Skandali: SHISH ka përgjuar Ramën, Metën, Bashën dhe Tahirin
Pëlqej
Katër nga njerëzit më të rëndësishëm në vend përgjoheshin rregullisht nga SHISH; Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha e Saimir Tahiri kanë qenë prej kohësh në veshët e Visho Ajazi Likës.

Bashkë me ta, shumë deputetë, botues të rëndësishëm, gazetarë, biznesmenë të djathtë dhe policë.

Skandali me shumë dëshmitarë zbulohet nga një raport sekret i komisionit të sigurisë në Kuvend.

E paqartë e nesërmja e institucionit, por teorikisht ka dhe kërcënim me burg: përgjimi i paligjshëm kushton deri në shtatë vjet në qeli.

Në fund të fundit është ndjenjë njerëzore dhe gati – gati e paqortueshme. Çdokush që thotë se nuk ka dëshirë të shohë nga vrima e çelësit se çfarë po bën fqinji, se çfarë thotë, shkruan apo lexon në celularin e tjetrit, thjesht gënjen. Kurioziteti është dobësi njerëzore, por quhet dobësi kur bëhet fjalë për njerëzit e thjeshtë. Sepse në politikë dhe tek njerëzit me pushtet puna ndryshon kryekëput: është vepër penale, e dënueshme ligjërisht dhe e pështirë dhe pa moral moralisht. Një raport tronditës, i konsideruar deri më tani si sekret tepër i ndjeshëm shtetëror, ka hapur një faqe të pistë të Shërbimit Informativ Shtetëror:

Institucioni në varësi të kryeministrit ka përgjuar vetë kryeministrin; drejtuesi i institucionit që mund të shkarkohet nga Kuvendi i Shqipërisë, ka urdhëruar përgjimin e kryetarit të Kuvendit; ka përgjuar edhe ministrin e brendshëm, me të cilin shërbimi informativ ka një lidhje të veçantë për shkak të detyrave praktike që duhet të kryejnë së bashku kundër krimeve që cënojnë sigurinë kombëtare; Dhe për më shumë, njeriu i zgjedhur nga Partia Demokratike si i besuar i ish-kryeministrit Berisha, emri mbi të cilin u hodh një nga firmat e para të presidentit të Republikës Bujar Nishani, ish-antar i PD-së, nuk ka hezituar të përgjojë dhe vetë kryetarin e ri të PD-së.

Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha e Saimir Tahiri janë vetëm disa nga emrat që janë dëgjuar në bisedat telefonike mes tyre dhe me të tretë. Në një proces që nuk dihet sesa ka zgjatur, por që është konfirmuar se ka ndodhur rregullisht që nga marsi i vitit 2013 e deri në marsin e këtij viti. Zbulimi i skandalit, për të cilin, çuditërisht kishin dijeni të gjithë të përgjuarit, është bërë nga një grup deputetësh nga komisioni i sigurisë që kanë kontrolluar segmente të caktuara të veprimtarisë së SHISH. Ai grup deputetësh ka përpiluar një raport, të cilin në fillim të javës tjetër do ta venë në dispozicion edhe për dy nga drejtuesit e shtetit, kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit Meta. Dhe natyrisht do të vihet në dijeni edhe Presidenti i Republikës.

E gjithë përmbajtja e raportit është konsideruar sekret shtetëror, por detaje të tij kanë nisur të dalin në media që të mërkurën në mbrëmje. Burimi i tyre pretendohet se janë personazhe të komisionit të sigurisë, por me shumë gjasa, një pjesë e informacionit mediatik ka rrjedhur dhe nga ana tjetër, nga vetë SHISH. Shërbimi është i interesuari i parë për shpërthimin para kohe të skandalit, për konsumimin e jetëgjatësisë tre ditore të skandalit dhe më pas, për relativizimin e tij.

Përgjimet
Për plot shtatë vjet rresht, që me ardhjen e tij në pushtet, Berisha kërkoi me këmbëngulje të ketë në krye të shërbimit një njeri të vetin të besuar. Mbas disa tentativash të dështuara, ai mundi ta realizojë këtë kërkesë vetëm në vitin e parafundit të mandatit të tij të dytë, kur një kompleks rrethanash ja dhanë këtë mundësi. Më kryesori, presidenti i ri i sapozgjedhur në qershor 2012, nuk do të hezitonte që dy muaj më pas, në gusht, të firmoste shkarkimin e Bahri Shaqirit. Berisha atëherë e kishte pasur gati kandidaturën që priste të shkonte në shërbim së paku që nga viti 2005, Visho Ajazi Likën.

Me emërimin e tij skema u mbyll dhe meqenëse ish-kryeministri besonte fort se thelbi i pushtetit ishte informacioni, kërkesa e tij e parë ishte marrja e informacionit të ndjeshëm nga shërbimi, kryesisht për kundërshtarët e tij, por dhe për njerëzit me të cilët punonte. Jo se nuk e kishte bërë më parë, kryesisht nëpërmjet ministrisë së mbrojtjes apo agjensive kundër krimit ekonomik, por kësaj radhe, po e merrte nga një institucion i specializuar në këtë drejtim. Veç opozitarëve, nën përgjim kanë qenë dhe një pjesë e ministrave më të rëndësishëm të kabinetit të tij.

Në të paktën dy raste, skandali i përgjimeve është bërë dhe publik. Herën e parë në shkurt të vitit 2012, kur vetë ish-kryeministri dhe ish-ministri i brendshëm Nishani dhanë provat bindëse se ishin përgjuar jo vetëm Rama, deputetë socialistë, por edhe ish-presidenti i republikës, prokurori i përgjithshëm, një numër diplomatësh të huaj në Tiranë, ish-shefi i SHISH dhe disa gazetarë pranë opozitës. Por duke nisur sidomos nga marsi i vitit të kaluar, historia e përgjimeve nga SHISH u rrit në mënyrë dramatike. Kryesisht për dy njerëzit kryesorë të së majtës, Rama dhe Meta dhe një numër deputetësh të rëndësishëm pranë tyre. Dhe kjo e kishte një arsye. Berisha ishte në dijeni të lëvizjeve që synonin të bashkonin të majtën dhe kishte dëgjuar zëra të shumtë në këtë drejtim, por nuk kishte prova.

Kishte megjithatë dhe pafuqinë për të penguar afrimin e dy ish-miqve të armiqësuar për katër vjet rresht, por jo mungesën e kuriozitetit për të mësuar se çfarë pritej të ndodhte. Rama dhe Meta janë përgjuar rregullisht në këtë periudhë, por me të gjitha gjasat, ata e dinin një gjë të tillë. Herë njëri dhe herë tjetri më pas, e kanë përmendur shpesh këtë episod. Madje, edhe mbasi binin dakord me njëri-tjetrin kur shiheshin sy ndër sy, në komunikime telefonike me të tjerë, flisnin keq për njëri-tjetrin. Një shaka që duhet ta ketë lënduar pafund Doktorin, që edhe e ka kuptuar talljen, edhe ka kuptuar se nuk kishte asgjë në dorë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve që do ta nxirrnin në opozitë. Siç e kuptoi që në 1 prill të vitit të kaluar kur pa se fronti kundër tij e kishte betejën elektorale të fituar.

Rasti i dytë i bërë publik i përgjimeve e ka pasur sërish zanafillën nga vetë Doktori. I cili në muajt e parë të pozicionit të tij “si deputet i thjeshtë”, shpërthen kundër një akti administrativ të ministrisë së brendshme, shkrirjes së një strukture hetimore. “Njësia kishte dhe dokumenta, dhe përgjime të shumta për ministra, deputetë aktualë të PS, familjarë të tyre të implikuar në larje parash të pista, kontrabande, trafik droge e të tjerë… Kjo polici kishte të gjitha përgjimet e komunikimeve elektronike të kryera nga organet tona dhe partnerët tanë, të antarëve dhe bosëve të bandave kriminale të Hakmarrjes për Drejtësi, Bandës së Lushnjës apo Durrësit, në të cilat lakohej dhe implikohej edhe direkt emri i Ramës”, thotë Doktori. Duke sulmuar ata që e rrëzuan nga pushteti, por në të njëjtën kohë, duke dëshmuar një pjesë të mekanizmit që e mbante dikur në pushtet: përdorimin e informacionit për kundërshtarët të mbledhur në mënyrë të paligjshme dhe shantazhimin e tyre, përfshi këtu dhe njerëzit e tij vetë, Doktori tregonte të vërtetën e tij jo të pastër.

Mbi të gjitha, tek emrat e të përgjuarve spikat emri i Lulzim Bashës. Kryetari i ri i PD-së konfirmohet se është një nga katër emrat, telefoni i të cilit është dëgjuar rregullisht nga njerëzit e Vishos dhe më pas, transkriptet e tij janë dërguar në zyrën e Doktorit. Arsyeja është fare e thjeshtë: Doktori nuk ka besim tek askush. Vetë Basha ka qenë objekt i përgjimit edhe më parë. Struktura okulte e ministrisë së mbrojtjes e ka përgjuar atë në më shumë se një episod. Madje edhe në komunikimet e tij me diplomatë të lartë të një fuqie të madhe dhe aleate strategjike e Shqipërisë. SHIU i djeshëm i Forcave të Armatosura i bindej verbërisht Doktorit dhe ishte në shërbimin e tij.


Lista e emrave të deputetëve të opozitës së djeshme dhe sot në pushtet që janë përgjuar është e gjatë. Blushi, Balla, Bare, Doshi, Stërkaj, Veliaj e të tjerë kanë qenë të përgjuar rregullisht nga SHISH. Përgjimi ndaj tyre ka vazhduar për një kohë të pacaktuar. Bashkë me ta, janë vënë në përgjim dhe disa drejtues institucionesh të rëndësishme në vend, në dogana, tatime.

Vitin e kaluar, në dhjetor, në media depërtoi dhe një qarkore e SHISH, e cila kërkonte ndjekjen e shefave të komisariateve në rrethe dhe verifikimin e figurës së tyre. Ajo çfarë u quajt skandal dje, por që sërish pati fatin e çudisë shqiptare, jetën e shkurtër tre ditore, ka dalë sërish në sipërfaqe në raportin sekret të komisionit të sigurisë.

Në listën e të përgjuarve janë dhe disa botues të rëndësishëm të medias dhe gazetarë të njohur. Po kështu dhe një numër biznesmenësh. Për ironi të fatit, shumica e këtyre të fundit, kanë qenë shumë pranë të djathtës dje në pushtet dhe miq personalë të njerëzve të fuqishëm të PD-së. Sidomos të Doktorit. Mënyra sesi dëgjoheshin telefonatat personazheve që kishin imunitet, ishte fare e thjeshtë. Zgjidheshin njerëz të thjeshtë që kishin kontakt me ta, konsideroheshin si persona të dyshuar dhe më pas, dëgjoheshin telefonat e politikanëve. Ligji thotë se në momentin që abonenti që i përgjigjet një numri në përgjim ka imunitet, përgjimi duhet të stopojë. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Sepse pikërisht për ta ndodhte vetë përgjimi.

Besohet se raporti ose më saktë, pjesë të veçanta të tij, do të bëhen publike brenda dy javësh. Atëherë kur maxhoranca do të ketë një ide se çfarë do të bëjë me këtë strukturë tejet delikate të shtetit. Një ide, në fakt, e jep vetë Kodi Penal, neni 23 i të cilit për përgjimet e paligjshme është i ashpër: “Përgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike..., dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”. Do të ketë një hetim penal përtej hetimit që po bëhet nga komisioni i sigurisë? Kësaj pyetje ende nuk i jepet asnjë përgjigje, por fati i Visho Ajazi Likës duket se nuk do të ndryshojë nga ai i paraardhësve të tij në shërbim: largim!

Si bëhet përgjimi ligjërisht
Janë pesë nene, nga 221 dhe deri në nenin 226, në seksionin IV të Kodit të Procedurës Penale, në të cilët shpjegohet gjithë mënyra sesi mund të realizohet përgjimi ndaj personave të dyshuar apo sesi mund të bëhet verifikimi i telefonatave.

Në Kod përcaktohet se “Përgjimi i komunikimeve të një personi ose të një numri telefoni me telefon, faks, kompjuter ose me mjete të tjera të çdo lloji... lejohen vetëm kur procedohet për krimet e kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se shtatë vjet...”.

Vendimin për të lejuar përgjimin e një qytetari e merr gjykata e cila e bën një gjë të tillë: “Me kërkesën e prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës...”. Po kështu, Kodi specifikon se: “Përgjimi në vende publike, regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, si dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes autorizohen nga prokurori”.

Ka dhe më shumë hapësirë të ngushtuar, në respekt të të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së privatësisë së tij. Ligji mundëson që për vënien nën përgjim, ekziston e drejta për të bërë ankimim kundër vendimit të marrë për të qenë i përgjuar, nëse merr dijeni për një fakt të tillë. Në kod thuhet se: “Ankimi shqyrtohet nga gjykata e apelit ose nga Prokurori i Përgjithshëm në rast se autorizimi është dhënë nga prokurori. Kur ankimi gjendet i drejtë, gjykata e apelit ose Prokurori i Përgjithshëm shfuqizojnë aktin që autorizon përgjimin dhe urdhërojnë fshirjen e çdo materiali të marrë nga përgjimi”. /(Botuar në revistën Java/
Shtuar më 23/09/2014, ora 20:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori