Dalin pamjet e megaoperacionit, dhjetëra makina policie drejt Elbasanit, nga tufat me 50-mijëshe te kavanozët me kokainë: Çfarë u sekuestrua

Policia e Elbasanit ka publikuar pamjet nga megaoperacioni në Elbasan, i cili nisi që mbrëmë dhe u konkludua me arrestimin e 45 personave.

Në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeti” u godit plotësisht një grup kriminal ndërsa 3 grupe të tjera pjesërisht. Operacioni u shtri në qytetin e Elbasanit,  Pogradecit, Prrenjasit, Cërrikut, Belshit dhe Librazhdit.

Mësohet se mes 45 të arrestuarve ka edhe biznesmenë, furnizues si dhe drejtues të grupeve kriminale. Në kërkim janë shpallur 7 të tjerë.

“Janë goditur një sërë shpërndarësish dhe drejtues të grupeve kriminale, po ashtu edhe furnizues. Midis të arrestuarve, ka biznesmenë dhe persona me arsim të lart”, u shpreh drejtori i policisë ne Elbasan, kryekomisar Ilir Proda, në një konfernecë për shtyp, krah prokurorit Kreshnik Ajazi, mbajtur paraditen e sotme.

Tre muaj hetime 

Për një periudhë gati tremujore, strukturat hetimore, në drejtimin e drejtuesit te Prokurorisë së Elbasanit, njëkohësisht prokuror i kësaj çështjeje, kanë analizuar me detaje të gjitha informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, jo vetëm për periudhën aktuale, por për një shtrirje kohore prej disa vitesh.

Ndjekja e këtij procedimi penal u bë me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, duke administruar në vazhdimësi çdo indicie dhe provë të re që sigurohej nga hetimi, inidicie të cilat ishin objekt analizimi dhe përcaktimi detyrash për ndjekje, në takimet periodike me drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit.

Si rezultat i përkushtimit, përqendrimi maksimal në procesin e hetimit, bashkëpunimit dhe zbatimit të përpiktë të detyrave, u bë i mundur dokumentimi i përfshirjes në këto veprimtari kriminale të 52 shtetasve, të cilët dyshohet se kanë konsumuar veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në mënyrë individuale dhe në bashkëpunim me njëri tjetrin, të ndarë në disa grupe kriminale.

Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, pas krijimit të dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova, ka nxjerrë 52 urdhra ndalimi, të cilat janë ekzekutuar mëngjesin e sotëm, nga strukturat policore të DVP Elbasan, me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Arrestimet 

Gjatë megaoperacionit të sotëm, i cili u shtri në Elbasan, Cërrrik, Peqin, Belsh, Librazhd, Përrenjas dhe Pogradec, u angazhuan 490 punonjës policie dhe 5 dronë, si dhe u kontrolluan 52 banesa dhe 18 lokale. Si rezultat i kësaj pune policore, janë ekzekutuar urdhrat e prokurorit, janë ndaluar 45 shtetas dhe 7 te tjerë janë shpallur në kërkim, konkretisht janë ndaluar shtetasit J. H., D. N., H. S., A. V., E. D., L. N., E. S., G. P., G. Sh., F. D., G. B., R. K., F. S., A. K., D. D., F. P., S. S., E. P., R. I., Sh. M., E. H., A. G., A. B., E. H., I. K., S. I., K. I., I. M., H. Gj., Xh. Gj., E. H., L. T., A. Gj., E. L., Xh. Ll., A. Ll., O. Ç., S. Ç., Xh. B., T. N., A. S., R. B., R. K., F. D. dhe M. H., si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit E. T., H. H., E. S., S. K., A. B., M. B. dhe M. K.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi, Gjykata e Elbasanit, në bazë të kërkesës së prokurorit, ka nxjerrë vendim për lejimin e kontrollit të ambienteve të banimit dhe bizneseve të ndryshme, të 28 subjekteve.

Çfarë u sekuestrua 

Gjatë kontrolleve në këto ambiente, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni, fara kanabisi, një armë zjarri model 56, sasi municoni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, silenciatorë, armë të ftohta, një shumë të madhe parash prej 51 milionë lekësh, 15 mijë euro, si dhe një shumë frangash zviceriane.

Nisur nga provat materiale të sekuestruara, janë arrestuar në flagrancë edhe 5 shtetas të tjerë, pjesëtarë të këtyre grupeve kriminale, konkretisht shtetasit: R. N., E. T., M. P., G. Gj. dhe F. B.

Të proceduar 

Njëkohësisht, janë proceduar në gjendje të lirë 29 shtetas, për të cilët vijon puna hetimore, me qëllim dokumentimin e veprimtarive kriminale të kryera prej tyre.

Si vepronin grupet 

Këta shtetas, prej disa vitesh, ushtronin veprimtaritë kriminale në fushat e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, armëmbajtjes pa leje dhe pastrimit të produkeve të veprës penale. Ata vepronin të ndarë në disa grupe kriminale dhe kishin ndarë gjithashtu edhe zonat e influencës ku e ushtronin veprimtarinë e tyre kriminale.

Gjatë analizës kriminale të shtetasve për të cilët sot u ekzekutuan urdhrat e ndalimit, si dhe të personave të shpallur në kërkim, rezulton se:

11 prej tyre kanë qenë të dënuar dhe më parë për krime të kryera në fushën e narko-trafiqeve, ndërsa 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale.

25 prej tyre kanë qënë të skeduar në vite, nga strukturat e hetimit të krimeve, për përfshirje në veprimtari kriminale, ndërsa 27 janë skeduar vetëm gjatë këtij viti.

Vlen të theksohet fakti që 10 shtetas janë pjesë e grupeve kriminale, për shkak të mënyrës së bashkëpunimit dhe sjelljes se tyre gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat, është goditur plotësisht një grup kriminal dhe janë goditur pjesërisht 3 grupe të tjera kriminale.

Hetimi i thelluar është në vijim, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre grupeve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./Albeu.com./ 


Shtuar 29.06.2023 11:42