Studentët nuk ndalen, kërkojnë largimin e dekanit Dhori Kule
Prej 11 ditësh, studentët nuk e kanë ndalur protestën e tyre, ku kërkojnë miratimin e 8 kërkesave të dorëzuara në Kryeministri.

Së fundmi zhvillime të reja kanë ndodhur në këtë protestë ku studentët kanë kërkuar edhe largimine dekanit, Dhori Kule.

Mësohet se studentët e Ekonomikut kishin kërkuar takim me Kulen, por ky i fundit nuk ka shkuar.

Ai kishte propozuar që studentët të ngrinin një përfaqësi prej 20 vetash dhe do t’i priste ata në takim pasditen e sotme për t’i dëgjuar lidhur me kërkesat.

Por studentët kanë refuzuar dhe mësohet se në takim, në ambientet e Fakultetit Ekonomik kanë qenë një numër i konsiderueshëm.

Nisur nga prezenca masive e studentëve, dekani Dhori Kule nuk ka shkuar në takim. Ky veprim i tij ka sjellë reagimin e studentëve të cilët i kanë kërkuar dorëheqjen.

“Jam studente e Ekonomikut. Ne kërkuam një mbledhje me dekanatin për të diskutuar problematikat. Ne pritëm, por nuk na erdhi asnjë. Ne erdhëm këtu dhe po protestojmë. Fakulteti digjet dhe Dhori krihet. Duhet të vijë dhe të mbajë përgjegjësi”- thotë një studente duke e shoqëruar në kor me thirrjet “Dhori Kule ik”.
Shtuar më 15/12/2018, ora 18:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori