Kush ishte ministri i Jashtëm që Rama i kërkoi Hysenbelliut ta sulmonte?

Sot, Policia e Shtetit dhe IKMT kanë zbarkuar te “Presitige Resort”, ku kërkojnë ta konfiskojnë këtë të fundit pavarësisht se administratorët theksojnë se është aksion i paligjshëm, pasi nuk është shprehur ende gjykata administrative.

Si duket, është vendosur sot t’i shkohet deri në fund, asaj që nisen me pronat e Irfan Hysenbelliu, ku në dhejtor të 2022 u hodh në erë hoteli në Golem.

Për të gjitha këto që po ndodhin ka reaguar vetë Irfan Hysenbelliu, i cili ka theksuar se e gjitha është sulm nga qeveria për shkak të ndryshimit të linjës editoriale.

Por jo vetëm kaq, ai zbuloi se Rama i ka kërkuar të shesë televizionin informativ News 24 dhe të sulmonte një ministër të Jashtëm.

Për kë ministër të Jashtëm bëhet fjalë?

Hysenbelliu thotë se nuk e ka sulmuar ministrin, për të cilin tha se “e ka bërë punën dhe gëzonte respekt”.

A mund të ketë qenë Ditmir Bushati, duke mbajtur parasysh se raportet mes tyre nuk kanë qenë dhe aq të mira?

Shprehet Hysenbelliu:

Unë ndihem shumë i qetë se nga një njeri i sëmurë çfarë nuk pret. Kryeministrit i janë botuar kartelat psiqike të tij. Nuk shqetësohem për këtë. Raportet e kryeministrit me mua thonë se kanë qenë shumë të mirë. Qëkur ishte në Bashki dhe më pas kemi pasur debate, për shkak se ai tjetër gjë ka në shpirt dhe tjetër gjë pasqyron.

Kohë më parë bashkë me shefin e IKMT-së, çonte vazhdimisht policinë. i shkruaja sms dhe i thosha “po u çoj ujë dhe bukë, ti vazhdo mbaji aty”. Rama është një aktor shumë i zoti, tjetër gjë pasqyron dhe ndryshe vepron. Kur ishim në Beograd rastësisht bashkë, të nesërmen çoi policinë te Prestige. Kur isha në SHBA sa më pa që dola në media, i vuri tritolin. Këto ditë kam qenë me familjen në Athinë, ai ishte aty në të njëjtin hotel. Aty shkëmbeheshim, atij i rrotulloheshin sytë saqë u largua.

Pse e shqetëson kaq shumë atë njeri? Nuk kam qenë nga ata botues që t’i bëja presione njerëzve të rëndësishëm. Rama më thoshte bëji presion një ministri të jashtëm. Më çoi sms “bëji transparencën deri në fund ministrit të jashtëm dhe pastaj fshije këtë sms”. Si mund tia bëja unë këtë ministrit të jashtëm kur ai bënte detyrën, gëzonte respekt në punën e tij. Rama e nisi këtë se nuk isha pjesë e vijës së tij editoriale. Jam munduar të mbaj ekuilibra, pasi jam biznesmen dhe kam mbi 2 mijë të punësuar. Ne para zgjedhjeve kemi pasur shumë debate. Në një sms i kam thënë “unë me median nuk jam në ekstrem me ty, por brenda shpirtit jam kundër teje pasi nuk dua të jesh një Erdogan i dytë”.

Të shkosh te Prestige pas raportit të DASH, kur ai sfidon shtetin më të madh, ai e ka përbuzur flamurin e SHBA-ve dhe do të doja ti riktheheshit atyre pamjeve. Si mund të shkojë në ditë pushimi te Prestige pa asnjë njoftim? Kush është ky njeri që e kthen pronën si të dojë? Në atë biznes është paguar çdo taksë, punonjësit e merrnin të gjithë rrogën në bankë. Pse nuk e bëri kohë më parë prishjen? Vinte grupi parlamentar dhe ministrat e tij bënin seminare. Diçka e ka shqetësuar Ramën. Më vjen shumë keq që të rinjtë po emigrojnë sot me gomone. Nuk e di si ka surrat të dalë e të flasë në krah të kryeministrit anglez, kur ata njerëz kanë marrë gomonen. Ky duhet të kishte ikur me kohë. Sot njerëzit janë shumë të frikësuar.

Kam pasur një takim edhe me Gramoz Ruçin dhe i kam thënë “kemi jetuar në të dyja sistemet, si ka mundësi kjo heshtja jote?”. Më tha: nuk kam më fuqi. i thashë “pse hesht, PS ka pasur shumë debate brenda”. Edhe Berisha kur ishte në kohën e tij dhe kishte dorë të hekurt, kishte debate, fliste Pashko, Ruli, Ceka, Imami, Olldashi.

Rama është rrezik për vendin. Ai e nisi me sulmin ndaj mediave. Le të dalë një gazetar dhe të thotë nuk e marr rrogën 100% në bankë. Ai donte që unë ta shisja News 24 siç u shit ABC. Kam pasur një administrator që ishte më parë deputet i PS. Ditën që iku ai, AMA çoi një letër që do të mbyllte sinjalin.

Ku të shkojmë në Gjykatë? Motra e zv.kryeministres ka në kontroll gjyqësorin. Çdo gjyqtar është i frikësuar. Si ka mundësi që kur shkëmbeheshim në hotel, a kanë një edukatë, bashkëshortja e tij që shkëmbehej me bashkëshorten time dhe fëmijët janë rritur bashkë? Për mua ka ardhur koha që këtij njeriu t’i tregojnë vendin.

Unë edhe nëse e humbas biznesin nuk shqetësohem. Këtë dëm Rama do ta paguajë në Gjykatën Ndërkombëtare. Ambasadat dhe diplomatët e huaj duhet të zgjohen. Nuk mundet një kryeministër që ta kthejë vendin në pronë private. Ky është standardi më i keq në historinë e Shqipërisë.

Një mikut tim politikan i kam shkruar “14 maji duhet të tregojë sa u duan shqiptarët, në të kundërt duhet të hapin krahun”.

Shqiptarët duhet të zgjohen, mediat e mia nuk do të rreshtin së mbështeturi.

Si mund të rrijë kryeministri, kur ministri i Brendshëm u fut në burg? Ju mendoni se drogën e bënte vetë Tahiri dhe kryeministri nuk e dinte?

Si ka mundësi që zv.kryeministrin e tij kërkon ta fusë në burg? Nuk e fut dot në burg se po e futi, do të bëhet i penduar zv.kryeministri dhe Rama do të futet vetë në burg.

Pse Rama përdor 2 standarde? Te unë vë tritolin, të tjerët i bën me parablerje?


Shtuar 22.03.2023 14:21