Skenari per zgjidhjen e krizes, PS te enjten ne Kuvend
Albeu.com
Jepen sinjalet e para që PS mund të futet në Kuvend. Është deputeti i Partisë Socialiste Andis Harasani, i cili ka deklaruar për një televizioon nga Tirana që në javën në vazhdim, konkretisht të enjten, është dita kur sipas një skenari PS do të futet në Parlament.
Gjithnjë sipas Harasanit, ky skenar nuk lidhet me futjen në Parlament të pesë deputetëve të PS-së, pjesëtarë të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në këtë parti. Sipas Harasanit, ai vetë, Ben Blushi, Marko Bello, Kastriot Islami dhe Arben Malaj do të futen në Parlament dhe ky është një vendim i marrë tashmë. Por Harasani shkon më tej kur sipas tij, ka zbuluar skenarin që PS ditën e enjte do jetë prezent në Kuvend, do të bëjë betimin pro, më pas do të dalë sërish.

Në fakt, zyrtarisht nga zyrat e Partisë Socialiste e kanë hedhur poshtë këtë variant, duke e përgënjestruar, porse nëse marrin me radhë të gjitha sinjalet pro edhe atë që pritet të ndodhë javën që vjen, duket se gjasat janë që karriget e Kuvendit ditën e enjte mund të jenë të mbushura si asnjëherë në këtë legjislaturë.

Si pikënisje e ritkhimit të PS-së në Parlament është deklarata mjaft e fortë e Joao Soares, presidentit të OSBE-së pas takimit me Ramën dhe Topallit. Pavarësisht se si PS dhe PD e lexuan ndryshe këtë deklaratë, Rama ra dakord dhe perifrazoi se pika e parë e deklaratës ishte që PS duhet të futet në Parlament.

Ndërkaq, dita e parë e javës është edhe dita kur në Tiranë zbarkojnë përfaqësues të Asmablesë së Këshillit të Evropës. Vetë presidenti i kësaj asambleje, por dhe disa përfaqësues të tjerë, pritet të jenë në Tiranë në takime dhe biseda me të gjithë liderët.
Java që vjen është edhe java që negociatat mes Ramës dhe Berishës do të rinisin sërish. Por këtë herë me një ngarkesë në kurriz të të dy palëve, ajo e një kritike të mundshme dhe të fortë që mund të marrin palët nga përfaqësuesit e Asamblesë së Këshillit të Evropës.

Kështu, varianti dhe versioni se PS do hyjë në Parlament, mbetet një pozicion që mund të marrë udhë edhe ditën, orën, minutën dhe sekondin e fundit.

Por që pas kësaj, nuk do të thotë se kriza është e zgjidhur. Burime thanë se në PS është hartuar edhe një projektligj për hapjen e kutive. Dhe pas futjes në Parlament, PS mund ta përdorë këtë projektligj si shantazhin e ri për t'u kthyer në Parlament. Me tezën "miratoni këtë ligj që ne të kthehemi në Kuvend", grupi parlamentar i PS me një gur vret dy zogj: Çon deri në fund një premtin ndaj ndërkombëtarëve për të mos djegur mandatet duke u futur në Kuvend, por nuk i largohet tezës që ka mbajtur të mbledhur bazën e PS-së për të hapur kutitë.

Gjithsesi, java që vjen është guri i provës dhe zgjidhja e mundshme e një krize që të dielën më 28 shkurt mbush nëntë muaj nga momenti që u zhvilluan zgjedhjet parlamentare.
Shtuar më 21/02/2010, ora 03:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori