Skopje 2014- Watrloo e Nikolla Gruevskit!
Albeu.com
Me 18 shkurt të vitit 1806, pak kohë pas fitores së Betejës së Austerlitzit, Napoleon Bonaparta urdhëroi projektimin e Qendrës së Parisit, në të cilën do të ndërtohej Harku i Triumfit për t’u mundësuar ushtarëve të vet të ktheheshin në mënyrë triumfale në shtëpitë e tyre.
Në vitin 1810 urdhëroi ndarjen e buxhetit të madh për të përgatitur Maketin e këtij Pojekti për Parisin 1814.
Përmes këtij projekti, regjimi autoritar i Napoleonit tentonte t’i hidhte vellon e triumfit ekspeditave aventureske të tija të kushtueshme në jetë njerëzish dhe dëme të mëdha materiale.
Autoritarizmi, si formë e dominimit të të tjerëve, edhe për Napoleon Bonapartën do të ketë përfundimin e njëjtë.
Kostoja e Projektit “Parisi 1814” irritoi popullin e lodhur nga varfëria dhe aventurat e Napoleonit.
Vdekja misterioze e dy arkitektëve që projektuan “Parisi 1814” (Chalgrin dhe Raymond vdiqën me 8 ditë diferencë njëri nga tjetri) në vitin 1811 shërbeu si pretekst për shtyrjen e realizimit të tij.
Por, siç thotë populli, oreksi shtohet duke ngrënë. Ekspeditat e Napoleonit vazhduan deri në 18 qershor 1815.
20 kilometra pa arritur në Bruksel, në Komunën Waterloo, aventurat e Napoleon Bonapartës morën fund. Ushtria e tij u shpartallua dhe ai përfundoi si rob lufte. Deri në fund të jetës së tij ai mbeti i ngujuar në ishullin Shën Helena.
Dyqind vjet më vonë, në vitin 2006, në Maqedoninë vogël, na u shfaq Nikolla Gruevski “i madh”. Ai u premtoi militantëve të vet partiak se do të triumfojnë kundër shqiptarëve “në 100 hapa!”
Në mandatin e parë të papërfunduar të diktaturës së Nikolla Gruevskit, ai poshtëroi skajshmërish partnerin e vet politik shqiptar dhe e hodhi si limon të shtrydhur në vitin 2008.
Nga kjo shtrydhje limoni popullit shqiptarë ju mbinë dhëmbët: ndalim i përdorimit të simboleve kombëtare, vazhdim i përndjekjeve policore, montimi i proceseve gjyqësore, plaçkitja e ekonomisë shqiptare, i plaçkitjes etnike të tatimeve shtetërore ku mbi gjysma e tyre janë vjelë nga djersa e popullit shqiptar , rrahje, maltretime, plagosje, vrasje dhe masakrim të njerëzve të pafajshëm shqiptar...
Në mandatin e dytë të diktaturës së Nikolla Gruevskit e njëjta gjë: poshtëron skajshmërish partnerin e vet politik shqiptar, vazhdim i ndalimit të përdorimit të simboleve kombëtare, i imponimit të mësimit të gjuhës maqedonase nxënësve shqiptar nga klasa e parë fillore (si hap i parë i ndalimit të mësimit në gjuhën shqipe), i përndjekjeve policore, i montimit të proceseve gjyqësore, i plaçkitjes së ekonomisë shqiptare, i plaçkitjes etnike të tatimeve ku mbi gjysma e tyre janë vjelë nga djersa popullit shqiptar, rrahje, maltretime, plagosje, vrasje të njerëzve të pafajshëm shqiptar...
Duke pretenduar të jetë pasardhës i Lekës së Madh, ky “gjeneral i vogël” tenton të imitojë autoritarizmin dhe politikën aventureske të Napoleon Bonapartës.
Në vitin 2010, në vend të maketit të dikurshëm të Napoleonit, Nikolla Gruevski shpalosi në formë virtuale Projektin “Skopje 2014”.
Reagimet e popullit shqiptar i dërguan sinjale të qarta këtij megalomani se i ka këmbët e shkurtra për të bërë 100 hapa të triumfit në politikën e tij antishqiptare!
Reagimet e popullit shqiptar i dërguan sinjale të qarta institucioneve demokratike në botë se rruga e Maqedonisë për Bruksel (NATO dhe BE) me logjikën e Nikolla Gruevskit do të përfundojë në Waterloo.
Shekulli 21 është shekull i demokracisë! Diktaturave dhe autoritarizmit do t’i vijë fundi edhe në Maqedoni! Gjeneratat e reja që kanë integruar vlerat euro-amerikane nga bloza e letrave të tualetit do të vizatojnë Tempullin e Turpit, ku portretet e “Shën” Nikolla Gruevskit dhe argatëve të tij shqiptarë do të marrin ngjyrën e vërtetë!
Shtuar më 21/02/2010, ora 20:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori