Struktura e re, largohen 285 policë
Tkurret struktura e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Lajmi konfirmohet nga burime brenda kësaj strukture, të cilat bëjnë me dije se njoftimi për këto ndryshime ka dy ditë që ka ardhur. Sipas këtij njoftimi, administrata e Policisë së Shtetit do të reduktohet, por askush nuk do të largohet nga puna, shkruan "Balkanweb". I gjithë personeli që do të largohet, do të punësohet në komisariatet e vendit, ndonëse me grada më të ulëta.

Sipas urdhrit më të ri të Ministrisë së Brendshme, ndryshimi do të prekë strukturat e departamenteve të caktuara, të cilat deri tani kanë pasur nga 9 specialistë. Me urdhrin e ri, tashmë ky numër do të reduktohet në 6 persona.

Duke parë organigramën aktuale të Policisë së Shtetit, numërohen 95 sektorë të ndryshëm, të ndarë sipas departamenteve dhe funksioneve të ndryshme, dhe 5 departamente, të ndara në këtë mënyrë: Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Departamenti për Sigurinë Publike, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, Departamenti për Shërbimet Mbështetëse dhe Departamenti për Trajnimin Policor. Sipas kësaj organigrame, aktualisht në këto struktura janë punësuar rreth 855 punonjës, por me urdhrin e ri, ky numër do të reduktohet.

Duke u bazuar në faktin se për çdo sektor do të ketë nga 6 specialistë, atëherë sipas urdhrit më të ri të Ministrisë së Brendshme, nga administrata e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të largohen 285 punonjës. Por, deri tani dihet vetëm fakti i reduktimit të numrit të punonjësve, por nuk dihet ende se kur do të nisë tkurrja e administratës.

Ndërkohë, këto ditë në radhët e policisë mbizotëron ndjenja e pasigurisë tek të gjithë punonjësit, sepse askush nuk e di se kë do të prekin ndryshimet e strukturës së re. Ndërkohë, ditët në vijim ndryshimet do të prekin edhe radhët e drejtuesve të policisë. Burime nga radhët e policisë bëjnë me dije se ministri i Brendshëm, ka bërë gati emrat e rinj që do të zëvendësojnë drejtuesit e policisë në qarqet e vendit.

Organigrama aktuale:
95 struktura
Çdo strukturë-9 specialistë
5 Departamente: Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Departamenti për Sigurinë Publike, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, Departamenti për Shërbimet Mbështetëse dhe Departamenti për Trajnimin Policor.
Në total 855 punonjës

Organigrama e re:
95 struktura
Çdo strukturë-6 specialistë
Në total 570 punonjës
Largime-285 punonjës
Policia Rrugore-88 efektivë të larguar, pak ditë më parë
22 efektivë të larguar, të punësuar në komisariat /albeu.com/
Shtuar më 09/10/2013, ora 09:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori