Statusi, Fyle prezanton sot opinionin për Shqipërinë
Pëlqej
Plot dhjetë raporte do të jenë sot në axhendën e Komisionit Europian. Fillimisht do të prezantohet strategjia për zgjerimin 2010-2011 dhe më pas opinionet mbi aplikimin për statusin e vendit kandidat nga Shqipëria dhe Mali i Zi.

Gjithashtu do të publikohen shtatë progres-raporte vjetore për vendet kandidate dhe ato potencialisht të tilla. Kjo axhendë përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu sikurse edhe Turqinë dhe Islandën. Në orën 16:00 lokale është parashikuar që të mbahet një konferencë e posaçme shtypi nga komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë në BE, Stefan Fule.

Paraprakisht është bërë e ditur se BE do t’i japë statusin e vendit kandidat Malit të Zi, ndërsa çelja e negociatave nuk do të bëhet. Sakaq, Shqipëria nuk ka gjasa që të marrë një përgjigje pozitive për aplikimin e saj. Në progres raportin vjetor, vendi ynë pritet të kritikohet për mungesën e dialogut politik dhe mosfunksionimin e institucioneve. BE mendon se ende efektiviteti dhe stabiliteti i institucioneve demokratike në vend nuk është garantuar.

“Institucionet parlamentare dhe procedurat nuk funksionojnë siç duhet. Si rezultat, parlamenti nuk e ushtron siç duhet rolin e tij si kontrollues i qeverisë”, thuhet në progres raport. Problemi kryesor mbetet mungesa e dialogut politik në vend mes pozitës dhe opozitës.

“Dialogu politik është konfrontues dhe jo konstruktiv, jo vetëm për shkak të ngërçit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009”, ngre shqetësimin Komisioni. Diçka e tillë, vërehet në raport, pengon realizimin e reformave kyçe për të cilat kërkohet një konsensus i gjerë. Janë pikërisht këto reforma që kërkohet nga vendi ynë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Disa prej çështjeve të trajtuara në raport kanë të bëjnë me implementimin e legjislacionit, influencën politike mbi sistemin e drejtësisë, dobësia e administratës publike etj. Diplomatët nga Brukseli kanë thënë se ekziston mundësia e hartimit të një grupi kriteresh, të cilat duhen përmbushur përpara se sa të merret në konsideratë dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian. (albeu.com)
Shtuar më 09/11/2010, ora 13:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori