Speciale; Balle ne balle me AKSH-ne
Pëlqej
Albeu.com
Nga zëri i lartë i komanduesit të njësisë ushton edhe mali, kurse ushtarët e armatosur me armë të rënda e të lehta, qëndrojnë në rresht. "Garda e Armatës Kombëtare Shqiptare, nderime atdheut... nderime", dëgjohet zëri i drejtuesit të kësaj njësie.
Kushtet që një person duhet të plotësojë për t'u bërë pjesëtar i AKSH-së
��Prejardhja familjare
��Morali
�� Ndershmëria
��Atdhedashuria
��Mospërfshirja në aktivitete kriminale
��Mospërdorimi i drogës, marrja me prostitucion apo vjedhje
��Të jetë I ndërgjegjshëm dhe I pastër
Pak sekonda më vonë, komandanti i zonës i përcjellë nga dy ndihmësit e tij përshkon radhën e ushtarëve të uniformuar dhe me maska. Këta ushtarë, përveç rrathëve me fishekë, uniformave të zeza e të gjelbra, në kokë dhe krahë mbajnë emblemën e AKSHsë.
Në prezencën e gazetës Express, nën erën e ftohtë të malevenë pjesën veriore të Kosovës, nga dyzet pjesëtarë të pranishëm të kësaj armate, njëzet prej tyre bënin betimin. Në natën ndërmjet të dielës dhe së hënës, ata i bashkoheshin rreth dymbëdhjetë mijë ushtarëve të tjerë, aq sa thonë se janë, prej të cilëve ka intelektualë, studentë, profesorë dhe fshatarë. Këta njerëz e pranojnë se janë të pakënaqur me situatën aktuale, me politikanët dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, e në mënyrë të veçantë nga Garda e Car Llazarit.
"Për flamur, qendër ndero", dëgjohet prapë drejtuesi i njësisë, derisa tre nga ushtarët nisen drejt qendrës së lëndinës, e cila ndodhet në mes të drunjve të lartë.
Por, rruga deri te këta njerëz dhe flamuri që është i vendosur në një shtyllë të hollë prej druri, është e vështirë.
Personi i vjetër, i cili tregon rrugën deri te kjo njësi, nuk flet shumë dhe në të njëjtën kohë nuk dëshiron që askush të dijë emrin e tij. "Nuk kam frikë nga askush, por ende nuk ka ardhur koha që të dilet hapur", thotë ky pjesëtar i kësaj armate.
Gjatë tërë kohës ai tregon pikat ku ka luftuar dikur me ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

BETIMI USHTARAK I AKSH-së
“Unë, stërnipi i ilirëve dhe Kastriotëve, vazhdues I denjë i luftëtarëve dhe dëshmorëve të lavdishëm të kombit shqiptar për liri, unë luftëtar i AKSHsë, betohem se do të jem ushtar besnik I kombit tim dhe do të luftoj deri në fund të jetës sime për bashkimin e Shqipërisë. Ndëshkimi më i rëndë i Zotit dhe i Kombit të më jepet në qoftë se e shkel këtë betim solemn. Betohem, betohem, betohem. “
Kjo është biseda kryesore. Pjesa tjetër është heshtje. Aty ku mbaron asfalti, burri I vjetër zbret nga vetura, për t'ia lënë detyrën e tij të tregimit të rrugës, një automjeti tjetër me dy persona në të. "Kaq pata unë. Ndiqeni këtë veturë", thotë shkurt ai.
Në rrugën e shtruar me zhavorr, mes maleve dhe kthesave të forta, më në fund duket një dritë e dobët.
Në këtë pjesë të vendit mungesa e rrymës nuk llogaritet me orë, por me ditë të tëra, kurse era e bjeshkës fërshëllen xhamat e veturës.
Disa metra para se të hyhet në oborrin e kësaj shtëpie, në mesin e errësirës vërehen rojat me maska dhe të armatosur.
Urdhri për të qëndruar në veturë deri në marrjen e urdhrit tjetër, duhet zbatuar në përpikëri, derisa ushtarët qëndrojnë pranë automjetit.
Nga ajo lartësi dritat shumëngjyrëshe të qytetit shfaqen poshtë në rrafsh. "Këtu nuk vjen rryma për disa ditë", thotë pas pak kohësh njëri nga ushtarët, kur pyetet për mungesën e energjisë elektrike. "Unë jam student. Por kjo situatë nuk durohet më", vazhdon ushtari, i cili merr vërejtje nga kolegu i tij, sepse në ato çaste është duke ardhur komandanti.
"Rresht për dy. Njësia nisu... Ejani edhe ju", thotë shkurt komandanti, i cili urdhëron dy ushtarë që të qëndrojnë të fundit në kolonë. Rruga deri në vendin e betimit është e vështirë. Rrugëve me baltë në drejtim të bjeshkës, ku nën urdhrin e komandantit, përveç ndonjë fjale me zë të ulët dhe hapave, nuk dëgjohet asgjë. Rreth njëzet minuta ecje në rrugën e vështirë të kësaj bjeshke, e cila në fund mbaron me një lëndinë që në errësirë të plotë duket të jetë e vogël.
Pas pak çasteve, ceremonia fillon, kurse betimi i tyre bën fjalë për prejardhjen e shqiptarëve dhe jetën që duhet dhënë për bashkimin e trojeve shqiptare. Ndërkohë që ceremonia vazhdon, njëri nga ushtarët që nuk ishte në rresht, por bënte detyrën e rojës, afrohet ngadalë.
"Edhe unë jam si ju", thotë duke pëshpëritur. "Natën jam ushtar, e ditën punëtor. Edhe unë kam fëmijë e familje", vazhdon ai, derisa komandanti kryen detyrën e tij të nderimit të ushtarëve. "Nga viti 2002 jam ushtar. Shikoni në çfarë gjendjeje kemi ardhë. Ende rrezikohemi nga Serbia dhe Garda e Car Llazarit, thotë ushtari, pak sekonda para se komandanti të afrohet.
Nën përcjelljen e ushtarëve të tjerë, komandanti i Zonës së Dytë në Kosovë, e cila përfshin Mitrovicën, Drenasin, Skenderajn, Vushtrrinë dhe Malishevën, tregon për arsyen e formimit të AKSH-së dhe armiqtë e saj."Ne jemi plotësisht të zhgënjyer me liderët tanë të Kosovës", thotë komandanti i kësaj zone, që veten e identifikon me emrin Preka. Sipas tij, formimi i kësaj armate në vitin 2001 ka ndodhur pasi është parë që ish UÇK-ja nuk ka mundur të realizojë deri në fund atë që e ka filluar. "AKSH-ja ka rreth 12 mijë pjesëtarë, të cilët janë në çdo vend, në çdo lagje, në çdo fshat e qytet. Ne jemi duke ushtruar për çdo ditë, ngase rrezikohemi nga armiku", thotë komandant Preka për Express.
Armikun kryesor të kësaj armate ai e konsideron Serbinë, saktësisht Gardën e Car Llazarit, kurse miqtë për ta janë KFOR-i, SHPKja dhe TMK-ja.
"Këtu jemi në pjesën veriore të Mitrovicës, që në vijë ajrore KFORin e kemi 150 metra", saktëson vendin komandanti i kësaj zone. Bazuar në deklarimet e këtij personi, AKSH-ja fillon me Zonën e Parë, që përfshinë Shqipërinë, Zonën e Dytë, që mbulon Kosovën dhe Zona e Tretë, e cila vepron në komunat shqiptare në Luginë të Preshevës. "Aty ku ka shqiptarë, ku i thuhet bukës bukë e ujit ujë, aty vepron AKSH-ja", thotë komandanti, derisa pranë tij në errësirë të plotë valëvitet në shtyllë flamuri kombëtar shqiptar. Lidhur me vrasjen e disa personave në Tetovë të Maqedonisë, komandanti i kësaj zone sqaron se ata nuk kanë të bëjnë asgjë me AKSH-në. "Jo, më vjen keq nga ata persona që janë vrarë, por ata nuk kanë lidhje me AKSH-në", thotë Preka, i cili nuk pranon të jape shpjegime për armatimin.
Çështja e armatimit është sekrete, duke përfshirë edhe mundësinë nëse komandanti i përgjithshëm i AKSH-së jeton ose jo në Kosovë. Drejtuesi i kësaj zone tregon edhe dallimet ndërmjet AKSH-së dhe Gardës së Car Llazarit, pavarësisht se të dy këto nga UNMIK-u janë shpallur organizata terroriste. "Më vjen keq që UNMIK-u ka gabuar, sepse AKSH-ja nuk është terroriste. AKSH-ja del nga gjiri I këtij populli. Ne jemi bijtë e bijat e këtij populli", thotë komandanti.
Kur e gjithë ceremonia përfundon, sërish ushtarët bëhen rresht nga dy. Rreth katër orë më vonë, bëhet rruga e kthimit nga bjeshka, e cila është e njëjtë, edhe pse ushtarët dhe komandanti janë pak më të relaksuar, sepse edhe kësaj here plani i hartuar një javë më parë është realizuar me sukses. Në vendin e nisjes, porosia e fundit drejtuar ushtarëve është që të jenë të qetë, të zhvendosen nga aty ngadalë dhe pa zhurmë. "Mos harroni, sekreti është sekret. Asnjë fjalë me familje, shokë apo dikë tjetër. Shokë, takohemi prapë. Mund të largoheni", thotë me zë të lartë komandanti. Disa minuta më vonë, në oborrin e shtëpisë, e cila edhe pas katër orësh qëndrimi aty nuk kishte rrymë, nuk mbeti asnjë prej ushtarëve.
Marre nga Gazeta Express
Shtuar më 14/11/2007, ora 18:25
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori