Studentët e transferuar nga UT hynë në grevë
Albeu.com
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, të transferuar në Universitetin e Prishtinës, kanë hyrë sot në grevë, për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre bazë.Ata kërkojnë të pajisen menjëherë me indeksa, t’u njihen provimet e kryera nga Universiteti i Tetovës dhe të trajtohen në mënyrë të barabartë me studentët e Universitetit të Prishtinës. Rektori Arsim Bajrami tha se këto kërkesa janë të realizueshme.
220 studentë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, të transferuar në Universitetin e Prishtinës, filluan sot një grevë në Fakultetin e mjekësisë, për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre. Këshilli organizativ i grevës së studentëve zhvilloi një takim me rektorin e UP-së, Arsim Bajrami dhe me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Nura, por nuk arritën asnjë kompromis. Përfaqësuesi i studentëve Besnik Krasniqi, tha se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre deri në zgjidhjen e plotë të tyre.Studentët kërkojnë të pajisen menjëherë me indeksa, t’u njihen provimet e kryera nga Universiteti i Tetovës dhe të trajtohen në mënyrë të barabartë me studentë të Universitetit të Prishtinës.Rektori Bajrami vlerësoi se kërkesat e studentëve të transferuar nga Universiteti i Tetovës janë të realizueshme. “Mendoj se kërkesat janë të realizueshme dhe Universiteti ka vullnet të mirë që ato të realizohen. Kësaj here dëshirojmë të jemi vërtet efikas. Ideja është që të finalizohet çdo gjë”. Pikë kontestuese e kësaj mosmarrëveshjeje është çështja e pagesës së studentëve, në shumë prej 575 Euro, para se ata të marrin indeksat. Rektori i UP-së, Arsim Bajrami, tha se pjesa e përgjegjësisë që i takon universitetit është plotësuar, por çështja financiare është përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit. Bajrami kërkoi nga MASHT që t’ua mundësojë studentëve që këtë shumë ta paguajnë me këste: “Ne kërkojmë që ministria të krijojë një sistem fleksibil të kësaj pagese që studentët t’u mundësohet që atë shumë, diku prej 570 Euro, ta paguajnë me këste dhe që pagesa të mos jetë kusht për marrjen e indeksave dhe transferimin e notave”. Ministria e Arsimit ka lëshuar një urdhëresë në bazë të së cilës, prej sot do të duhej të fillonte zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për transferin e studentëve të ish Fakuletit të Mjekësisë të UT në fakultetin e Mjekësisë të UP. Në bazë të kësaj urdhërese, përveç disa procedurave që duhet plotësuar, studentët duhet të paguajnë edhe 575 Euro në xhirollogarinë e projektit për Implementim që është nën mbikëqyrje të një agjencie të huaj. Me këtë shumë studentët do të mbulojnë pjesën e tyre të kontributit për zbatimin e programit për periudhën tetor 2005- janar 2008. RTK
Shtuar më 20/06/2005, ora 22:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori