Bazuar mbi ngjarje të vërtetë / “Gjaku i martirëve të kombit” vihet sërish në skenën e Amfiteatrit të Liqenit

Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit” do të ngjitet sërish në skenën e Amfiteatrit të Liqenit të Tiranës më 20 maj, ora 20:00. Ky aktivitet organizohet nga Kongresi Rinor Kombëtar si pjesë e Programit “Rinia zhvillon Kulturë”, në kuadër të “Tirana European Youth Capital 2022”, të financuar nga Bashkia Tiranë dhe pritet të mbledhë mbi 1000 persona, kryesisht të rinj e të reja, si edhe qytetarë të Tiranës. Tematika e dramës është bazuar në ngjarje të vërteta reale, në kohën e persekutimeve të klerikëve dhe besimtarëve.

Shfaqja e dramës ndërgjegjëson të rinjtë e të rejat mbi të vërtetat historike të një kohe të dhimbshme dhe të errët të popullit shqiptar, si një mësim për të ecur vetëm përpara për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Drama përkujton dhe nderon martirët e kombit, sidomos martirët e klerit katolik, të cilët janë torturuar, burgosur e vrarë padrejtësisht gjatë periudhës së diktaturës.

Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit” e përshtatur nga Bajram Torba është bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares Zana Tako. E gjitha kjo përcillet me mjaft përkushtim nga prifti Lazer, që është në qendër të ngjarjeve, ku rrethohet me një sërë personazhesh, që plotësojnë ngjarjet me një vendosmëri të rrallë. Pas shumë torturave që i bëhen priftit, atë e pushkatojnë. Edhe pse para ekzekutimit ai fal dashuri. Kjo është drama, që përcjell mision, falje dhe dashuri, por ndërkohë thuhet në material ngelet një dramë edukuese për mbarë njerëzit.


Në dramën “Gjaku i Martirëve të Kombit” janë në role aktorë të njohur të teatrit shqiptar, por dhe të rinj. Në vepër interpretojnë Bujar Asqeriu, Margent Caushi, Erjon Hinaj, Gëzim Rudi, Marjana Kondi, Alba Shtëmbari, Lindar Kaja, Delvis Bejleri, Alban Masaku, Bajram Torba. Aktori Bujar Asqeriu është një nga emrat e njohur të skenës teatrore dhe kinematografisë në vendin tonë.


Shtuar 19.05.2023 13:43