Skandali i tenderave, në pranga zv-Ministri i Transporteve dhe 8 të tjerë
Albeu.com
Korrupsioni me tenderet e rrugeve ne Shqiperi. Zëvendësministrii Transporteve, Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve dhe drejtori i prokurimeve janë vënë në pranga bashkë me tre nëpunës së tyre dhe tre përfaqësues firmash private.Duart e pastra" kanë vënë në pranga nëntë persona, të cilët akuzohen për korrupsion. Kështu është titulluar emri i operacionit të mbrëmshëm, ku ndër të arrestuarit janë edhe emrat e tre zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Transportit. Zëvendësministri i Transporteve, Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve dhe drejtori i prokurimeve janë vënë në pranga bashkë me tre nëpunës së tyre dhe tre përfaqësues firmash private. Nëntë personat e arrestuar akuzohen për favorizim të subjekteve private gjatë tenderimit për disa rrugë të vendit, duke funksionuar si grup i strukturuar kriminal. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se operacioni i koduar "Duart e pastra", i cili ka qenë edhe slogani i fushatës elektorale për Partinë Demokratike, ka nisur në orët e vona të mbrëmjes. Policia deklaroi se dje pasdite, Gjykata ka dhënë masën e arrestit "burg pa afat" për nëntë persona. Me të marrë këtë vendim, grupi i forcave operacionale në Policinë e Shtetit kanë nisur "gjuetinë" për kapjen e tyre. Në pranga ka përfunduar Nikolin Jaka, zëvendësministër i Transporteve, Ilir Berzani, drejtor i Përgjithshëm
i Rrugëve, Bashkim Kamberi, drejtor I Prokurimeve, si dhe gjashtë persona të tjerë. Nga grupi hetimor mësohet se veç tre personave të lartpërmendur, janë prangosur Skënder Bokçiu, presidenti i firmës "Arifaj", Isuf Ukperaj, Enton Resuli, përfaqësues të dy firmave të tjera; Arben Qato, jurist i ministrisë së Transporteve; Ajran Sheti dhe Xhevahir Muçogllava, specialistë të Transporteve. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, të gjithë të arrestuarit akuzohen për korrupsion. Ata dyshohen se kanë abuzuar me dhjetë tenderë rrugësh, duke favorizuar disa subjekte private për fitimin e tyre. Këto tendera janë zhvilluar gjatë dy muajve të fundit. Sipas të dhënave, të arrestuarit vijnë nga radhët e Partisë Demokristiane, që është një parti e fortë e koalicionit të djathtë. Burimet thonë se pas arrestimit të nëntë personave, deputeti i PDK-së, njëkohësisht kryetar I kësaj partie, Nard Ndoka, mund të ketë pasur një telefonatë me kryeministrin Berisha, por kjo nuk konfirmohet nga burimet zyrtare. Ndërkohë, arrestimi i Berzanit ka ardhur në një kohë kur edhe PD ka pasur ankesa, madje edhe zëra për të zëvendësuar atë pas problemeve që ka pasur me disa tenderë. Megjithatë, arrestimi i këtyre zyrtarëve të lartë të Transporteve, mendohet se nuk do të kalojë pa reagime politike, madje edhe me përplasje të forta brenda mazhorancës, pasi bëhet fjalë për anëtarë të një partie të koalicionit, siç është PDK-ja.
Shtuar më 18/09/2007, ora 13:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori