Stuhia dëmton shumë linja elektrike, dhjetëra zona pa energji
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka marrë masat e para të nevojshme për të përballuar gjendjen e vështirë të krijuar si pasojë e motit vtë keq.

Sipas njoftimit për median, OSHEE bën të ditur se është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji të të gjithë konsumatorëve nëpërmjet rrjetit shpërndarës të elektricitetit.

Mësohet se rreth 1200 punonjës janë në gatishmëri të plotë dhe, pavarësisht kushteve të rënda atmosferike, riparimi i defekteve po tentohet të bëhet në kohën më të shpejtë të mundshme. Ata janë të ndarë në 16 grupe për ndjekjen e regjimit të punës, si dhe ndihmohen edhe nga 20 inxhinierë të sigurisë në punë.

E megjithatë paraqiten probleme në disa zona rurale, ndërsa hidrovorët janë tërësisht në funksion dhe spitalet e vendit nuk kanë probleme me furnizimin me energji.

Avaritë në linjën e tensionit të lartë kanë shkaktuar problemezonat e Shkozetit deri në Malin e Robit, Shijak deri në Ndroq, si dhe nënstacionet e Durrësit e Porto Romanos.

Ndërkohë avaritë në linjën e tensionit të mesëm kanë prekur zonat e Gjirokastrës, Kukësit, Burrelit dhe Durrësit, të gjitha prej erës së fortë dhe reshjeve të shiut gjatë natës e në vazhdim.

Pa energji, në Gjirokastër kanë mbetur Ballabani, Piskova, Suka, Lekli, Lunxhëria, Këlcyra, Zagoria, Lazarati, si dhe Kosina e Petrani në Përmet; në Kukës, Rexhepaj, Kalimashi, Cahani, Lekbibaj, Fierza, Rragami, Valbona, si dhe Bujan Pac në Bajram Curri; në Burrel, Shupenza, Krasta, Komsi, Klosi, Cërrunja, Sllova dhe Zall Dardha; ndërsa në Durrës zonat e Xhafzotajt, Spitallës, Romanatit, Koxhas dhe ish-këneta. /albeu.com/


Shtuar më 22/11/2015, ora 13:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori