Studentët protestuan kundër Ligjit për Arsimin e Lartë
Studentët ngrenë kartonët e kuq për të protestuar kundër reformës.

Me kartonë të kuq në duar, që simbolizonin votën kundër reformës së Arsimit të Lartë, aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin” zhvilluan të enjten protestën e tyre të tretë. Një grup i madh studentësh nga universitetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit marshuan nga Korpusi drejt godinës së Kryeministrisë, në shenjë revolte. Protestuesit u mbështetën nga një grup studentësh të ardhur në Tiranë nga Universiteti i Prishtinës.

Studentët protestues e shprehën revoltën e tyre kundër reformës së ndërmarrë nga qeveria e majtë e Edi Ramës përmes pankartave “Reforma nuk kalon”, “Arsim Publik Falas” apo “Për Universitetin, për Shoqërinë”.

Studentët denoncuan gjithashtu procesin jo-transparent, që sipas tyre i ka anashkaluar ata dhe pedagogët si dhe klientelizmit që qëndron pas kësaj reforme.
“Reforma do t’u mundësojë universiteteve private përfitimin e fondeve shtetërore, do të përjashtojë studentët nga e drejta e votës për drejtuesit universitarë si dhe vendos në krye të strukturave, interesat e biznesit privat,” tha Alban Pira, aktivist i Lëvizjes “Për Universitetin”.

“Kjo reformë abuzon me paratë publike, ndërsa koston e falimentimit do ta paguajnë studentët dhe universiteti publik,” shtoi Pira.

Gjatë protestës, studentët akuzuan kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Arsimit, Lindita Nikolla se po abuzojnë në shpërndarjen e fondeve për arsimin publik.

“I bëjmë me dije Kryeministrit të vendit se ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi, derisa kjo reformë të ndalet, deri sa ky proces shkatërrimtar të marrë fund dhe të kthehet në vend dinjiteti dhe e drejta e universitarëve për një reformë të drejtë,” thanë aktivistët në një komunikatë.

“Ne duam arsim publik falas dhe një universitet demokratik, i cili është i hapur për të gjithë; i cili respekton fenë, etninë, seksin apo preferencat seksuale; i cili nuk shfrytëzon punëtorët e vet; i cili nuk drejtohet nga qëllimi për të fituar e as nuk vihet në funksion të tregut,” tha Deni Sanxhaku, një aktiviste e Lëvizjes “Për Universitetin”.

Ligji për Arsimin e Lartë u miratua nga qeveria më 1 prill 2015, pasi një procesi të gjatë pune nga një Komision i ngritur për të realizuar reformën. Por studentët dhe një numër i madh pedagogësh e kundërshtuan atë, me pretendimin se sugjerimet e tyre nuk u morën parasysh.

Ditën e miratimit të ligjit, ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla tha se reforma do të rrisë cilësinë e mësimdhënies dhe besimin e prindërve se “investimi për edukimin do t’ia vlejë”.

Por lëvizja “Për Universitetin” pretendon se reforma nuk merr parasysh kushtet sociale dhe ekonomike të shumicës së familjeve shqiptare. “Procesi i duhur i reformimit duhet të kishte në qendër studentin dhe pedagogët. Universiteti nuk duhet të jetë ishull i izoluar nga shoqëria,” tha Alban Pira gjatë protestës.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga studentët është mungesa e mundësive për punësim, pas përfundimit të studimeve. “Unë sapo kam përfunduar studimet e larta dhe tani quhem zyrtarisht një e papunë. Gjendja aktuale ofron mundësi punësimi vetëm nga fasoneritë shfrytëzuese dhe të paguara pak,” tha një aktiviste, pjesmarrëse në protestë.

“Jam kundër reformës për shkak se privatizon Universitetin. Nëse dhe tani Universiteti publik është në grahmat e fundit, me këtë reformë ai merr fund përfundimisht,” tha për BIRN aktivistja Bora Mema.
“Për mua kjo reformë nënkupton rritje të tarifave, pasi mënyra e organizimit të universiteteve sipas reformës do të jetë vetëfinancimi. Komisioni që po harton këtë reformë është krijuar me urdhër të kryeministrit dhe i jep llogari vetëm atij, pa kërkuar mendimin e universitarëve,” tha për BIRN Viktori Çipi, një aktiviste kundër reformës aktuale për arsimin e lartë.

Studentët u larguan nga kryeministria, duke hedhur në drejtim të saj letra higjienike që simbolizonin “reformën”. Ata paralajmëruan të tjera protesta në vazhdim, deri sa zëri i tyre të dëgjohet. /albeu.com/
Ivana Dervishi, BIRN

Shtuar më 23/04/2015, ora 22:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori