Statusi i Kosovës, SHISH kërkon shtimin e agjentëve
Pëlqej
Albeu.com
Shtimi i numrit të bashkëpunëtorëve është konsideruar nga Shaqiri, si domosdoshmëri për ta gjendur Shqipërinë të përgatitur karshi çdolloj situate që pritet të prodhojë gjendja aktualisht e elektrizuar në Ballkan.Në kuadrin e ruajtjes së sigurisë kombëtare, Shërbimi Informativ Kombëtar kërkon shtimin e numrit të agjentëve në Kosovë e për pasojë, rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm. Frika e një destabilizimi të mundshëm të Shqipërisë, në prag të shpalljes së statusit final të Kosovës, ka detyruar shefin e këtij shërbimi, Bahri Shaqiri, t’i drejtohet qeverisë me kërkesën për shtim fondi në shumën e rreth 500 milionë lekëve të vjetra, që synohet të përdoren për këtë qëllim. Lajmi është bërë i ditur nga burime brenda mbledhjes së djeshme me dyer të mbyllura të komisionit parlamentar të Sigurisë, ku Shaqiri ishte ftuar për të dhënë mendimet e tij për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Sikundër mësohet, kreu i SHIK-it e ka argumentuar kërkesën për shtim fondi me nevojën e përballimit të pagave dhe shpenzimeve operative për agjentët, që parashikohet të rekrutohen jashtë kufijve të vendit. Shtimi i numrit të bashkëpunëtorëve është konsideruar nga Shaqiri, si domosdoshmëri për ta gjendur Shqipërinë të përgatitur karshi çdolloj situate që pritet të prodhojë gjendja aktualisht e elektrizuar në Ballkan. Të njëjtat burime saktësojnë se numri më i madh i agjentëve që pritet t’i shtohen SHIK-it, do të jetë në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër në trojet shqiptare në Maqedoni dhe në Malin e Zi. Ndërkaq, një pjesë e shumës prej 500 milionë lekësh të vjetra, Shaqiri tha se do të përdoret edhe për bashkëpunëtorët e brendshëm në kuadrin e luftës kundër krimit të organizuar, që ka në dispozicion mjete të sofistikuara dhe një mbështetje të madhe financiare. Nga ana e tyre, anëtarët e komisionit të Sigurisë në unison kanë mbështetur në parim kërkesën e Shaqirit, duke i kërkuar kësisoj qeverisë të shprehet në lidhje me të. Aktualisht, buxheti i akorduar nga ekzekutivi për këtë institucion, në vitin ’08 arrin në total në rreth 1.127 milionë lekë të reja. Nga kjo shumë, 742 mijë lekë janë akorduar për pagat e punonjësve, ndërsa 134 mijë lekë për kontributin e sigurimeve shoqërore. Në zërin mallra dhe shërbime, buxhetit të SHIK-it i është përcaktuar shuma prej rreth 231 mijë lekësh, ndërsa në atë “shpenzime kapitale të trupëzuara”, është përcaktuar shuma prej 20 mijë lekësh të reja.

Reforma
Vetëm tri ditë pas vizitës së Presidentit të SHBA-së, Xhorxh Ë. Bush në Tiranë, për sigurinë e të cilit u angazhuan edhe thuajse të gjithë agjentët e SHIK-it, Kryeministri Sali Berisha firmosi largimin nga puna për 129 prej tyre. Burime pranë SHIK-it thanë aso kohe se urdhri i kreut të ekzekutivit daton më 13 qershor të këtij viti dhe ligjëroi propozimin e drejtuesve të këtij shërbimi, i treti në më pak se një vit, duke shkurtuar në mënyrë të ndjeshme stafin profesional të Shërbimit Sekret Shqiptar. (Gazeta Shqiptare)
Shtuar më 14/11/2007, ora 15:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori