Sonila Meço: Boll më, le të flasim tani për betonizimin kriminal!
Sonila Meço nëpërmjet një shkrimi ka vendosur që të hedhë vëmendjen te përgjegjësit e ndërtimit kriminal sipas saj në Shqiëpri.

Përmes një statusi në ‘Facebook’, ajo shprehet se ka bërë një vrojtim publik, dhe sipas saj tani është koha të flitet për betonizimin kriminal.

‘Tërmeti nuk përzgjedh në varësi të statusit. Jemi secili i pafuqishëm, por të gjithë bashkë të mundur t’ja dalim’, e mbyll fjalën e saj gazetarja.

Statusi i plotë

Me gjithë respektin e ndjeshmërinë e skajshme për situatën, teksa na dridhen duar e buzë si njerëz e mandej si gazetarë, nuk e shmang dot një vrojtim mbi një përpjekje që po shtohet me kalimin e orëve.

Gazetarë të mediave prestigjoze ndërkombëtare po kontaktojnë në shumicë kolegë dhe specialistë në Shqipëri lidhur me spekullimet dhe krimin me ndërtimet në Durrës e Tiranë. Pas pyetjes së parë mbi gjendjen e të mbijetuarve, kjo është kërkesa e tyre urgjente. Tashmë po zhvendosen në kryeqytetin shqiptar e në zonat e prekura nga tragjedia, kanë nisur hetimet e tyre dhe kanë mjaftueshëm informacion mbi abuzimin e jashtëzakonshëm me ndërtimin në Shqipëri.

E bëj këtë vrojtim publik, sepse ndihet presion shumë i madh mbi median shqiptare, nga ajo tradicionale e tek portalet për të shmangur çdo lloj analize e komenti profesional mbi këtë temë. Me një gjuhë të egër e terma ndëshkues kërkohet të vendoset prioritet vetëm ndihma e solidariteti, gjë të cilën çdo shqiptar, çdo njeri me zemër e mend, çdo media e ka patur atù absolute.

Por me vijimin e shkundjeve sizmike, me paqartësinë krijuar nga mospasja e një zëri të unifikuar komitetesh me emrat më të zgjedhur të specialistëve më të mirë, me kalimin në vetën e parë të çdo komunikimi zyrtar, duhet të kuptojmë dhe zbatojmë praktikat e një bote shumë më të pregatitur se ne. Duhet folur sot për këtë, paralelisht me ndihmën e menaxhimin e panikut. Sot po flasin mediat ndërkombëtare, ato ku deontologjia profesionale nuk i lejon asnjë zyrtari të lartë t’i urdhërojë, t’i vendosë prioritetet. Sepse nëse sot ka media në Shqipëri, që abuzojnë, me lajme të rreme sharlatanësh që prodhojnë panik, do ndëshkoheshin nga zëri i unifikuar e i përgjegjshëm i komiteteve të specialistëve të organizuara ad hoc në komunikim të koordinuar zyrtar me publikun.

Publiku do të dëgjojë zërin e tyre, në një komunikim të konsultuar, periodik, të organizuar pranë autoriteteve zyrtare, nëpërmjet njoftimeve të rregullta, pa kërcënime, por me shpjegimet e domosdoshme, masat e ndërmarra, hetimet e nisura, strategjinë parandaluese për dëme të mëtejshme, atë për përballimin e ekzistueseve, trajtimin psikologjik të të dëmtuarve direkt dhe publikut që ndjek me ankth zhvillimet.

Kjo është e domosdoshme në kohën kur zëri zyrtar ka vetëm një timbër, të folurën në vetën e parë dhe protagonizëm absolut. Tjetër po shohim nga kolegët e prestigjozeve ndërkombëtare të zbarkuar në Shqipëri me seriozitetin e situatave të provuara.

Ndaj sot më shumë se kurrë na duhet komunikimi i profesionistëve të thirrur “nën armë” nga autoritetet për të përballuar një traumë si kjo. Askush nuk mund të marrë tagrin e komunikimit zyrtar në vetën e parë për gjithçka. Nuk ka nevojë për monologë të tejzgjatur, që kanë monopolizuar komunikimin publik. Kini mëshirë e merrni praktikat botërore edhe në komunikimin publik, se nuk është koha. Tërmeti nuk përzgjedh në varësi të statusit.

Jemi secili i pafuqishëm, por të gjithë bashkë të mundur t’ja dalim.

Shtuar më 28/11/2019, ora 14:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori