Smith: Ka arsye të forta për t’u shqetësuar se zgjedhjet mund të mos i plotësojnë standardet nd&eu
Albeu.com
Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi sot projekt-rezolutën që i bën thirrje Shqipërisë të mbajë zgjedhje të lira dhe të drejta.Nënkomisioni amerikan i Dhomës së Përfaqësuesve për Çështje Evropiane e miratoi dje projekt-rezolutën.

Kreu i Komisionit për Marrëdhënie me jashtë, Henry Hyde paraqiti projekt-rezolutën, duke theksuar sesa e rëndësishme është që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira dhe të drejta.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve dhe një nga nismëtarët e rezolutës, Chris Smith, në një deklaratë që shpërndau gjatë seancës, shprehet se Shqipëria është ashmë në gjendje të mbajë zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ai shtoi se Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme në reformimin e procesit zgjedhor dhe mund të kapërcejë një pengesë të madhe jo vetëm përsa i përket realizimit të tranzicionit drejt demokracisë, por edhe përgatitjeve për integrim në institucionet euroatlantike.

“Megjithatë ka arsye të forta për t’u shqetësuar se zgjedhjet mund të mos i plotësojnë standardet ndërkombëtare. Masat pozitive që janë ndërmarrë mund të mos zbatohen. Nëse kjo ndodh, paralajmëron zoti Smith, do të ishte një dështim i jashtëzakonshëm për vendin”.

Ai shpreh shpresën se me anë të rezolutës së Kongresit, Shtetet e Bashkuara mund të inkurajojnë shqiptarët që të respektojnë ligjin, t’i përmbahen kodit të sjelljes dhe të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve. Zoti Smith shprehet se së bashku me anëtarin tjetër të kongresit, Elliot Engel e paraqiti rezolutën me shpresën që Kongresi amerikan të mund të ushtrojë në mënyrë konstruktive ndikimin e vet, duke u bërë thirrje autoriteteve, partive politike dhe faktorëve të tjerë, që të veprojnë drejt, në mënyrë që fituesit e vërtetë në zgjedhje të jenë njerëzit që do të shkojnë të votojnë.

Projekt-rezoluta kaloi në Komisionin e Marrëdhënieve ndërkombëtare, pasi u miratua dje nga Nënkomisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën. Kreu i këtij nënkomisioni, republikani Elton Gallegly, tha se zgjedhjet nuk janë të rëndësishme vetëm tani që Shqipëria punon për zhvillimin e sistemit të saj demokratik.

“Ato janë të rëndësishme sepse do të përcaktojnë rrugën e këtij vendi në muajt dhe vitet e ardhshme, në përpjekjet e tij për tu bërë një anëtar plotësisht demokratik i institucioneve euro-atlantike", tha kongresmeni Gallegly.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të forta dhe objektiva të përbashkëta për çështje të ndryshme si lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, përpjekjet kundër trafikut njerëzor në Ballkan, si edhe kundër trafikut të narkotikëve.

Ai shprehu mbështetjen për projektrezolutën, që siç tha ai, e nxit Shqipërinë të vazhdojë në rrugën drejt ngritjes së institucioneve të forta dhe të qëndrueshme.

“E mbështes me forcë miqësinë tonë me Shqipërinë dhe mbështes këtë projektrezolutë që e nxit Shqipërinë të vazhdojë në rrugën drejt ngritjes së institucioneve të forta dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Në projekt-rezolutën që u dorëzua më 17 maj në të dyja Dhomat e Kongresit amerikan, senatorë dhe ligjvënës shpreheshin se Shtetet e Bashkuara i shohin zgjedhjet e korrikut në Shqipëri si një faktor qendror për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se ato kanë rëndësi jetike për integrimin euroatlantik të vendit.

Në Senat, projekt-rezoluta u paraqit nga Senatori Sam Brownback i shumicës republikane dhe Senatorja Hillary Clinton e pakicës demokrate, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve, nga republikani Christopher Smith dhe demokrati Elliot Engel.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet tani ta kalojë rezolutën në seancën e saj ditën e hënë.

nga Keida Kostreci, VOA
Shtuar më 23/06/2005, ora 00:15
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori