Statusi, Holanda inkurajon Shqipërinë në plotësimin e kritereve
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti priti sot në një takim delegacionin e Ministrisë së Jashtme të Hollandës, të kryesuar nga z. Robert de Groot, Drejtor i Përgjithshëm për Bashkëpunimin Evropian në këtë ministri.

Në takim u diskutua mbi ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.

Ministri Panariti falenderoi për asistencën në vazhdimësi që Hollanda ofron përmes Programit MATRA, në mbështetje të reformave që po kryhen në vendin tonë. Ai shprehu interesin e palës sonë për të pasur më shumë shkëmbime ekonomike e biznesi, sipas fushave me interes reciprok.

Duke u ndalur në integrimin evropian të vendit, Ministri Panariti falenderoi për mbështetjen e dhënë nga Hollanda në këtë proces dhe informoi mbi progresin e bërë në këtë drejtim, duke siguruar se integrimi mbetet një prioritet kombëtar dhe se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për plotësimin e kritereve për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Në fjalën e tij Drejtori de Groot, vlerësoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri në dekadën e fundit dhe progresin e arritur nga Shqipëria në procesin e integrimit. Ai konfirmoi se Hollanda mbështet zgjerimin e BE-së dhe në këtë kuadër, inkurajon Shqipërinë në plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria e reformave të kryera. /albeu.com/
Shtuar më 25/03/2013, ora 17:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori