Sot ne Tirane, marshimi i madh për pavarësinë e Kosovës
Pëlqej
Albeu.com
Sot, Shqipëria do marshojë për pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët do të jënë sot në këmbë, jo vetëm në kuadrin institucional dhe atë politik për të përkrahur popullin e Kosovës në vullnetin e tyre të shprehur qartë për një Kosovë-shtet i pavarur dhe pjesë e Evropës së Bashkuar.Tubimi, që pritet të jetë madhëshor do të organizohet sot në sheshin "Nënë Tereza", në orën 17.00, nga një nismë qytetare, e cila ka marrë një përkrahje shumë të gjerë dhe është shpallur disa ditë më parë. Një tubim i madh do të zhvillohet sot në Tiranë, nën moton "pavarësi për Kosovën". Shoqëria civile dhe e gjithë politika shqiptarë kanë vendosur para pak ditësh mbajtjen e një manifestimi në sheshin "Nënë Tereza" në kryeqytet, për të shprehur fuqishëm zërin e shqiptarëve pro pavarësisë së Kosovës. Grupi organizator i protestës, që përbëhet nga përfaqësues të disa organizatave jo-qeveritare dhe forumet rinore të të gjitha partive politike në vend, kanë lëshuar një deklaratë. Në të theksohet se "dëshirojmë t‘ju njoftojmë që shqetësimi i shkaktuar nga zvarritja e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës dhe tensionimi i situatës që vjen si rrjedhojë, na ka nxitur ne, një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile dhe forumeve rinore të partive politike të të gjitha drejtimeve, që të organizojmë një manifestim për pavarsinë e Kosovës. Me anë të këtij manifestimi ne duam t‘u bëjmë thirrje aktorëve ndërkombëtarë që të njohin pavarsinë e Kosovës, duke respektuar vullnetin e shumicës së popullsisë së saj dhe duke garantuar stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të rajonit. Ne ftojmë të gjithë shqiptarët që t‘i bashkohen kësaj nisme dhe më datë 15 të këtij muaji, në orën 17.00, të jemi të gjithë në sheshin ‘Nënë Tereza‘ për të manifestuar mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë e Kosovës", thuhetnë deklaratën e komisionit organizator të manifestimit. Ata janë katër organizata të shoqerisë civile: Lëvizja "Mjaft", Instituti Liberal Shqiptar, Tifozët Kuq e Zi dhe Forumi i Mendimit të Lirë, si dhe forumet rinore të Partisë Demokratike, asaj Socialiste, Lëvizjës Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Demokrate e Re. Gjithashtu, organizatorët e këtij tubimi i kanë dërguar një peticion OKB-së dhe Treshes negociatore (SHBA, BE, Rusi), në tekstin e të cilit kërkohet pavarësia e Kosovës si e vetmja zgjidhje që "siguron paqe të drejtë e të qëndrueshme në Ballkan dhe përshpejton integrimin evropian të rajonit".
Shtuar më 15/11/2007, ora 20:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori