,62 milimetra e ka goditur veturën në bagazh. Askush nuk është lënduar nga ky sulm që është kryer nga persona tash për tash të panjohur”, ka thënë burimi.
Incidentin e ka konfirmuar edhe misioni evropian për sundimin e ligjit. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, nuk ka mundur të thoshte nëse policët e EULEX-it kanë qenë cak i këtij sulmi.
“Një konvoj i EULEX-it ka dëgjuar disa të shtëna kur ka kaluar afër rajonit që ju po e përmendni, por nuk është konfirmuar nëse në të vërtetë është sulmuar konvoji”, ka thënë ajo. Limdal ka shtuar se nuk ka të lënduar, as të dyshuar e as të arrestuar.
“Hetuesit janë duke vazhduar hetimet”, ka thënë shkurt ajo.
Në Policinë e Kosovës nuk kanë fare informacion për këtë incident të armatosur. Zëdhënësi i Policisë, Arbër Beka, ka thënë se Policia e Kosovës nuk e ka regjistruar një incident të tillë.
Sulmet mbi pjesëtarët e EULEX-it në atë pjesë nuk janë të rralla. Për herë të fundit një veturë është sulmuar më 3 mars të këtij viti në vendkalimin kufitar me Serbinë, po në Bërnjakë, afër Zubin-Potokut. Vetura ishte gjuajtur me armë zjarri dhe me mjet shpërthyes. Sikurse edhe incidenti i fundit në mars, sulmi ishte kryer gjatë natës kur persona ende të panjohur për policinë kishin shtënë me armë zjarri mbi automjetin e EULEX-it.
Shtuar më 27/07/2010, ora 10:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori