Statusi i Kosovës, Athina mbështet Beogradin
Albeu.com
Athina zyrtare mbështet Serbinë në negociatat për statusin e Kosovës. Një fushatë e gjerë diplomatike e ka çuar dje në Greqi kryeministrin serb për të diskutuar në lidhje me situatën në rajon dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës.Kryeministrat e Greqisë dhe Serbisë deklaruan dje se statusi i Kosovës nuk duhet t’i imponohet Beogradit, por duhet të arrihet përmes negociatave. “Zgjidhja duhet të jetë rezultat i dialogut dhe kjo kërkon kompromise dhe lëshime nga të dyja palët”, tha kryeministri serb Koshtunica, pas bisedimeve me homologun e tij grek, Kostas Karamanlis. Ky i fundit ka shtuar se “ne duam të shohim një Kosovë shumë kulturore që respekton plotësisht të drejtat e grupeve etnike dhe kjo është kyçe për stabilitetin në Ballkan”. Vizita e Koshtunicës në Greqi zhvillohet vetëm një javës pas vendimit të OKB-së për të hapur negociatat lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. Javën e kaluar, shefi i diplomacisë serbomalazeze, Vuk Drashkoviç zhvilloi një vizitë të rëndësishme në Kinë, ku siguroi mbështetjen e Pekinit lidhur me qëndrimin serb për statusin e Kosovës. Zyrtarët serbë kanë siguruar edhe mbështetjen e Moskës lidhur me çështjen e Kosovës, duke pasur në anën e tyre dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje. Bisedimet për statusin e Kosovës pritet të nisin në fillim të muajit nëntor, dhe komunitetit ndërkombëtar i ka nisur përgatitjet lidhur me këtë. Por, ndërsa Kosova i ka bërë të ditura strategjitë e saj dhe përbërjen e grupit negociator, Beogradi i ka mbajtur të fshehta synimet dhe përgatitjet e tij. Por, nga ana tjetër ka nisur një fushatë diplomatike që ka për qëllim sigurimin e mbështetjes së disa faktorëve kyç ndërkombëtarë lidhur me këtë.

Këshilla amerikane
Ambasadori amerikan në Kosovë, Filip Golberg, këshilloi dje anëtarët e Grupit Negociator që të kenë qëndrim unik lidhur me propozimet për çështjen e statusit. “Është koha që njerëzit të bashkohen rreth propozimeve dhe ideve të përbashkëta”, -theksoi ai.
G. Shqiptare
Shtuar më 01/11/2005, ora 18:00
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori