Solana nga Qeveria e Kosovës pret më shumë punë dhe më pak fjalë
Albeu.com
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku u takua sot në Bruksel me shefin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Havier Solana.Duke përshëndetur fjalimin inaugurues të kryeministrit Çeku në Kuvendin e Kosovës, Havier Solana tha se pret më pak fjalë e më shumë punë nga Qeveria e Kosovës.
Kryeministri, ndërkaq tha se së shpejti do të bëjë veprime që do të ndikojnë në afrimin e pakicave dhe integrimin e tyre në Kosovë, duke shtuar se shumica shqiptare ka përgjegjësi për t'i integruar pakicat.


"Koha është për të punuar, qeveria e mëparshme kishte shume fjalë e pak punë, tash shpresoj se do të jetë ndryshe", u shpreh shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana pas takimit të parë zyrtar me kryeministrin e Kosovës Agim Çeku. Solana përshëndeti ditët e para të punës në kabinetit Çeku dhe posaçërisht përshëndeti fjalimin e tij në parlament dhe mënyrën si u prezantua fjalimi. Kryeministri Çeku pohoi se në Bruksel erdhi me agjendë evropiane për të dëshmuar se kosovarët nuk kanë agjendë tjetër. "Pas statusit vendi i Kosovës është në BE dhe në NATO dhe vizita ime konfirmon këtë gjë", tha kryeministri Agim Çeku.
Tek bashkëbiseduesit e tij në Bashkimin Evropian ai solli garanca se qeveria është e përkushtuar në përmbushjen e standardeve sidomos në ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e minoriteteve. "Kthimi i një familje serbe në fshat nuk duhet kuptuar si një e keqe, përkundrazi kjo është një fitore për ne. Ne jemi fitues andaj edhe fituesit duhet gjithnjë të dëshmohet si zemërgjerë", tha Agim Çeku. Havier Solana premtoi se në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë do të përpunojë planet për angazhimin evropian në Kosovën e pas statusit, dhe tha se nuk dyshon se bashkëpunimi me Çekun do jetë i mirë, pasi që, siç u shpreh Solana, Agim Çeku është mik të cilin e njeh për shumë vite. Kryeministri Çeku do takohet pasdite me komisarin e lartë për zgjerim Oli Rehn dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. rtk
Shtuar më 22/03/2006, ora 15:08
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori