Sondazhi me qytetarët: Përmirësohet transporti urban në Tiranë
Qytetarët e Tiranës shohin përmirësim të shërbimit të transportit publik, sidomos me zbatimin e projektit të bashkisë për biletën elektronike, shtimin e korsive të dedikuara për autobusët, shtimin e numrit të tyre në qarkullim apo mbulimin (zgjatimin e linjave) me transport urban edhe të zonave ku më parë nuk ofrohej shërbim.

Po ashtu, Bashkia e Tiranës do të jetë bashkia e parë në Shqipëri, e cila do të vërë në zbatim biletat elektronike.

Gjatë prezantimit të përfundimeve të sondazhit për transportin publik në Tiranë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dha një lajmi të mirë për të gjithë qytetarët, të cilët sikurse në qytetet e tjera europiane, nuk do të kenë më kontakt fizik me fatorinon, por do ta paguajnë në mënyrë elektronike atë, duke rritur jo vetëm transparencën, por edhe kursyer kohë. “Projekti i biletës elektronike ka qenë një proces shumë i gjatë. Për 25 vite ishte monopol i qeverisë qendrore, por gjithmonë kemi besuar te decentralizimi.

Nuk mund të jetë qeveria qendrore që printon bileta për të gjitha bashkitë. Ndaj më vjen mirë që ky monopol shuhet sot. Me vendimin e Këshillit të Ministrave, më në fund Tirana do të jetë qyteti i parë në Shqipëri që do të kalojë në një sistem elektronik.

Ashtu siç folëm dje për risinë e re të parkimit me sms, ashtu edhe me autobusët do të kalojmë në një situatë ku nuk do të ketë më kontakt me fatorino dhe s’do të ketë më shkëmbim për bileta fizike që janë gjithmonë një hapësirë për abuzim”, theksoi Veliaj.

Ndërkaq, ai bëri të ditur se në qarkullim janë shtuar edhe 90 autobusë të rinj, duke e çuar në 290 mjete në shërbim ditor, nga 200 që ishin aktualisht në të gjitha linjat që mbulojnë territorin e Tiranës. “Unë e di që ka cinikë e njerëz që do vazhdojnë të merren gjithmonë me problemet e autobusëve, por është shumë e rëndësishme të kuptojmë çfarë është gabim që të punojmë për ta korrigjuar. Ama, histeria nuk është zgjidhje, reagimi konkret është zgjidhje. Reagimi ynë konkret është që nga 200 autobusë kemi shkuar në 290 të tillë. Mjafton të rrini në një kryqëzim kryesor të Tiranës e të shihni sa autobusë kalojnë në 2-3 minuta për të kuptuar se flota është rritur me 45%. Gjithashtu, kemi shtuar edhe numrin e autobusëve fizarmonikë në qarkullim, disa linja po shkojnë drejt 50%-50%, si linjat Kinostudio-Kombinat, Tirana e Re dhe Unaza”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Një tjetër ndërhyrje që pritet të sjellë përmirësim cilësor të shërbimit të transportit publik është edhe rinovimi flotave ekzistuese. “Kemi nisur një proces të rinovimit të autobusëve ekzistues për rritjen e standardit, po i çojmë të gjithë autobusët drejt Euro 6 dhe do të inkurajojmë me incentiva të tjera përdorimin e autobusëve hibridë, ndërkohë tashmë kanë mbërritur kërkesat e para nga disa kompani ndërkombëtare për autobusët elektrikë. Nuk besoj se do jetë shumë e largët dita kur do të na duhet ta përshtasim qytetin me infrastrukturë për karikimin e autobusëve elektrikë në Tiranë”, shtoi Veliaj. Ai theksoi se për të rritur sigurinë në udhëtim deri në fund të vitit të gjithë autobusët do të vendosin rrjetin e mbyllur të kamerave CCTV.

Veliaj deklaroi se do të marrë zgjidhje edhe shqetësimi për vonesat e autobusëve, ku përmes sistemit GPS, operatorët jo vetëm do të kontrollohen nga Bashkia, por njëkohësisht edhe qytetarët do të dinë në kohë reale vendndodhjen e saktë të autobusit. “Sistemi GPS ka filluar të na tregojë në mënyrë ekzakte se me çfarë shpejtësie e ku ndodhet saktësisht autobusi në fjalë. Brenda këtij muaji, të gjitha linjat do të kompletohen me GPS dhe besoj se ky informacion nuk duhet të jetë monopol i Bashkisë. Atë duhet ta ketë çdo qytetar i Tiranës dhe shumë shpejt do të bëjmë një integrim me aplikacionin “Tirana Ime”, si dhe me tabelë elektronike në çdo stacion autobusi, qoftë ai që pret, ose ai që përgatitet të dalë nga shtëpia, të dijë ekzaktësisht ku është autobusi dhe sa vonon, duke parë GPS”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku ka vlerësuar faktin se sipas të dhënave të sondazhit të këtij viti, vlerësimi i qytetarëve për shërbimin e transportit publik në Tiranë ka ardhur duke u përmirësuar ndjeshëm në raport me atë që u konstatua gjatë sondazhit të vjetshëm. “Ajo që më pëlqen është se krahasuar me sondazhin që bëmë një vit më parë, sot jemi diku në mes. Ka një pjesë të njerëzve që mendojnë se duhet të bëjmë më mirë dhe gjysma tjetër jo, gjërat janë tashmë të përmirësuara. Kur e krahasojmë me një vit më parë, ku të gjitha statistikat ishin 90% keq, 90% pis, 90% me vonesë, 90% mungon frekuenca, 90% shërbimi gabim, fakti që kemi bërë këtë progres është inkurajues dhe besoj se gjërat përmirësohen duke adresuar secilin prej shqetësimeve një nga një, se sa duke thënë këtu çdo gjë është keq e nuk funksionon”, shtoi kryetari i bashkisë.

Gjithashtu, ai vlerësoi se një tjetër masë që ka dhënë rezultate pozitive në këtë sondazh është edhe shtimi i numrit të stacioneve. “Më vjen mirë që në pjesën masive na ka dhënë një rezultat pozitiv shpeshtësia e stacioneve, që për disa janë shumë më afër, por sidomos për njerëz të moshuar, gra me fëmijë, shpeshtësia e stacioneve duket që është shpërblyer nga opinion qytetar, sepse 89% e tyre mendojnë që largësia mes stacioneve nuk është problem me rrjetin e ri të ndalesave që kemi ofruar, ndërkohë që 11%, një pjesë e vogël, mendojnë se duhet të jenë edhe më të shpeshta”, tha kryebashkiaku.

Ai bëri të ditur se këtë vit, për herë të parë, është përmbysur raporti midis atyre që përdorin transportin publik dhe atyre që përdorin mjetet private. “Në këtë sondazh kuptuam se numri i njerëzve që përdorin transportin publik është bërë për herë të parë pas viteve 90’, më i madh se numri i njerëzve që përdorin makinat. Besoj se ky është një moment kthese, ku deri përpara një viti masivisht ishte makina që transportonte më shumë njerëz”, tha Veliaj.

Ky raport, theksoi Veliaj, duhet të jetë edhe orientues për investimet që duhet të bëjë bashkia në korsitë e dedikuara. “Nëse 200 mijë vetë po përdorin transportin publik dhe 170 mijë makinat, atëherë edhe investimet duhet të jenë në këto raporte. Pra, nëse makina private deri sot ka pasur 99% të rrugës dhe për këmbësorët kishte vetëm një rrip të vogël trotuar, atëherë është mëse e arsyeshme që pavarësisht mundësive teknike që kemi, rruga të ndahet në bazë të aksionerëve. Aksionerë janë njerëzit, e teksa njerëzit përdorin gjysma transport publik, e gjysma transport privat, atëherë është normale që edhe investimi në rrugë të jetë po aq hapësirë për transportin publik, sa edhe për transportin privat”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se linjat e reja të autobusëve dhe zgjatja e atyre ekzistuese ka ulur kostot e udhëtimit për qytetarët, pasi tashmë shumë prej tyre do të përdorin vetëm një linjë. Veliaj deklaroi se për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve është bërë edhe njohja e aboneve për linjat e reja duke ndihmuar në këtë mënyrë qytetarët. “Nga qendra deri në Institut, një qytetar vërtetë e kishte biletën 40 lek, por për të shkuar në këto dy destinacione ndërronte dy linja, do të thotë se në fakt udhëtimi kushtonte 80 lek. Sot kemi bashkuar këto dy linja gjysmake, në një linjë të vetme. Do të thotë se bileta vlen nga ish-Kombinati i Autotraktorëve deri në Institutin Bujqësor, pra kryq e tërthor Tiranës, vetëm më një biletë të vetme, praktikisht është ulur bileta për ata që bënin këtë itinerar me 50%. Linjat tani njohin abonenë dhe në total janë 30 autobusë që bëjnë linjën nga ish kombinati i Traktorëve - Insitut”, tha ai, duke shtuar se ndryshime pozitive ka pësuar edhe linja e Kasharit.

Të dhënat e sondazhit tregojnë se në një kohë të shkurtër, projekti i Bashkisë së Tiranës për të vendosur biletën elektronike gjen një mbështetje të gjerë te qytetarët. Nga sondazhi i realizuar mbi cilësinë e transportin publik në kryeqytet, rezulton se 78% e qytetarëve të anketuar kërkojnë që në autobusë të përdorin biletën elektronike. Gjithashtu, qytetarët kanë vlerësuar nismën për ndërtimin e korsive të dedikuara për autobusët, të cilat jo vetëm do të rrisin qarkullimin e tyre, por në të njëjtën kohë edhe sigurinë e udhëtarëve. Rreth 76% e qytetarëve të anketuar vlerësojnë korsitë e dedikuara për autobusët. Sipas këtij sondazhi, 54% e qytetarëve janë të kënaqur më shërbimin e ofruar në linjat e transportit publik, ndërkohë që 46% e qytetarëve të anketuar shohin si element përmirësimi kontrollin e shërbimit nga Bashkia e Tiranës.

Ajo që konstatohet nga sondazhi rezulton se ndryshe nga dy vite më parë, ku shërbimi i transportit publik ishte në kushte skandaloze, gjendja është përmirësuar ndjeshëm, ç’ka vlerësohet edhe nga qytetarët tepër pozitivisht. Gjithashtu, 53% e qytetarëve mendojnë se autobusët janë cilësorë dhe 52% prej tyre mendojnë se autobusët janë të sigurt. Perceptimi i qytetarëve për transportin publik ka ndryshuar edhe sa i takon pastërtisë, si dhe distancës mes stacioneve. 51% e qytetarëve mendojnë se autobusët janë të pastër, ndërkohë 89% e qytetarëve të anketuar shprehen se largësia mes stacioneve nuk është problem.



Ja si janë përmirësuar linjat e autobusëve në Tiranë

Linja “Kashar”
• U kthye në linjë qytetëse
• Zgjatet deri në Qendër të Tiranës
• Udhëtarët tashmë mund të përdorin abone
• 21 autobusë me frekuencë 7 min

Linja “Unaza”
• Shtohen 14 autobusë të rinj model fizarmonikë

Linja “Ish Kombinati i Autotraktorëve – Institut/ Institut – Ish Kombinati i Autotraktorëve”
• Do të bashkohen 2 linja të ndara në 1 të vetme
• Bashkimi do të sigurojë lëvizje përtej qendrës
• 30 autobusë në operim

Linja “Teg – Sauk i Vjetër – Kopështi Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit”
• Mbulohej më parë nga Ish Komuna Farkë
• Tashmë ka akses deri tek Ish Stacioni i Trenit
• Krijon akses për Unazën/ Stacioni i Trenit
• Udhëtarët tashmë mund të përdorin abone
• 11 autobusë në operim

Linja “Marteniteti i Ri – Qendër – Ish Fusha e Aviacionit”, dhe “Qendër – Mihal Grameno –Qendër”
• Segmenti Maternitet I ri – Qendër- Ish Fusha e Aviacionit merr zgjatim deri në rrugën e Kavajës dhe në zonën e fushës së Aviacionit
• Risi: kthehet nga linjë unazore në linjë lineare
• Shtohen 6 autobusë të rinj (17 autobusë nga 11 aktualisht)

Linja “Porcelan”
• Shtrirje deri tek pjesa e pallateve në Linzë
• Udhëtarët tashmë mund të përdorin abone
• Shtohen 6 autobusë të rinj (16 autobusë nga 10 aktualisht)

Linja “Ish Stacioni i Trenit – Qendër – Sauk i Ri/ Sauk i Vjetër/ Sanatorium – Teg”
• Shtrirje më të gjerë deri në Farkë
• Zgjatim deri tek ish Stacioni i Trenit
• Udhëtarët tashmë mund të përdorin abone
• Shtohen 5 autobusë (17 autobusë nga 12 aktualisht )

Linja “Qyteti Studenti – Jordan Misja”
• Ndryshime në stacione
• Zgjatim i linjës nga Qyteti Studenti tek Jordan Misja
• 12 autobusë në operim

Linja “Uzina Dinamo e Re – Sharrë/ 5 Maji – Sharrë”
• Ndryshim në stacione

Linja “Tirana e Re”
• Zgjatim deri tek pjesa kryqëzimit të autostradës “Tiranë – Durrës” me Rrugën “Katriotët” (ish Casa Italia)
• Shtohen 9 autobusë firzamonikë

Linja “Kombinat-Kinostudio”
• Shtohen autobusët firzamonikë
• 47% e inventarit do të jenë autobusë firzamonikë

Linja Laprakë
• Funksionon në formë unazore
• Do të shtrihet deri në zonën e Ish Kombinatit Josif Pashko
• Do të kalojë në zonën pranë Institutit Bujqësor
• Udhëtarët tashmë mund të përdorin abone
• Shtohen 7 autobusë të rinj (13 autobusë nga 6 aktualë)

Linja “Selitë – Kristal – Qendër – Stacioni i Trenit – Allias”
• Linjë më itinerar të ri
• Do të përfshijë edhe zonën e Selitës dhe do të shkojë deri në Allias
• Krijon aksës për zonën e Unazës (Stacion I Trenit, ish Farmacia 10)
• Shumë shpejt do të njihen abonetë për udhëtarët
• 14 autobusë në operim

Linja “Qendër – QTU – Megatek – City Park”
• Mbulon rrugën dytësorë në krah të autostradës Tiranë-Durrës
• U shërbën qendrave tregtare dhe bizneseve të zonës dhe terminalit të ri perëndimor
• Udhëtarët mund të përdorin abone
• 10 autobusë në operim
Shtuar më 08/02/2017, ora 14:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori