Steinmeier vlerëson progresin e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE
Pëlqej
Para nisjes së takimit me Ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Konferencës për Ballkanin Perëndimor, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u shprehu kënaqësi për ardhjen në Berlin të homologëve të tij nga të gjitha shtetet e Ballkanit.

"Kjo konferencë nënvizon faktin se Gjermania po vazhdon të angazhohet me një përkushtim të madh për të gjithë rajonin. Ajo konfirmon pohimin tonë për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Dëshirojmë ta shfrytëzojmë takimin tonë për të vlerësuar progresin e deritanishëm të rajonit në rrugën për në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht ne do të diskutojmë çështje, të cilat janë vendimtare për shpejtësinë dhe suksesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Këtu do të jetë fjala ndër të tjera edhe për faktin se si vendet, edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, do të vazhdojnë me reformat e nevojshme." tha Streimer.

Në kuadrin e Konferencës të Ballkanit Perëndimor nën drejtimin e Qeverisë Federale, e cila do të zhvillohet sot, Ministri i Jashtëm Federal Steinmeier do të presë për konsultim prej orës 15:00, në vilën Borsig (shtëpi për miqtë e Ministrisë së Jashtme Federale), në Berlin-Tegel, ministrat e jashtëm të 10 shteteve si edhe një pjesëtar të Komisionit Evropian.

Si partnerë bisedimesh do të priten në vilën Borsig: Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, Ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës Zlatko Lagumdzija, Ministri i Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj, Ministrja e Jashtme kroate Vesna Pusic, Ministri i Jashtëm maqedonas Nikola Poposki, Ministri i Jashtëm malazez Igor Luksic, ministri i Jashtëm austriak Sebastian Kurz, ministri i Jashtëm serb Ivica Dacic, ministri i Jashtëm slloven Karl Erjavec, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë Stefan Fule. /albeu.com/
Shtuar më 28/08/2014, ora 11:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori