Sonte finalja e madhe, nxehet atmosfera ne Madrid
Albeu.com
Madridi është pushtuar nga tifozët dhe ankthi, në pritje të finales së madhe të Champions League mes Bajernit dhe Interit, sot në mbrëmje. Rrugët e kryeqytetit spanjoll janë duke përjetuar një atmosferë të jashtëzakonshme, me mijëra tifozë italianë ...... dhe gjermanë, që sot kërkojnë të fitojnë trofeun më të rëndësishëm europian për klube. Pas një të premteje të zhurmshme, panorama e tifozerive është plotësuar të shtunën, ku nga Milano dhe Mynihu kanë shkuar edhe avionët e fundit me tifozët e dy skuadrave. “Fitojmë 2-0, shënojnë Milito dhe Eto”, thotë një tifoz i Interit. “Fitojmë ne, 3-0 për Gjermaninë”, shton një fans i Bajernit. Pavarësisht rivalitetit, tifozët e dy skuadrave janë bashkuar në rrugët e Madridit, duke kënduar e festuar së bashku. Të paktën tani, disa orë përpara fillimit të ndeshjes, nuk ka asnjë fytyrë të dëshpëruar, nuk ekziston askush që të mallkojë fatin apo që të lotohet për humbjen e trofeut më të rëndësishëm për klube. Numri i tifozëve në kryeqytetin spanjoll është më i madh sesa i atyre që do të hyjnë në stadium, teksa drejtuesit e stadiumit Bernabeu kanë njoftuar se 2 mijë bileta kanë mbetur pa shitur dhe ato kanë përfunduar në treg të zi, me çmime nga 1 mijë deri në 1500 euro. Këto bileta u ishin besuar fillimisht agjencive, por çmimet e kripura të vendosura prej tyre bashkë me paketat udhëtuese, kanë bërë që ato të mos shiten. Ndërkaq, deri më tani nuk është regjistuar asnjë problem me rendin publik, megjithëse gatishmëria e 4 mijë forcave të policisë e bën të vështirë këtë. Për të ruajtur rendin dhe qetësinë, policia e Spanjës, Italisë dhe Gjermanisë, kanë bashkëpunuar mes tyre, por problemet si zakonisht mund të shfaqen pas fishkëllimës finale të takimit.
Shtuar më 22/05/2010, ora 19:23
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori