Skandali me tekstet shkollore, ja disa shembuj (FOTO LAJM)

Pëlqej
Tekstet shkollore kanë shumë probleme: janë të mbingarkuara, përkthime aspak cilësore, histori e shtrembëruar me data e vite jo të sakta, koncepte të gabuara. Këto janë vetëm disa nga problemet e hasura në librat mësimore të arsimit parauniversitar të vërejtura nga mësues, prindër e fëmijë. Në jo pak raste, mësuesit gjykojnë se tekstet kanë gabime ortografike, por edhe shkencore.

Nguti për ta përfunduar tekstin shkollor sa më parë, në mënyrë që ai të bëhet pjesë e tregut, ka bërë që këto gabime të mos rregullohen përpara shtypjes së tekstit, por të përfundojnë në duart e nxënësve duke i shtuar kështu vështirësi të mëdha procesit mësimor. “Dita” shpesh e ka ngritur këtë problem, por duket se askush nuk e vë ujin në zjarr për këtë.

Këto që do ju tregojmë sot janë një “ububu” e madhe për të gjithë, si ata që janë përgjegjës për lejimin e tyre dhe për vetë prindërit e fëmijët që vuajnë pasojat. Një ditë pas fillimit të shkollës, rrjetet sociale janë mbushur me ankesa, përsa u përket teksteve me të cilat po punojnë dhe mësojnë fëmijët e tyre. Faqja “Anabel” në Facebook, ka mbledhur nga lexuesit faqe të fotografuara me gabime që prindër, nxënës dhe studentë hasin gjatë procesit mësimor.

Ja si u mësohet fëmijëve 7-8 vjeç të klasës së dytë, që të tresin shkumësin në ujë. Po, po! Treteni shkumësin në ujë, pijeni dhe do ju rritet temperatura!

Biseda po vërtitej rreth shkumësit; tabela e zezë, pa një shkumës, nuk asnjë kuptim.

Që të gjithë nxënësit tundnin kokën për ta miratuar këtë mendim. Është një e vërtetë, që, si i thonë fjalës, nuk e luan as topi.

Por Tomori u tha shokëve të klasës së 4b:

shkumesi magjik-Mos harroni se shkumësi të ndihmon dhe për t’u “sëmurë”, sa herë që dëshiron!

Disa nuk e kuptuan mirë shprehjen e çuditshme dhe i kërkuan hollësira.

-Është shumë e thjeshtë, -filloi t’i sqarojë Tomori, -ja, unë për shembull, kur nuk dua të shkoj në shkollë, tres një copë shkumës në një gotë me ujë, e pi dhe më ngrihet temperatura menjëherë.

Nëna, porsa ma vë dorën në ballë, më thotë e merakosur;

-Shpirti im, xhani i mamit, paske të nxehtë, sot nuk do të shkosh në shkollë!

Unë bëj ca naze.

-Jo, moj mami, nuk e lë shkollën, do të vetë dhe i sëmurë!

Por nëna ma mbyll derën me çelës dhe nuk më lejon të dal nga shtëpia! Kush nuk më beson, le të pijë ujin me shkumësin e tretur dhe do të shikojë se sa shpejt do t’i ngrihet temperatura.

Një provë e vetme mjafton!

Të nesërmen, Admirit iu mbush mendja që të mos shkonte në shkollë.

Kishte tri orë mjaft të vështira dhe nuk ishte i përgatitur. Për të mos marrë katër, do ta shpëtonte shkumësi, sipas këshillës së Tomorit.

shkumesiiiE treti në një gotë me ujë dhe, me ta pirë, ndjeu se e pushtoi një nxehtësie e pa pritur.

Ata çast në dhomë hyri i ati:

-Nuk po vishesh që të shkosh në shkollë? – e pyeti.

-Nxito se të bëhet vonë.

Admiri perëndoi sytë:

-Baba, më vjen shumë keq që sot do të mungoj, por jam i sëmurë, kam temperaturë. Të lutem, fërkoma ballin. A më digjet, apo jo?

I ati po matej të kërkonte termometrin për t’i matur temperaturën kur vuri re gotën e harruar sipër komodinës. Në fund kishte mbetur një gisht nga lëngu me shkumësin e tretur. E vuri në gojë dhe pasi e provoi, i tha të birit:

-Qenka shumë i çuditshëm ky lëngu, ta ngre temperaturën në çdo çast, sa herë që të teket….Më vjen shumë keq që po ta them troç; e njoh shumë mirë këtë marifet…

Admiri u përpoq që të mbrohej me një gënjeshtër.

-Jo, o ba…unë desha … Domethënë. Më beso se unë…

-Ti mbylle gojën!- I shfryu i ati….

Ky ishte tekst, i cili gjendet në Leximin e klasës së II, shtëpia botuese “Morava”. Nuk e dimë se çfarë ka pirë ai që e ka shkruar këtë tekst, por po mësojmë se çfarë mund të pinë fëmijët e klasës së dytë!

Kishim parë gabime nga më të ndryshmet, por ky duket se i vë kapakun të gjithave. Të shkosh e t’i mësosh fëmijës hap pas hapi se si të bëjë gati një shkumës e ta pijë vetëm për mos të shkuar në shkollë…më shumë duket si skenë horror. Janë tekste që u mësojnë fëmijëve se si të mos duan shkollën, si të bëjnë hile dhe deri te shtyrjet drejt vetëvrasjeve.

Pyetjet që bëjnë komentuesit janë nga më të ndryshmet: “Ja i bëri alergji shkumësi dhe vdiq fëmija. Kush mban përgjegjësi? Aaaa që është bastarduar fare arsimi e dija, por jo deri në këtë pikë- shkruan Klaudia në rrjetet sociale.

Një tjetër tekst problematik shfaqet në lëndën “Edukim karriere dhe aftësim” klasa e 10.

Ja çfarë shkruhet në të:

Beni, së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tyre të vegjël, kishte emigruar në Greqi. Ai kishte pasur probleme me alkoolin që më parë por, pas qëndrimit në Athinë, ishte bërë tërësisht i varur nga alkooli. Një mbrëmje ai i kërkoi së shoqes para të tjera për të blerë pije alkoolike. Ajo refuzoi t’i japë dhe ai e qëlloi në kokë. Gruaja u rrëzua dhe humbi jetën në spital. Beni përfundoi në burg, ndërsa fëmijët mbetën jetimë. Për ta kujdesen aktualisht gjyshërit dhe nëna, të cilët e kanë të vështirë të mos u përçojnë fëmijëve urrejtjen ndaj të atit të tyre.

Detyra: Diskutoni në grup rreth këtij rasti

Me gjithë këto tekste të dhunshme, ndoshta do të kemi një shoqëri po kaq të dhunshme më vonë…

Në gafat e kapura në tekstet mësimore nuk mungojnë as në librat e shkollës së lartë.

Ja një krahasim interesant në lëndën “Qeverisje Korporatash” në Fakultetin Ekonomik.

“Përkufizimet e termit “korporatë” janë reflektim i perspektivës dhe këndvështrimit të njerëzve, që janë përpjekur të japin përkufizimin e tij. Çdokush. Që përpiqet të jap një definicion përfundimtar është si i verbëri, që përpiqet të përshkruajë një elefant: duke prekur bishtin, ai e quan gjarpër; duke prekur këmbën, atij i duket si pemë; duke prekur pjesën anësore, i duket mur”.

Ka edhe raste kur atij që ka shkruar librin nuk i ka punuar një shkronjë e caktuar në kompjuter dhe fjala merr tjetër kuptim…

Kështu deri kur?



Kaosi me tekstet alternative
Janë disa nga qindra tekste alternative që qarkullojnë në tregun e librit shkollor. Mbi 1 mijë tituj u janë ofruar shkollave 9-vjeçare dhe të mesme për të zgjedhur mes tyre një libër për çdo lëndë. Kështu, mes 12 matematikave alternative të klasës së 7, 6 librave të historisë së klasës së 12, apo 7 teksteve të gjuhës për klasën e 4-të është përzgjedhur vetëm një autor. Ashtu siç është bërë traditë nga shkollat, prindërit edhe këtë vit janë trajtuar si blerës dhe jo pjesë e bordit përzgjedhës siç e përcakton ligji i arsimit para-universitar. Por, biznesi i drejtorëve të shkollave, apo drejtorive arsimore me botuesit ka shkaktuar jo pak probleme. Thënë më shqip, çdo vit nxënësit ndërrojnë autorët e teksteve sipas preferencave drejtoreve të shkollave dhe ofertave që marrin nga botuesit. Përfundimi është se nxënësit nuk vijojnë programin me një autor, por kanë shkëputje, përsëritje temash dhe mbingarkesë. Pak ditë më parë autorë tekstesh propozuan rishikimin e reformës së altertekstit, kufizimin e titujve alternativë dhe ndërprerjen e metodave korruptive në përzgjedhjen e tyre. Qeveria aktuale erdhi me premtimin se do t’i kushtonte vëmendje vijimësisë së programit, ku nxënësin nga klasa e parë deri tek e 12 ta ndjekë një autor. /Entela Resuli, G. Dita/
Shtuar më 17/09/2014, ora 16:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori