Status special per veriun e Kosoves?
Albeu.com
EU Observer ka mësuar se shtetet anëtare të BE-së do të ishin të përgatitura të diskutonin një zgjidhje speciale për pjesën veriore të Kosovës në mënyrë që të arrihet një kompromis përfundimtar në mes të Beogradit dhe Prishtinës.Bisedimet do të mbaheshin pas publikimit të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) dhe do të mbaheshin nën kushte precize.

Disa diplomatë i kanë thënë kësaj faqeje se çdo dialog potencial kategorikisht përjashton rihapjen e negociatave për statusin e Kosovës apo edhe për ndarje. Bisedimet do të vareshin nga qasja konstruktive e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pas mendimit të GJND-së. Veç kësaj, autoritetet në Beograd do të duhej të tregonin sjellje më konstruktive ndaj Kosovës, por pa obligim për njohje të pavarësisë.

"Më e mira që Serbia mund të përfitonte për veriun e Kosovës me shumicë serbe do të ishte një status special, diçka të ngjashëm me Alto Adige [Tiroli jugor në Itali] apo me Irlandën veriore. Beogradi mund të jetë garantues i një statusi të tillë special, siç është Vjena në rastin e provincës italiane me shumicë austriake, dhe Dublini në rastin e Ulster”, sqaron një burim nga një shtet i madh i BE-së.

Statusi special nuk do të nënkuptonte se rajoni në fjalë, që shtrihet nga veriu i lumit Ibër dhe që përbën 10 për qind të territorit të Kosovës, do të ishte krejtësisht i ndarë, ashtu siç është Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë.

"Beogradi duhet të mendoj për këtë mundësi, sepse nuk do të jetë përgjithmonë mbi tavolinë. Gjithashtu, ne shpresojmë që Serbia ka mësuar diçka nga Kroacia e Bosnja, ku popullsia lokale serbe ka paguar për synimet sureale të Beogradit. Ju kujtohet që i ashtuquajturi plani Z4 i cili ofronte autonomi për serbët në Kroaci ishte refuzuar”? thotë një diplomat perëndimor.

Ndonëse Serbia nuk do të obligohej ta njihte Kosovën, obliguese do të ishte qasja ndaj pjesëmarrjes së Prishtinës në organizata rajonale, në tregti dhe në integrimet evropiane, sqarojnë burimet diplomatike në Bruksel. Si shpërblim, Serbisë do t’i jepej një shtytje e butë drejt anëtarësimit në BE. Në ndërkohë, Kosova, si nxitje, do të përfitonte

perspektivë të qartë formale për t’i nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në.
Tri shtetet më të rëndësishme të BE-së, Gjermania, Franca dhe Britania, tashmë kanë paralajmëruar Serbinë se nuk do të mirëprisnin përpjekjet për rihapjen e çështjes së statusit të Kosovës në OKB. Ata i propozuan Beogradit që të shkruajë një draft-rezolutë të përbashkët rreth mendimit këshillëdhënës të GJND-së, i cili do të ishte i pranueshëm si për Beogradin ashtu edhe për kryeqytetet e BE-së. Pala serbe ka refuzuar këtë ofertë dhe kanë vendosur ta shkruajnë draft-rezolutën e vete. Ajo do të paraqitet në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

"Gjatë disa kontakteve, zyrtarëve të lartë serbë u është thënë se çdo fushatë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kundër shteteve anëtare të BE-së rreth çështjes së Kosovës do të perceptohen si sjellje armiqësore të cilat do të kishin pasoja të pashmangshme për fatin e aplikimit të Serbisë për anëtarësim në BE. Është e paimagjinueshme se Këshilli i ministrave të BE-së do të vendos të hapë procedurën për t’i dhënë statusin e kandidatit Serbisë në kohën kur Serbia po avokon në OKB kundër shteteve të BE-së”, u shpreh një diplomat i lartë i BE-së për “WAZ.EUobserver”.

Sipas burimeve të faqes, skenari më i keq për Serbinë do të ishte që rezoluta e Beogradit të kalohej në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kundër dëshirës së shteteve anëtare të BE-së.

"Në atë rast, kush e di se edhe për sa kohë do të mbetet në kuti aplikimi i Serbisë”, shtoi burimi i “WAZ.EUobserver”.

Diplomatët e BE-së besojnë se nëse Serbia mbetet e qetë, i shmanget fushatave nxitëse dhe lobimit agresiv, dhe nëse gjuha e rezolutës së tyre është e pranueshme për shtetet anëtare të BE-së, treshja e madhe, Berlini, Parisi dhe Lisbona , do të jenë të gatshme të hapin procedurën për statusin kandidat të Serbisë në muajin tetor.

Por nëse Serbia insiston në rihapjen e çështjes së statusit apo punon për ndarjen e Kosovës, perspektiva e saj evropiane do të bëhej edhe më e komplikuar. Edhe marrëdhëniet e saj me SHBA-të do të prisheshin. "Janë shtetet anëtare të BE-së e jo Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ato që vendosin për pranimin e një kandidati në BE”, tha një ministër i një shteti të BE-së. (Agon Osmani, zeri)
Shtuar më 07/07/2010, ora 14:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori