Skandali me oficerin e policisë së shtetit, kokainë në këmbim të dokumenteve të tokës
Oficeri i Policisë së Shtetit u filmua me zë dhe figurë teksa bën pazare për të trafikuar 200 gramë kokainë. Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” mbërriti një denoncim nga një 40-vjeçar nga Poliçani, i cili kishte probleme pronësie me oficerin e policisë, Julian Balliu, me bordero shef sektori për sigurinë rrugore në Shkodër dhe i komanduar në Tiranë.

Denoncuesi thotë se i ka paguar 30 mijë euro familjes së oficerit për një truall dhe nxjerrjen e lejes për ndërtimin e një karburanti në fshatin Mbrakull. Leja rezultoi se kishte probleme dhe, nga viti 2013 deri në 2018, oficeri nuk i kishte kthyer lekët mbrapsht. Nëpërmjet kamerave të fshehta, Fiks Fare dokumentoi se shefi i policisë i thotë denoncuesit se nuk i ka lekët dhe në këmbim i premtoi 200 gramë kokainë, të cilën do e merrte në Itali.

Denoncimi në Fiks Fare

“Kam probleme me një oficer policie. Ju lutem më ndihmoni”. Kjo ishte ankesa e mbërritur në redaksinë e Fiks Fare, nga një qytetar. Disa ditë më pas, në një intervistë për gazetarët, ai thotë se është 40-vjeç, banon në Poliçan. “Historia e problemeve të mia ka filluar që në vitin 2013. Pasi u ktheva nga kurbeti, vendos që të investoj paratë në Shqipëri. Bisedoj me një shok, atëherë e konsideroja shok, por tani jo më, për të investuar. Ramë dakord për një truall. Ai do më ndihmonte që të nxirrja lejen për një pikë karburanti, pasi kishte babanë kryetar i komunës Vërtop. Kam paguar 30 mijë euro. Fillova punë, hodha dhe rreth 10 milionë lekë të vjetra dhe pas dy ditësh më vjen policia. Kisha probleme me lejen për pikën e karburantit. Kisha disa dokumente, por nuk ishin të sakta” thotë 40-vjeçari. Më tej shpjegon se, nga viti 2013 e deri më sot, ka kontaktuar disa herë me familjen e oficerit, por nuk ka marrë mbrapsht lekët. Ai thotë se oficeri i policisë ka iniciale J.B dhe nuk e dinte saktësisht ku punonte, por tha se ka punuar në Lushnje dhe në disa drejtori policie. Pyetjes së përse i është drejtuar emisionit “Fiks Fare”, tha se dy ditë para denoncimit e kishte kontaktuar oficeri dhe i kishte ofruar diçka. “Më ofroi diçka të jashtëligjshme. Prandaj jam drejtuar te Fiksi. Nuk dua që të bëj diçka të tillë” përfundoi 40-vjeçari.

Pas denoncimit, Fiks Fare shkoi në fshatin Mbrakull, në Poliçan. Karburanti do të ndërtohej buzë rrugës nacionale Berat-Poliçan. Gazetarët siguruan edhe dokumentet e lejes, ku rezulton se në

vitin 2011, KRRT-ja e ish-komunës Vërtop, ka miratuar një projekt me porositës shtetasin Julian Balliu për ndërtimin e një pike karburanti. Pasi nxjerrjes së lejes, Juliani kishte aplikuar edhe për lejet e tjera dhe në vitin 2013, nëpërmjet një kontrate, ia shet truallin denoncuesit të skandalit në Fiks Fare. Në dokumente rezulton se leja për karburant është miratuar nga ish-kryetari i komunës Vërtop, Flamur Balliu, i cili është babai i oficerit Julian Balliu. Por, pas rotacionit të pushtetit në 2013, qeveria verifikoi lejet e ndërtimit, ku rezultoi se leja e nxjerrë për karburantin kishte probleme ligjore. Nga viti 2013 deri në janar 2018, denoncuesi nuk arriti që të marrë mbrapsht lekët e dhëna.

Videopërgjimi i shefit të policisë Julian Balliu

thumbnail_dokumenti karburantitthumbnail_tabel Mbrakull

Fiks Fare dokumentoi edhe takimin mes denoncuesit të skandalit dhe oficerit të policisë Julian Balliu. Ata u takuan në zonën e quajtur Qafa e Kasharit në Tiranë, në një lokal. Më poshtë, po publikojmë videopërgjimin e plotë;

Denoncuesi- ǒkemi? Ne ça do bëjmë?

Oficeri i policisë- S’e di, ça të them. Unë ta thashë edhe pardje. Ça duhet të bëj unë, më thuaj? Unë ta thashë.

Denoncuesi- Po janë pak lekë o Juli, unë kam derdhur gjithë ato lekë për atë vend o burrë.

Oficeri i policisë– Unë të thash, mos kërko më lekë, se jam ku thërret qameti. S’ka ku të vejë më keq. E kupton a jo. Ik merr ato, nxirr lekët. A të mbushet mendja a s’të mbushet mendja, në daç beso, në daç mos beso, që unë jam, s’di si do dal nga kjo histori. Unë ta thashë që kam edhe 10-shen e asaj që të ka sjellë

Denoncuesi- 10 e kujt?

Oficeri i policisë- Ore, zotëria të solli të parën ty, më thoshte mua duhen 15, 5 mijë do t’i fal, 10 mijë duhet t’i paguash.

Denoncuesi– Po pse duhet t’i mbaj unë ato. Po unë nga t’ia mbaj o shoku. Unë nga t’ja mbaj o shoku, tani që t’ja jap unë I… P… atë për 10 milionë lekë,

Oficeri i policisë- Tani unë ta thash, po të flas tamam.

Denoncuesi- Ore ne jemi shokë dhe do flasim tamam si shokë.

Oficeri i policisë- Ti e kupton situatën tani, ça të them unë.

Denoncuesi- Po ça situate o Juli, po ti situatën time e kupton apo jo. Për kokë të plakës.

Oficeri i policisë- Tani ça të them unë, prapë të njëjtin muhabet deri tani, prano ti tani…

Denoncuesi- Po qysh të pranoj unë atë? Ajo që do më japësh ti, sa lekë kushton ajo?

Oficeri i policisë- O zotëri, po të them dhe njëherë…

Denoncuesi- Ajo s’vete as 10 milionë lekë.

Oficeri i policisë- Qysh s’vete…

Denoncuesi— Po s’vete, nuk vete. 300 gramë që ke ti, ça do bëj unë.

Oficeri i policisë- Eeee e pastër.

Denoncuesi- E o e pastër, me sa?

Oficeri i policisë- Zerë, llogarit.

Denoncuesi– Ti the me 45, sa i venë?

Oficeri i policisë- Eeee…

Denoncuesi- 13 milionë lekë.

Oficeri i policisë- Po 13 milionë o, ça të bëj unë tani. Unë kam humb vetë me atë, e kupton apo jo? S’kam shans më.

Denoncuesi– Bëji 400 (gramë) të paktën o burrë…

Oficeri i policisë- Nuk e bëj dot fare po të them dhe njëherë. Ore ty nuk të mbushet mëndja. Po të shikosh mesazhet, thotë unë të jap 200 (gramë) o vëlla. E kupton apo jo, se i thashë do të jap 10 milionë lekë.

Denoncuesi- 200? Pse me 50 e shet ai? Unë se dje isha këtu në Tiranë. Pyeta botin, me 38, 39 (mije lekë grami). Nëqoftëse ke lekët në dorë, thotë ai.

Oficeri i policisë- Shiko muhabetet që kam bërë unë, mbrëmë në darkë…

Denoncuesi– Tani probleme, probleme o burrë. Po ta blej me 30 mijë euro (tokën), ta shes me 10 milionë lekë, kjo i bie q.motrën.

Oficeri i policisë- Unë tani t’i nxirrja ato letrat e ikja, se i nxjerr ato lekë. Tani ik tani të keqen vëllai se nuk kam ça të bëj më.

Denoncuesi- Për sa ditë i jep lekët ai?

Oficeri i policisë- Ore nuk e di, do t’i them. O zotëri, tani unë dua lekët. Çoi burrit të botës këtë, mos të futem në borxh. Merja I…, më jep lekët mua.

Denoncuesi- Thoji të paktën të bëj 15 milionë lekë o burrë.

Oficeri i policisë- Ore I… nuk e di, nuk më thotë mua të jap 15 milionë lekë, e kupton apo jo?

Denoncuesi- Po mirë o që të vete të firmos unë të paktën, të bëj 15 milionë lekë o burrë.

Oficeri i policisë- O ti tani do vesh të marrësh punën atje, ça të të them unë, më presin njerëzit, nuk i ka lekët I…, 5 milionë lekë të jap, ça të të them, ti merr vesh apo jo? Unë të them kam bërë debate dje… Ke 15 mijë më thotë mua (lexon mesazhet). Të gjitha 200 (gramë). Vetëm më thuaj thotë ai se nesër niset rruga. Janë siç janë andej, nuk ka lidhje fare më thotë mua, që i fusin qindçen, nuk ka lidhje me mallin që vjen poshtë që i fusin një ashtu (përzierës) dhe ja u zbresin. E ka rrugën nesër që niset. Merr një pikë kontakti që mos ta ketë njeri se aman, thotë ai, me merr në qafë mua. Puna është e pastër fare, thotë ai, është e lehtë. S’është prekur fare. Nuk i është futur gjë (përzierës) fare si poshtë.

Denoncuesi- E kur realizohet kjo? Niset nesër, pasnesër?

Oficeri i policisë- O zotëri, niset nesër-pasnesër ajo, llogarite 2 ditë rrugë. Ku do ta shkarkojë ai të vetën, ai zotëria tjetër. Ku ka gjetur ai rob për ta hedhur. A e kupton se ai po thoshte edhe këtë. Ore mos kërko, se kështu se njerëzit që e shesin këtu i fusin një 100-çe, 150-ce (përzierës) këtu. I hapin, e gatuajnë mirë. Me këtë, nuk do prekin këtë. Nuk ta jap dot kështu. Ndaj thotë për 200. Unë kam që kam, po deshe. Unë nuk kam ça të bëj. Të tjerat që të mbetem, do t’i jap.

Denoncuesi- Mirë atje lart, 200 sa na kushtojnë?

Oficeri i policisë- Ore vëlla, ai po më thotë, unë e kam rrugën kaq, ai merr përsipër rrezikun vetë.

Denoncuesi- Po mirë o mirë o Juli, dakort. Këto muhabete. I godituri jam unë në këtë mes.

Oficeri i policisë- Je i goditur ti edhe unë bashkë pra. Prandaj të them. Ti të vesh të nxjerrësh ato, lekët i nxjerr. Kurse unë jam prapë me kokë. Pse jam me kokë, nnë faturën, të parën që more ti, e kam unë në b…. Këtë tjetrën prapë unë. Më i godituri jam unë. Ti po more këtë je në rregull. Vete i nxjerre lekët e tua. Ku na ra rasti nesër…

Denoncuesi- Po ça rasti k… Ne kur s’i bëmë rastet kur ishim mirë, do ti bëjmë rastet tani. Ja fut kot…

Oficeri i policisë- Do më ndihmosh ti…

Denoncuesi– Me ça të ndihmoj unë, me brekë nëpër bythë. Me ça të ndihmoj. Unë s’kam lekë për të ikur ore.

Oficeri i policisë- Po ti kisha lekët do të thoshja; na kaq lekë edhe ik vëlla, se nuk kam ça bëj më. Po të them dhe njëherë, ik mbaro punë më këto.

Denoncuesi- Po ça të mbaroj punë o burrë, ku mbarohet punë me këto. Po më kapën mua me atë? Ku të vete unë pastaj? Ku të mbytem?

Oficeri i policisë- Po tani larg o zot…

Denoncuesi- Po si larg o zot, se këto gjëra kështu janë o Juli. Po hë, ja vajta e mora unë, më kapën. Po pastaj?

Oficeri i policisë- Ne themi mos të kapin, se po të kapën…

Denoncuesi- Pastaj unë… unë kam dhe rrugë tjetër andej për të bërë. Shtrëngohem unë sa unë e di dhe as gjysmat s’marr. Edhe sikur ta bëj punën. Po unë 5 mijë lekë i pagoi rrugën atij.

Oficeri i policisë- Qysh…

Denoncuesi- Po do paguaj rrugën ore ta kaloj matanë.

Oficeri i policisë- Ti më the mua e marrë vet?

Denoncuesi- Ku e marrë vet unë, tani është bërë me skaner, me çdo gjë. Shiko mos të japi çikë më shumë ai.

Oficeri i policisë- O ti tani, unë po të zë be. Tani po të llafos si vëlla… Unë po ta them që nëqoftëse do mbarosh punë, do mbarosh sot ose nesër. Se nesër e nis rrugën e vet ai. Mos ta ngatërroj me të tjerat, a e kupton. Unë ta bëj dhe 300, po ta bëj

si këto të tjerat. Unë e lë siç ka ardhur andej. Ashtu më thotë mua është kaq. Mos më ngatërro mua me S… Tani, ti thua kshu, ai thot ashtu, në mes jam unë.

Denoncuesi- Mirë pastaj, po iki Poliçan pastaj vari k… Nesër se bëj dot.

Oficeri i policisë- Do më japësh përgjigje, po, jo.

Denoncuesi- Sot në darkë, të takoj atë sot në darkë. Pasnesër do vemë poshtë ne. Pasnesër të firmosim atë.

Oficeri i policisë- Kjo që shes unë, i fus ndonjë gjë unë, i fus 100, e përziej. A më kupton ti o. Këta që venë poshtë, i fusin ndonjë gjë ata, që del mall i mierë. Del 85 ajo, në Itali. Tani ta ngatërroj unë thotë, ta bëj njësoj për të tërë, apo ta shkëpus.

Denoncuesi- Pasnesër fol me P… të vemë të bëjmë ato letrat.

Oficeri i policisë- Nuk kam ça flas unë me atë, fol ti me atë. Thoja nga ana jote, zotëria që e bën ktë punë, ti ja di hallin. Po ja mbarove këtë punë. Se më tha mua 5 milion lekë ti jap.

Denoncuesi- Ika ta takoj sot në darkë dhe fol vetë ti pastaj.

Oficeri i policisë- Vetëm do më kthesh mua përgjigje, ta mbaroj unë ta bëj gati.

Denoncuesi- Po mbaroje o vëlla, pasnesër të vemë poshtë.

Oficeri i policisë- Duhet gjet një numër TIM.

Denoncuesi- Ku kam TIM, unë lesht.

Oficeri i policisë- Duhet.

Denoncuesi- Dërgoja atij, se unë e kam te shtëpia. Se kam këtu. Po kur të vete vetë atje. Pasnesër, unë vi pasnesër dhe nisem pastaj.

Oficeri i policisë- Ai do zbresë njëherë….

Denoncuesi- Ku e zbret ai, ça vendi?

Oficeri i policisë- Se di, se kam 2-3 variante. A e kupton? Thjesht thotë këtë ai, thjesht do vi ta marr vetë ai, mos na ndjekë njeri. Se na djeg. Është hall o burrë.

Denoncuesi- Mua s’më ndjek njeri o burrë. Mua s’më kanë qëndruar ndonjëherë.

Oficeri i policisë- Se ka porositur 200 herë, aman tha.

Denoncuesi- Sa vajti ora, a të iki unë se do bëj ca psonisje.

Oficeri i policisë- Ik. Ok, kshu thoji atij.

Denoncuesi- Hajde se takohemi.

Oficeri i policisë- Bëj telefon.

Denoncuesi- Ok vetëm me atë tani o burrë. Tani, t’i them atij sot në darkë. T’i them atij në darkë dhe pasnesër të vete të firmos unë…
Shtuar më 15/01/2018, ora 19:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori