Sot takimi Patozi-Ruci, zbulohen detajet
Albeu.com
Jepen shenjat e para të zgjidhjes së krizës politike dhe ngërçit që ka mbërthyer politikën prej një viti prej zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Ndonëse palët janë vigjilentë të marrin sa më shumë në tavolinë, rezoluta e ...... Parlamentit Evropian të miratuar ditën e enjte ka skicuar përfundimisht që as Partia Demokratike dhe as Partia Socialiste të mos e lexojnë atë sipas anglishtes së vet.

Burime të sigurta thanë se pritet që të martën Partia Demoraktike të startojë punën për nisjen e negociatave me Partinë Socialiste. Është Astrit Patozi ai që mori një mandatim nga kreu i maxhorancës Sali Berisha që të nisë këto negociata me kreun e grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi me qëllimin që sipas tij PD është e gatshme të zbatojë pikë për pikë rezolutën.

Vetë Patozi tha se menjëherë pas marrjes së këtij mandatimi ka nisur punën në orët në vazhdim për nisjen e këtyre negociatave, por pa dhënë hollësi të mëtejshme. Ndërkohë burime konfindeciale shtuan se kontakti i parë mund të ndodhë pikërisht të martën, një ditë që për optimistët mund të quhet ndryshe edhe nisja e zgjidhjes së krizës. Ndërsa për pesimistët, mund të jetë thjesht përsëritja e një skenari filmi të parë një herë më parë.

Por në kampin tjetër situata është paksa më ndryshe. Numri dy i kësaj partie Gramos Ruçi, jo vetëm që shpreh të njëjtën gatishmëri, por ai kujton që ishte po ai që menjëherë pas miratimit të kësaj rezolute në Parlamentin Evropian, i kërKoi PD-së dhe Berishës nisjen e këtyre negociatave.

Por deri në këtë moment duket se punët nisin të ecin fjollë. Por, të dy palët tregojnë një kujdes maksimal për veprimet e kundërshtarit saqë çdo lëvizje e llogarisin si në një lojë maratonë shahu. Nuk mund të shpjegohet ndryshe kur mëson se PD i shton mandatimit të Patozit të nisë kontaktet me Ruçin, një pyetje: A ka Ruçi mandate nga Rama për të takuar Patozin?


Pra, duket sikur ngjarjet përsëriten e përsëriten pa arritur në një zgjidhje përfundimtare. Pikërisht kur mendon se ka nisur zgjidhja, vjen thellimi i krizës dhe kur kupton se kriza është thelluar, nisin negociatat.

Ajo që vlen për t'u përmendur është se e marta do të shënojë një tjetër datë të rëndësishme në zgjidhjen e kësaj krize. Jemi të sigurtë edhe që Patozi me Ruçin mund të takohen dhe po kaq të sigurtë që PS nuk lëviz nga kërkesat e saj të cilat i ka përsëritur disa herë këto ditë:

"Të pranojë ngritjen e komisionit të ri hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.Të pranojë që opozita të ketë shumicën në këtë komision.Të pranojë që ky komision të drejtohet nga opozita dhe që ky komision të ketë mandatin për hetimin e materialeve zgjedhore në funksion të transparencën së zgjedhjeve të 28 qershorit. Të harrojë djegien e fletëve të votimit dhe cdo lloj diversioni, pengese, makinacioni e përpjekje për të penguar punën e këtij komisioni sepse kjo do të shënonte ndarjen përfundimtare më këtë parlament e me këtë qeveri",

Janë katër fjali të dala nga selia e PS-së si kërkesa, por që për PD-në ngjajnë si urdhra.
Por, ato s'janë gjë tjetër veçse pjesë e rezolutës së miratuar në Paramentin Evropian. Kjo kuptohet qartë kur Berisha i shtoi këto fjalë në mbledhjen e grupit parlamentar:

Nëse opozita kërkon ta riformulojë komisionin hetimor për zgjedhjet, ne nuk kemi asnjë kundërshtim. Nëse ajo kërkon rinumërimin e votave, mund të realizohet vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të këtij vendi".

Të gjitha këto tregojnë se palët nuk kanë asnjë alternativë tjetër veçse konsensusit, një konsensus i detyruar jo nga rrethanat dhe nga dëshirat, por nga një rezolutë e miratuar në Parlamentin Evropian, andej nga na vijnë gjithmonë zgjidhjet për ne shqiptarët.
Shtuar më 13/07/2010, ora 10:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori