Sulejman Gjana-Ramës: Je i vogël përballë Mbretit Zog dhe Rugovës
Vizita e kryeministrit të ri Edi Rama në Kosovë dhe fjalimi i tij në Kuvendin e shtetit të ri në botë vazhdon të shkaktojë polemika në Kosovë dhe jo vetëm.

Deklarata e Ramës, sipas të cilit Mbreti Zog nuk ka punuar për kombin shqiptar, madje duke e akuzuar si shkaktar për disa vrasje në Kosovë, ka sjellë edhe reagimin e nënkryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Sulejman Gjana, i cili në një prononcim për Portalin Albeu.com, është shprehur se kryeministri i ri i Shqipërisë po deformon faktet historike dhe sipas tij kjo bëhet për shkak të ideologjisë komuniste, e cila është edhe burimi i vetëm i referenacave të tij.

Sulejman Gjana i bën thirrje Edi Ramës të ndjekë hapat e Mbretit Zog, por edhe të nipit të tij Princ Leka, nëse dëshiron të fitojë popullaritet.

"Në sallën e Kuvendit të Kosovës, Edi Rama dëshmoi edhe njëherë se di vetëm të përdorë gjuhen e mashtrimit, gënjeshtrës dhe urrejtjes sidomos kur aludoi se Mbreti Zog paska shkaktuar vrasje në Kosovë. Përveç deformimit të fakteve historike, deklarata e tij tregon se referencat i burojnë nga ideologjia dhe historiografia komuniste dhe që për qëllime politike të caktuara ai është gati të shkelë çdo vlerë dhe parim.

Por Edi Rama harron se populli i shumëvuajtur shqiptar në Kosovë është i tejngopur me fjalime demagogjike të politikanëve majtistë dhe nuk mund t’i besojë më ata. Edi Rama, sikundër e kanë këshilluar me dashamirësi edhe publicistët e Kosovës duhet të marrë urgjentisht leksione të historisë sonë kombëtare. Sulmi plot urrejtje mbi Mbretin Zog dhe harresa e qëllimshme e përmendjes së kontributit të presidentit Ibrahim Rugova tregojnë edhe njëherë se megjithëse të vdekuar ata janë më triumfues se ata që gjallojnë sot politikën e dështuar të dy vendeve tona.

I kujtojmë kryeministrit të dekretuar, por akoma i pa votëbesuar nga shumica parlamentare në Shqipëri, se përgjigjen më të mirë ndaj akuzave pa bazë kundër Mbretit Zog e kanë dhënë trashëgimtarët e patriotëve shqiptarë të Kosovës si dhe mbarë populli shqiptar në Kosovë, i cili e ka pritur Mbretin Leka ashtu siç priteshin mbretër dhe e ka përcjellë atë si bir të një shqiptari patriot që e ka dashur fort dhe ka punuar për bashkimin e trojeve shqiptare. Dhe përpos retorikës ambigue, bashkimi duket se i kall datën një politikani individualist e dritëshkurtër si Edi Rama.

I sjellmin në vëmendje Edi Ramës dhe shpurës së tij se mbështetja dhe përkrahja po shtohet dita-ditës edhe me Princin Leka, i cili po ecën në gjurmët e gjyshit dhe atit të tij dhe gëzon një simpati të lakmueshme në Kosovë. I kujtojmë gjithashtu Edi Ramës se nëse dëshiron të jetë i dashur për popullin shqiptar të Kosovës dhe trojeve shqiptare, duhet të heqë dorë nga kompleksi i inferioritetit ndaj çdo personaliteti që gëzon popullaritet më të lartë se ai.

Silluni si Mbreti Zog dhe Princi Leka z. Rama, dhe do të gëzoni dhe ju popullaritet", u shpreh për "Albeu.com" nënkryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana. /albeu.com/
Shtuar më 15/09/2013, ora 14:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori