Ndihmësi i Silvinjos shpjegon: Ndeshje ndryshe, trajneri bëri zgjedhjet e duhura

Ndihmësi i trajnerit të Shqipërisë, Zabaleta ka dhënë një intervistë për Supersport para ndeshjes së kualifikueseve të Euro 2024 ndaj Moldavisë në “Air Albania”. Ndër të tjera, Zabaleta shpjegon zgjedhjet e teknikut Silvinjo.

Një formacion ndryshe nga ndeshja me Poloninë, dukshëm më sulmues…
Është një ndeshje ndryshe sigurisht dhe do të jemi më pak mbrojtës sesa ndaj Polonisë. Duhet të kemi durim gjatë gjithë 90-minutëshit për të fituar ndeshjen. Kemi futur lojtarë si Bajrami, Uzuni e Asani, që luajnë mirë me topin dhe dinë të lëvizin mes linjave. Me këtë taktikë shpresoj që t’ia dalim dhe të marrim fitoren.

Herën e kaluar Strakosha dhe këtë herë Berisha. Pse kjo zgjedhje?
Ishte një nga zgjedhjet më të vështira, duke parë situatën në të cilën janë si Berisha, ashtu edhe Strakosha. Ne mendojmë se të dy janë mjaftueshëm të mirë për të luajtur titullarë dhe shumë të rëndësishëm, ndaj na pëlqen që kemi këtë konkurrencë.

Pse Bajrami dhe jo Muçi?
Kur unë them konkurrencë, nënkuptoj rivalitet të shëndetshëm. Na pëlqen kur kemi lojtarë shumë të mirë dhe na vënë në vështirësi për zgjedhjet tona. Jemi shumë të kënaqur me Muçin, që vjen për herë të parë dhe është stërvitur shumë mirë. Kemi zgjedhur Bajramin, duke pasur parasysh eksperiencën që ai ka, pasi ka luajtur disa ndeshje me Kombëtaren.


Shtuar 17.06.2023 20:32