Stresi dhe Noizy në shkolla, Nikolla thotë se po i përdorin fëmijët si kavie laboratori
Pëlqej
Prej dy ditësh në mediat online dhe rrjetet sociale qarkullojnë foto të teksteve mësimore ku janë përfshirë dy reperat "Stresi" dhe "Noizy" duke iu ofruar fëmijëve si shembuj suksesi në jetën e tyre.

Të dy reperat janë këngëtarë të suksesshëm, por tekstet e tyre nuk janë për fëmijë të shkollave fillore, por për mosha më të rritura.

Për çudi, autorët e librave e kanë parë të arsyeshme t'i përfshijnë ata në tekstet shkollore të shkollave fillore, por çudia më e madhe këtu lidhet me reagimin e Ministrisë së Arsimit për këtë skandal, shkruan Albeu.com.

Në një intervistë të dhënë mbrëmë në ABC News, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, pa e prishur terezinë fare thotë se tekstet me të cilat mësojnë fëmijët shqiptarë nuk certifikohen para nga MAS dhe më pas t'u ofrohen atyre, por ndodh e kundërta, fëmijët përdoren si kavie laboratori një vit dhe pasi konstatohen problemet atëherë rregullohet libri.

"Tektste nuk certifikohen që vitin e parë. Është një vit që mësuesit, media dhe prindërit bëjnë diferencën dhe ne u japim shtëpive botuesve përkatëse për të bërë ndryshimin, ndryshe ato nuk futen në sistem nëse nuk e ndryshojnë", tha Nikolla.

Sipas shpjegimit të Nikollës duket se në vend që të jetë MAS që certifikon tekstet, ajo përdor një brez fëmijësh si tester duke u mësuar se të kesh një jetë si Noizy dhe Stresi është "cool".

Në fund, pasi këtij brezi ia ke mbushur trurin me broçkulla, rregullimet i bëjmë vitin tjetër. /albeu.com/
Shtuar më 12/10/2018, ora 15:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori