Subjektet politike zotohen se do të respektojnë procesin e zgjedhjeve
Albeu.com
Subjekte politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit nënshkruan sot një Deklaratë, përmes së cilës zotohen se do të kontribuojnë dhe do të respektojnë procesin e zgjedhjeve.Presidenti Fatmir Sejdiu kishte ftuar në një drekë përfaqësuesit e subjekteve politike për ta zyrtarizuar këtë Deklaratë, e cila i obligon subjekteve politike që të kenë sjellje të mirë dhe korrekte gjatë procesit zgjedhor.
Ftesës së presidentit iu përgjigjen përfaqësuesit e shumicës së partive politike, përfaqësuesit e tri partive serbe në Kosovës dhe të minoriteve tjera. “Të kontribuojmë maksimalisht edhe në pjesën parapërgatitore, edhe në pjesë e fushatës, duke i respektuar dispozitat ligjore në fuqi, etikën për zgjedhjet, të respektojmë traditën e mirë, që Kosova ka në këtë kohë të ecjes së saj të suksesshme drejtë mëvetësisë dhe sovranitetit të saj”, tha presidenti Sejdiu.Ftesës së presidentit iu përgjigjen përfaqësuesit e shumicës së partive politike, përfaqësuesit e tri partive serbe në Kosovës dhe përfaqësues të minoriteve tjera. Lideri i PDK-së Hashim Thaçi, e çmoi këtë nismë të presidentit dhe e theksoi të rëndësishme që Kosova të dëshmojë se mund të përballojë me sukses dy proceset e rëndësishme që ka para vetës: procesin e zgjedhjeve dhe atë të statusit.“Unë besoj fuqishëm që i gjithë spektri politik kosovar do të jetë në krye të përgjegjësive të duhura, të përgjegjësive në raport me qytetarin të mirëkuptimit, të tolerancës që të kemi zgjedhje të lira, fer, demokratike, rezultat të pranueshëm nga të gjithë, dhe para se gjithash pastaj fillim të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe efektive”, tha Thaçi.
Nënkryetarja e LDK-së Nekibe Kelmendi vlerësoi se Kosova ka kaluar me shumë sukses edhe zgjedhjet e tjera dhe u zotua se LDK-ja do të respektojë të gjitha aktet normative në fuqi. “Në zgjedhjet e ardhshme qendrore dhe lokale do t’i përmbahemi të gjithë asaj që është e shkruar në Deklaratë dhe në aktet normative që lidhen me zgjedhjet në të dy nivelet”, tha Kelmendi.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi uroi për një proces të suksesshëm zgjedhor.“Më lejoni t’ju uroj zgjedhjet dhe bashkë të dalim në një garë fer, e cila do të dalë me një cilësi të vërtetë dhe me institucione të qëndrueshme të Kosovës”.Edhe nënkryetari i ORA-s Ylber Hysa tha se partia e tij do të respektojë parimet e Deklaratës. “Në këtë mënyrë obligohemi të gjithë edhe përmes nënshkrimit që t’i promovojmë vlerat bashkërisht”, tha Hysa.
Deklaratën për mbarëvajtjen dhe respektimin e procesit të zgjedhjeve e nënshkruan edhe përfaqësuesit e tri partive politike serbe dhe përfaqësues të minoriteve tjera e kandidatë të pavarur. Lideri i partisë serbe, “Demokracia e Re”, Branisllav Gerbiq, shprehu gatishmërinë e komunitetit serb të Kosovës, të paktën të përkrahësve të partisë së tij, për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit. “Po e theksoj se jemi pajtuar që të marrim pjesë në këtë proces dhe orientimi politik i yni është për një jetë të përbashkët dhe shumetnike në Kosovë. ne synojmë që përmes proceseve politike t’i zgjidhim edhe problemet e serbeve”. Në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës për zgjedhjet morën pjesë edhe zëvendësshefi i UNMIK-ut Stiven Shuk dhe shefi i OSBE-së, Tim Guldiman, të cilët e përgëzuan presidentin Sejdiu për këtë nismë dhe e cilësuan atë si shumë demokratike. Presidenti Sejdiu e vlerësoi të nevojshme dhe të rëndësishme që të arrihet një vetëdijesim i lartë i subjekteve politike për zgjedhjet e ardhshme, aq më tepër se në këtë periudhë Kosova përballet edhe me zhvillimet rreth statusit të saj. Për zgjedhjet e ardhshme janë certifikuar 97 subjekte politike: 25 parti politike, 33 kandidatë të pavarur, 37 iniciativa qytetare dhe dy koalicione. rtk
Shtuar më 06/10/2007, ora 12:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori