Sot mbahet Asambleja e PS-se, ja 3 skenaret e mundshem
Albeu.com
Asambleja Kombëtare e së martës përbën një nga mbledhjet më të rëndësishme të mbajtura në Partinë Socialiste që prej ardhjes në krye të saj të Edi Ramës. Pyetja kryesore është, a do të dorëhiqet Rama?Ajo që pritet të ndodhë në këtë forum do të ketë padyshim një ndikim të madh në të ardhmen e një prej forcave politike kryesore në vend. Në mbledhjen e cila do të zhvillohet në orën 11:00 tek "Xibraku", pritet të paraqiten dy promemorie, e para e hartuar nga Saimir Tahiri që përfshin mbështetësit e Edi Ramës, dhe një tjetër e hartuar nga kundërshtarët e kryetarit Rama. 3 skenare janë mundësitë nepër të cilat mund të zhvillohet mbledhja e forumit të larte të socialisteve.

E para, edhe pse e çuditshme, në fakt ka më shumë mundësi të ndodhë dhe është pikërisht dorëheqja e kryetarit të PS-së, Edi Rama. Por kjo strategji nuk do të thotë që Edi Rama do t'i hapë rrugën një gare të re për postin e kryetarit të partisë më të madhe të opozitës, por që ai do të kërkojë votëbesimin nga forumet drejtuese të partisë. Pikërisht burime brenda PS-së, bëjnë të ditur se mbështetësit e Ramës do të kërkojnë thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm në datën 28 gusht. Në këtë rast është Gramoz Ruçi ai i cili do të ushtrojë kompetencat e kryetarit të partisë derisa kongresi të vendosë fatin e Edi Ramës.

Një tjetër skenar që mund të zhvillohet në Asamblenë e PS-së është ai i cili është parë në të gjitha deklaratat publike të selisë të PS-së e që ka të bëjë me mosnjohjen e zgjedhjeve. Kjo alternativë është artikuluar shpesh nga Edi Rama dhe bojkoti i parlamentit dhe mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit i jep atij mundësinë të qëndrojë në krye të partisë. Por miratimi i këtij vendimi në fakt pritet të shoqërohet me debate të ashpra në PS pasi figura të njohura të kësaj partie kanë dalë kundër kësaj teze.

Dhe skenari i tretë që në fakt është më pak i mundshëm është miratimi i promemories së hartuar nga Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami e të tjerë. Kjo promemorie synon pranimin e humbjes që do të përkthehet automatikisht në ndërprerje të mandatit të Edi Ramës si kryetar i PS-së. Megjithate do të jetë Edi Rama dhe anëtarët e Asamblesë të cilet do të vendosin për rrugën në të cilën do të ecë PS.
Shtuar më 28/07/2009, ora 05:06
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori