Sot Kongresi i PS-së; Priten debate të ashpra midis palëve
Albeu.com
Kongresi i PS-së pritet të përballet me dy platforma të ndryshme, njëra për ripërtëritjen e të gjitha strukturave të PS-së dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, dhe tjetra për shtyrjen e platformës së Edi Ramës.Do të mblidhet sot kongresi i Partisë Socialiste ku delegatët socialistë do të gjenden përballë dy platformave, duke bërë më serioze përplasjet ndërmjet palëve. Kongresi i PS-së pritet të përballet me dy platforma të ndryshme, njëra për ripërtëritjen e të gjitha strukturave të PS-së dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, dhe tjetra për shtyrjen e platformës së Edi Ramës. Platforma e dytë është shpallur dy dite me pare nga mbështetësit socialistë të Edi Ramës, të cilët shpallin një platformë të ndryshme ndaj kundërshtarëve të tjerë brenda PS-së, e cila synon dorëzimin e mandatit të deputetit dhe me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas deputetit socialist Erjon Braçe, platforma që ai paraqet gëzon mbështetjen e 21 deputetëve dhe përkrah opsionin e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është thirrja që ky grup mbështetësish pro Ramës, që kërkon që të jetë kongresi që të vendosë për dorëzimin e mandatit të deputetëve të PS-së, me qëllim mosvotimin e presidentit të ri, duke shkaktuar më pas zgjedhje të parakohshme.

Braçe ka deklaruar se “Një grup deputetësh kanë një rezolutë, ku kërkohet t’i jept fund mandateve të deputetëve. Vendimet që do të dalin nga të gjitha strukturat drejtuese të PSSH, duke përfshirë kryesinë, asamblenë dhe natyrisht edhe grupin parlamentar të kësaj partie si një i tërë, do të thotë se ne jemi gati t’i japim fund mandateve tona të deputetëve në momentin që Parlamenti hyn në zgjedhjen e Presidentit të Republikës”.

Pro idesë së tij është deklaruar vetëm deputeti i PS-së, Andis Harasani, që ka pranuar idenë e shkuarjes së zgjedhjeve të parakohshme, me qëllim ardhjen në pushtet të së majtës.


Platforma e Braçes
1. Ripërtëritjen e strukturave, sipas vendimeve të fundit të asamblesë kombëtare të PS-së dhe të kryesisë së PS-së.
2. Zhvillimin e kongresit të radhës në muajin maj.
3. Zgjedhjen e kryetarit, sipas parimit “një anëtar, një votë”.
4. Kongresi të shprehet në një rezolutë për zgjedhje të parakohshme.
5. Deputetët të dorëzojnë mandatin, duke mos marrë pjesë në seancën e votimit për presidentin e ardhshëm.


Platforma e Majkos
1. Kryerjen e një analize në strukturat e partisë për zgjedhjet vendore, prill-qershor 2007.
2. Debat në strukturat e PSSH për reformimin e statutit dhe të programit të PSSH-së, prill-qershor 2007.
3. Realizimin e dokumentit për ndërtimin e forcimin e koalicionit të majtë, deri në 15 maj 2007.
4. Thirrja e kongresit të PSSH-së për miratimin e ndryshimeve në statut, shtator 2007.
5. Zhvillimin e zgjedhjeve të strukturave të reja në parti, 1 nëntor-15 dhjetor 2007.
Platforma e Braçes është kundërshtuar nga Nënkryetari i grupit të PS-së Petro Koçi. Ai e cilëson si jo normale dhe alogjike propozimin e hedhur nga ana e anëtarit të kryesisë socialiste, Erjon Braçe.


Etapat e përplasjeve
• 14 mars - Asambleja e PS shpall e miraton platformën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për zgjedhje në të gjitha nivelet drejtuese.
• 29 mars - Petro Koçi i drejtohet komisionit të Garancive Statutore, për të rrëzuar vendimet me nr.50 dhe 51 të asamblesë së PS-së për mbajtjen e kongresit.
• 31 mars - Sekretari Organizativ, Fino, i drejtohet KQGS-së për të mos miratuar ankimimin e Koçit, pasi gjithçka është sipas statutit.
• 4 prill - KQGS rrëzon ankesën e Koçit, kreu i KQGS, Mark Nikolli jep dorëheqjen.
• 6 prill - 17 deputetë, me në krye Majkon, paraqesin një platformë për shtyrjen e kongresit të 9 prillit, kryesia e PS e hedh poshtë.
• 7 prill - Anëtari i kryesisë, Braçe, kërkon që deputetët të dorëzojnë mandatin dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë një tjetër zhvillim që pritet të ngjall debate është edhe letra që malaj dhe Koçi I kanë dërguar liderit socialist Edi Rama. Ata kanë kërkuar që Rama të vendosë që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, “ku të verifikohen me rigorozitet mandatet e delegatëve dhe pastaj të votohet në mënyrë të fshehtë përmbajtja e rezolutës”. Deputetët socialistë Malaj dhe Koçi, kërkojnë respektimin rigoroz të dokumenteve bazë të funksionimit të PSSH-së, programit dhe statutit të kësaj partie, të sanksionuar në librin e rregullave të PSSH-së. Në këtë letër kërkohet qartësimi i procedurës së zhvillimit dhe drejtimit të kongresit, përfshirja në rendin e ditës së punimeve të kongresit të rezolutës për reformimin dhe modernizimin e PSSH-së dhe zbatimi i detyrueshëm i votimit të fshehtë për dokumentet politike, alternative që do t’i paraqiten për vendimmarrje kongresit. Po kështu, një tjetër kërkesë e deputetëve të PS-së është përcaktimi i përbërjes së numrit të të ftuarve nga radhët e deputetëve, kryetarëve të këshillave të qarqeve, bashkive dhe komunave, përfaqësuesve të tjerë të PSSH-së dhe të ftuarve të tjerë jo anëtarë të kësaj partie.

Kreu i PS-së Rama ka qenë i prerë në përgjigjen e tij ndaj letrës së dy socialistëve, Koçi dhe Malaj. Ai është shprehur se vendimin nëse dy dokumentet e dala së fundmi do të diskutohen me apo pa praninë e delegatëve, do ta marrë vetë kongresi. Me këtë përgjigje, kreu i socialistëve ka forcuar deklaratën e bërë gjatë mbledhjes së fundit të kryesisë, ku u shpreh se “unë nuk kam marrë asnjë vendim vetë”. Në letrën e dërguar Ramës, dy socialistët kërkonin gjithashtu që punimet e kongresit të strukturohen në dy seanca: diskutimi rreth çështjeve organizative dhe votimi në mënyrë të fshehtë të rezolutës për reformimin dhe modernizimin e PSSH-së. Megjithatë mesa duket, gjithçka do të jetë në dorën e të gjithë delegatëve të PS-së që do të jenë pjesë e mbledhjes së kongresit të kundërshtuar nga gati 20 deputetë. start
Shtuar më 09/04/2007, ora 11:37
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori