Sot ne Mitrovice, edhe votime edhe protesta
Albeu.com
Në komunën e Mitrovicës mbahen zgjedhjet serbe, zgjedhje të cilat janë cilësuar të jashtëligjshme nga autoritetet e Kosovës. Njëkohësisht, në jug të qytetit tri organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës.
Përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe Zyrës civile ndërkombëtare, thonë se zgjedhjet lokale serbe në veri të Mitrovicës, të organizuara nga Serbia ditën e diel, janë të kundërligjshme dhe se rezultatet e tyre nuk do të njihen, ndërkohë që u kanë kërkuar që të bashkëpunojnë me qeverinë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci, thotë se me organizimin e zgjedhjeve në veri të Mitrovicës, Serbia sa po thellon hendekun në raportet Kosovë-Serbi dhe po rëndon pozitën e pakicës serbe në Kosovë.

Në kohë të njëjtë, kur mund të votohet në zgjedhjet lokale të Serbisë në veri të Mitrovicës, në jug të qytetit tri organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, dhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, para dy ditëve kanë paralajmëruar përmes një konference shtypi se në fund të kësaj jave në qytetin e ndarë do të protestohet me moton: “Të mbrohet sovraniteti i Kosovës”. Ata kanë treguar se vendtakimi i qytetarëve për protestën me karakter paqësor e të lajmëruar në Policinë e Kosovës do të jetë në “Sheshin e Jasharëve” e pastaj do të marshohet deri te sheshi “Isa Boletini”.
Edhe Xhemajli e edhe Jashari kanë treguar se qëllimi i protestës është dërgimi i mesazhit të njëjtë edhe tek autoritetet ndërkombëtare e edhe ato vendore në Kosovës, se lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës paraqet cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe se ata që janë kompetentë për ta ruajtur atë duhet ta bëjnë një gjë të tillë.

Me gjuhë të ashpër, përfaqësuesi i SHFD të UÇK-së, Xhavit Jashari, është shprehur se Serbia po e shfrytëzon papërgjegjësinë e faktorit politik vendor dhe atij ndërkombëtar për të organizuar zgjedhje në veri të vendit.
Shtuar më 30/05/2010, ora 11:32
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori