Spiunët e UDB, rrëmujë në Kukës
Albeu.com
Një gazetë e Prishtinës boton emrat, anëtarë të fiseve me ndikim në zonë. Qyteti vlon pas publikimit të emrave që bashkëpunuan me "shkjaun" dhe që prekin mjaft familje të njohura.Prej disa ditësh qarkullon në Kukës një artikull i gjatë vijues në 5 numra i gazetës "Infopress" të Prishtinës, i cili sjell në bazë gjetjeje dokumentare, siç thotë gazeta, një listë me emra të bashkëpunëtorëve të UDB-së në kohën e pushtimit të vendit nga Serbia dhe më pas. Gazeta në fjalë thotë se dokumentacioni u përket viteve 1948-1959. Dokumentet që sjell "Infopress"-i përmbajnë një numër emrash nga Prizreni, Gjakova etj. Por po tërheq vëmendjen pikërisht lista me bashkëpunëtorë nga krahina e Lumës, që sot përbën pjesën më të madhe të rrethit të Kukësit. Shumica e këtyre emrave kanë qenë tepër të njohur për Kukësin dhe më gjerë, ndërsa pasardhës të tyre kanë mbajtur dhe mbajnë edhe sot e kësaj dite poste të ndryshme deri në pushtetin qendror. Gazeta që boton këto emra e vë theksin në nxjerrjen e së vërtetës, duke thënë se përderisa bëhet fjalë për baballarë dhe gjyshër, që pothuajse që të gjithë mund të kenë vdekur, nuk ka pse t‘i skuqet faqja askujt prej pasardhësve, pasi nuk mund të jenë përgjegjës për sjelljen e gjyshërve. Artikulli nis më 23 prill 2007 e në vazhdim titullohet "Dëshmi për bashkëpunëtorët e UDB-së në kohën e Jugosllavisë së Vjetër" dhe sjell një pjesë të emrave bashkëpunëtorë për të pushtuesin serb, për të cilët shënohet edhe vendbanimi dhe profesioni. Ky artikull po lexohet nga një masë tepër e madhe njerëzish, duke u fotokopjuar dhe mbajtur nëpër kafene si për të tërhequr klientët. Asnjëherë më parë, asgjë nga shtypi kosovar nuk kishte tërhequr kaq shumë vëmendjen e njerëzve të thjeshtë në Kukës. Në të gjenden emra të njohur njerëzish që kanë drejtuar dhe një pjesë e tyre që janë gjallë vazhdojnë të kenë influencë, kryesisht politike te njerëzit. Bien në sy emra, pasardhësit e të cilëve janë sot, në përbërje të piramidës shtetërore apo që janë biznesmenë tepër të fuqishëm e të "paprekshëm". Njerëzit thonë se botimi i këtij artikulli kishte tërhequr fillimisht vëmendjen e një njeriu të thjeshtë, i cili nuk është as lexues i shtypit, por e ka sjellë nga Prizreni në Kukës, ku vazhdon të shkaktojë lëkundje të vërteta të besimit dhe krenarisë për fisin dhe të parët në tërësi. Dihet që serbët e kishin pushtuar sërish një pjesë të Shqipërisë në vitin 1941 dhe kanë pasur në këtë kuadër edhe bashkëpunëtorët e tyre të fshehtë, me të cilët kanë siguruar, kryesisht mosveprimin, lënien të lirë të pushtuesit për të vepruar, ndërsa në artikull flitet bashkëpunëtorë, që kishin vepruar që nga vitet ‘20 të shekullit të shkuar. Një pjesë e tyre ka shërbyer edhe për periudhën e luftës së ftohtë. Deri në vitet ‘60, në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë janë shkëmbyer një numër i madh të arratisurish. Të gjithë të arratisurit e shkëmbyer në pikat e kalimit të kufirit në Morinë etj., kanë qenë shqiptarë; kosovarët që iknin nga regjimi i atjeshëm dhe shqiptarët e Shqipërisë që iknin nga diktatura dhe lufta e klasave. Artikulli i "Inforpress"-it informon se shumica e informatorëve të UDB-së kishin qenë nga fshatrat e Gorës në dy anët e kufirit, si dhe të tjerë në rrafshin e Lumës. Të dhënat e këtij artikulli janë mjaft kompromentuese për një pjesë të njerëzve në Kukës, ndonëse me zhvendosjet demografike të dekadës së fundit zbehet ky efekt. Një numër personash, kryesisht jashtë rrezes së kësaj liste, thonë që publikimi i emrave të bashkëpunëtorëve të UDB-s është një "ulje e hundës" së shqiptarëve në pragun e pavarësisë së Kosovës. Gazeta Shqip
Shtuar më 03/05/2007, ora 15:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori