SPAK përfundon hetimet për 31 të arrestuarit e bandës që trafikonte drogë e njerëz
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal ndaj personave të arrestuar gjatë operacionit të koduar si “LIMIT“.

Sipas njoftimit të SPAK, në përfundim të hetimeve paraprake, pasi janë kryer të gjitha veprimet e mundshme dhe të nevojshme hetimore, pasi janë vlerësuar të gjitha provat e administruara gjatë hetimeve, iu është njoftuar akuza dhe janë përfunduar hetimet të pandehurve:

Olger Bamllari, 2. Aleksandër Pepi alias Bani, 3. Gjergji Çollaku, 4. Hysni Sadik, 5. Sokol Nesimi, 6. Aldo Nesimi, 7. Bilbil Shqalshi, 8. Kristo Ruçi, 9. Besjan Valca, 10. Drini Valca, 11. Festim Çorbaxhi alias Bajraktari, 12. Rexhep Ipek, (shtetas turk) 13. Eljon Jaho, 14. Gjergji Muke, 15.Romeo Tare, 16. Andrea Caca, 17. Emiliano Kalemi, 18. Bektash Zenel, 19. Besjan Zenel, 20. Enkelejdi Sadik, 21. Kristo Çobaj alias Christo Tsompai, 22. Gjergji Çobaj alias Gkergki Tsompai, 23. Edmir Ballia, 24. Eduart Hoxha, 25. Fejzo Dana, 26. Arbër Brahimi, 27. Vangjel Brahimi, 28. Agron Manka, 29. Ertin Hoxhalli, 30. Eugen Meka, 31. Kastriot Hoxha :

Emrat e mësipërm janë akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283a, 283, 284, 298/3, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Persona në fjalë sipas SPAK akuzohen se janë anëtarë të grupit kriminal që ushtronte aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike të llojit heroinë, kokainë dhe cannabis sativa nga Shqipëria në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, me destinacion Turqinë dhe vende te tjera të Bashkimit Europian.

“Gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë dokumentuar gjatë viteve 2018 – 2019 disa episode të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe cannabis sativa në Shqipëri dhe Greqi, duke u bërë sekuestrime rast pas rasti.

Për të njëtën periudhë, është dokumentuar trafikimi i farërave të bimëve narkotike i kryer nga ana e pjesëtarëve të këtij grupi kriminal, nga Hollanda në Greqi, e më pas për në Shqipëri. Paraprakisht ata kishin siguruar vendet në Shqipëri për të mbjellë bimët narkotike, kishin gjetur pajisjet paisjet përkatese dhe kishin ngritur ambiente të përshtatura duke realizuar mbjelljen e bimëve narkotike. I gjithë ky proces është zhvilluar nën monitorimin e policisë gjyqësore dhe prokurorisë. Në përfundim janë gjetur dhe sekuestruar bimët narkotike të mbjella në parcela të ndryshme nga pjestarët e këtij grupi kriminal.

Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është dokumentuar edhe veprimtaria e paligjshme e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të disa shtetasve sirianë, me drejtim nga Greqia në Shqipëri, e më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal, si rezultat i bashkëpunimit me strukturat homologe ndërkombëtare është arritur që në territorin Greqisë të dokumentohen episode të shumta të trafikimit të lëndëve narkotike si cannabis sativa, heroinë dhe kokainë nga Shqipëria në Greqi. Mbi këtë bazë autoritet greke të drejtësisë ku janë ndjekur penalisht 32 shtetas të tjerë, shqiptarë, grek dhe të huaj, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal në territorin grek.

Çështja penale në ngarkim të të pandehurve të lartpërmendur është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Hetimet paraprake vijojnë për persona të tjerë që dyshohet se janë pjesë e këtij grupi kriminal.”, thuhet në njoftimin për mediat.

Shtuar më 06/07/2020, ora 19:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori