Sot kërkon mëshirë nga drejtësia, krimet e frikshme të të "fortit të Vlorës"
Pëlqej
I cilësuar si “i forti i Vlorës”, Fotaq Zaharia është dënuar me 24 vite heqje lirie nga Apeli i Krimeve të Rënda për akuzat e “grabitjes”, “pengmarrjes” dhe “tentativës së vrasjes”.

Sot, pasi ka kryer 11 vite të dënimit, Fotaq Zaharia kërkon liri pasi gjendja e tij shëndetësore është rënduar. Rasti i Fotaq Zaharisë nuk është i panjohur për sistemin e drejtësisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.

“Në vitin 2015, Gjykata e Krujës ka urdhëruar autoritetet që të kryejnë një ndërhyrje të dytë kirurgjikale. Në vitin 2016, Gjykata e Strasburgut konstatoi që ky vendim nuk ekzekutohej dhe dha një masë të përkohshme, duke u kërkuar autoriteteve shqiptare që të zbatojë vendimin e Krujës”, tha Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e Komunitetit Shqiptar të Helsinkit.

Por, përsëri ky vendim nuk gjeti zbatim, pasi mjekësia shqiptare e ka të pamundur të mbulojë ndërhyrjen kirurgjikale, që i nevojitet Fotaq Zaharisë, raporton Top Channel.

“Tashmë çështja është në Gjykatën e Strasburgut për sa i përket dëmit që duhet t’i akordohet këtij shtetasi. Por, ndërkohë, ne menduam t’i drejtohemi Gjykatës së Krujës, duke kërkuar lirimin e këtij shtetasi për shkak të sëmundjes”, tha më tej Erida Skëndaj.

65-vjeçari, pas 11 vitesh në qeli vazhdon të kërkojë drejtësi.

“Nga drejtësia shqiptare kërkoj drejtësi në të gjitha drejtimet”, shprehet i dënuari Fotaq Zaharia.

Për të gjitha rastet e trajtimit çnjerëzor dhe degradues të gjendjes shëndëtësore, Gjykata e Strasburgut kërkon lirimin e të bugosurve.

Gjykata e Strasburgut ka thënë në mënyrë eksplicite, që përjashtimisht kur kushtet shëndetësore nuk janë në përputhje me kushtet në të cilat ata mbahen në sistemin e burgjeve, atëherë shtetasi duhet të lirohet”, tha në fund drejtorja ekzekutive e Komunitetit Shqiptar të Helsinkit.

Ngjarja sipas dosjes së prokurorisë
"Më datë 17 qershor 2001, i pandehuri Fotaq Zaharia, së bashku me të dënuarit Ermir Habili dhe shtetasit Armando Bega e Haxhi Hoxha janë arratisur nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Vlorë, ku ndodheshim me masë sigurimi "arrest në burg" të dyshuar se kishin kryer disa vepra penale, si "vjedhje" dhe "rrëmbim personash me qëllim përfitimi".

Më pas, i pandehuri Zaharia bashkë me të dënuarin Habili janë ndarë nga dy shokët e tjerë dhe janë strehuar në fshatin Bishan të rrethit Vlorë, tek një ish-shok qelie që për 25 ditë kishte qëndruar bashkë me Zaharinë në dhomat e paraburgimit.

Pas qëndrimit disa ditor në pronat e shokut të qelisë, ky i fundit me kërkesë të të pandehurit Zaharia i ka treguar shtëpinë e të dëmtuarit S.J. në fshatin Poro si të përshtatshme për ta grabitur.

Të nesërmen, dy të arratisurit pasi janë njohur me zonën dhe vendin ku ndodhej banesa e të dëmtuarve janë larguar për tu kthyer aty më 19 nëntor 2001 rreth mesnatës.

Dy të arratisurit nga burgu Zaharia e Habili të maskuar dhe me armë ndër duar futen me dhunë në banesën e të dëmtuarit S.J. duke shfrytëzuar shkallët e jashtme të katit të dytë.

Nën kërcënimin e armëve, dy grabitësit kanë kontrolluar të gjithë banesën për lekë, por, pasi nuk kanë gjetur sasinë e pretenduar kanë marr peng bashkëshorten e kryefamiljarit, shtetasen M.J. Rrëmbyesit, të cilët kishin shkuar tek banesa me një motor të drejtuar nga Zaharia, në ikje ata marrin makinën e të dëmtuarve që ndodhej në oborrin e banesës së tyre të tipit "Foristradë" me targa "VL 1133 B" që do drejtohet nga Habili, ndërsa, vetë Zaharia e ndjek makinën nga pas me motorin e tij.

Në ikje e sipër, Zaharia ka marrë në telefon kryefamiljarin S.J. duke i kërkuar në këmbim të lirimit të bashkëshortes së tij pesë milionë lekë të reja.

Pas kësaj telefonate, kryefamiljari lajmëron forcat e rendit, të cilët në hyrje të qytetit të Vlorës ndalojnë dhe arrestojnë pengmarrësin Habili duke liruar kështu pengun e tyre. Ndërsa, Zaharia mundi të ikë pa u zbuluar se kush ishte dhe pa u arrestuar prej tetë viteve"- thuhet në kërkesën për gjykim.

Në atë kohë, për këtë grabitje dhe rrëmbim u dënua vetëm shtetasi Ermir Habili me 25 vjet burg, për krimin e kryer në bashkëpunim, me personin e identifikuar vetëm pak muaj më parë, Fotaq Zaharia.

Identifikimi i tij është kryer nga familjarët e rrëmbyer vetëm pas dënimit të Zaharisë me 23 vite burg për veprat e kryera në vitin 2005, ku qëlloi me granatë ish-shefin e krimeve të Vlorës dhe kreu dy grabitje me dhunë.
Shtuar më 16/07/2018, ora 16:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori