Kandidati i PS pranon humbjen dhe uron kundërshtarin: Vota e sovranit nuk gjykohet

Kryetari në detyrë i Bashkisë së Mirditës, Ndrec Dedaj, i cili ditën e djeshme humbi garën përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka reaguar në rrjete sociale.

Dedaj i ka uruar fitoren kundërshtarit të tij, ndërsa thekson se respekton  votën e qytetarëve të tij, dhe se ajo nuk mund të gjykohet.

Postimi i plotë:

Të dashur bashkëqytetarë, sëbashku me ju po përmbyllim një rrugëtim 8 vjeçar në krye të punëve të Bashkisë Mirditë. Ju shpreh mirënjohje pa kufij që më dhatë mundësinë të përmbushja një ëndërr, që gjithë dashurinë që kam patur dhe kam për Mirditën dhe ju, ta përkthej nëpërmjet punës me gjithë fuqinë e mendjes dhe të zemrës, në të mira publike, sociale e shpirtërore, tashmë të prekshme dhe të pranuara nga të gjithë. Garova dhe për një rrugëtim tjetër 4 vjeçar pasi kisha projekte e punë të tjera për të kryer, por ju e besuat votën tuaj për kundërshtarin tim në këto zgjedhje Albert Melyshin.

I uroj Albertit suksese në detyrën e lartë të Kryetarit Bashkisë dhe bëftë më të mirën për Mirditën dhe ju të dashur qytetarët e mijë.

Sovrani nuk gjykohet.

I juaji Ndrec Dedaj.


Shtuar 15.05.2023 18:12