Spiunllëku, zgjidhja jonë e vettingut, apo...!
Pëlqej
nga Genti Pulti -

“Spiun, majmun, sapun….” është batuta e një filmi shqiptar që të bie ndërmend këto ditë kur dëgjojmë këmbanat e politikës, e ndërthurur mbi një fjalë të vetme, e huazuar nga anglishtja, “vetting”, kuptimi i së cilës është shqyrtimi i kujdesshëm dhe kritik i diçkaje, i përshtatshmërisë, besueshmërisë, fshehtësisë të një kandidati për punësim. Brënda kësaj fjale “të zbuluar” jo rastësisht nga poliglotët tanë anglishfolës dhe ustallar të politikës “spin doctor”, të cilët krijojnë herë pas here togfjalësha çoroditëse për opinionin publik, duke u përzier me ndjesinë se u gjet “thembra e Akilit”, por që nuk është gjë tjetër vetëm se një fasadë e re në skenën e vjetër, dalin jo pak batuta të reja që ndërthuren bashkë me shprehjen; “ku ishim, asgjëkundi, çfarë bëmë, asgjësendi”.

Batuta e rradhës vjen nga komisionerët e “Vettingut”, ku i kërkojnë qytetarëve që të tregojnë Gjygjtarët që kanë paguar, prokurorët që kanë kërkuar leke për mbyllje çështjesh, dhe nga këto denoncime do dalin fajtorët, do dalin padrejtësitë ndaj këtij populli. Sa qesharake duket kjo kërkesë zyrtare, e atyre që i janë besuar çelësat e së drejtës së munguar, por sa tringëllimë e dëgjuar na duket kur thuhet fjala “spiun”! Kërkohet nga shteti, të spiunojmë shtetin!

Falë spiunllëkut të përhapur si ves ndër shqiptar është ecur për afro 500 vite ne kohën e pushtimit Otoman, për 10 vite ma rradhë Mbreti Zog aktivizoi spiunët, për afro 5 vite Fashizmi dhe Nazismi gjeti terren spiunazhi. Më pas afro 50 vite me po këtë rrugë u mbajt komunizmi tek ne, duke denoncuar në çdo rast, në emër të armikut të klasës, me një denoncim falas, këdo që tjetri nuk e kishte qejfë, për një fjalë goje, me të drejtë ose jo, pa e kuptuar dot se ajo ishte thënë me lehtësinë më të madhe nga njeriu të më të afërt, tjetrit i mbaronte jeta.

Këtu është dhe dilemma e hapjes së dosjeve, nga se mund të dalin në shesh të vërtetat rrëqethese se si vëllau spiunonte vëllanë, bashkëshorti bashkëshorten, fëmija prindin, me një pasojë jo të lehtë sociale. Por duket se miti i spiunit nuk po ikën nga ne, kërkohet institucionalisht, ku shteti ka bazuar luftën e tij ndaj padrejtësisë tek spiunllëku, duke i veshur petkat e një atdhetarizmi, për të denoncuar abuzuesin zyrtar, tashmë edhe me një premti, se do i rikthehen leket që ka paguar te zyrtari, por sigurisht nëse e dëshmon atë.

Po vetë Shteti çfarë bën?! Përpara se t’i kërkojë popullit të tij që të luaj sin ë filmat e Hollyëood-it, me spiunazh, të aktivizojë strukturat e tija. Të bëjë auditim të gjithë kupolës shtetërore, duke filluar nga vetja, duke llogaritur pasuritë e zyrtarve, makinat e shtrenjta, udhetimet jashte shteti, jetesa e luksit. Të kontrollojë jetën pa frenim të fëmijëve të zyrtarve, shkollimin e tyre në shkollat brënda dhe jashtë vendi, të kontrollojë llogaritë bankare të tyre dhe të të gjithë të afërmve. Nuk është e nevojshme të ngrihet kulti i spiunimit, kur ekzistojne të gjitha elementet shteteror të një llogaridhënjeje të secilit që dyshohet. Nuk ka pse zyrtarët që paguhen me taksat e qytetarve t’i orjentojë shqiptarët drejtë urrejtjes ndaj njëri-tjetrit, ku mjaftueshëm jemi vllavrarë. Shteti duhet të bëjë punën e tij, për t’i siguruar paqen e munguar në çdo drejtim këtij populli!

“Spiun, majmun, sapun….”, batuta të mbesi në film, jo në jetën e këtij populli!
Shtuar më 13/01/2018, ora 11:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori