Studentja humb betejën me sëmundjen, vdes në spital
Studentja 23-vjeçare Oltiana Saliasi nuk ka mundur të fitojë betejën e saj me sëmundjen e rrallë "Guailiam bare" dhe ka humbur jetën një natë më parë në dhomën ku qëndronte e shtruar prej muajit dhjetor në QSUT.

Lajmi konfirmohet nga familjarët e vajzës, të cilët kërkuan shpesh ndihmë përmes televizionit "News24" për të bërë të mundur kurimin e vajzës në një spital më të specializuar jashtë vendit. Por ndihma modeste e njerëzve që ju përgjigjën thirrjes se familjes Saliasi për ndihmë, nuk mjaftonte për të dërguar vajzën në një spital jashtë vendit.

Studentja Oltiana Saliasi ishte e shtruar prej 3 muajsh në Reanimacionin e QSUT-së pasi ishte prekur nga një sëmundje e rrallë e quajtur "Guailiam bare", e cila i paralizoi një nga një të gjitha organet e trupit. Por përveç kësaj, vajza mori edhe një infeksion të rëndë spitalor, që rëndoi edhe më shumë gjendjen e saj në ditët e fundit. Familjarët fajësuan mjekët e QSUT-së për pakujdesi në punë duke bërë që vajza e tyre të preket në spital nga infeksioni i "Stafilokokut".

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se ka bërë dy kërkesa, për kurimin e Oltianës në Turqi dhe në spitale të specializuara në Itali. Por tashmë përgjigjia e tyre ka pak rëndësi, pasi për Oltianën është tepër vonë. /albeu.com/
Shtuar më 02/03/2014, ora 12:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori