Pushtimi i Ukrainës, paralajmërimi i Escobar: Mali i Zi objektiv tërheqës për Moskën

“Mali i Zi mbetet një objektiv tërheqës për Moskën, kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj euroatlantikë duhet të shtojnë përpjekjet për të kundërshtuar veprimet armiqësore të presidentit rus Vladimir Putin”, kështu ka deklaruar zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së dhe i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha për “Vijesti” se e njëjta ideologji e gabuar e shtyn Kremlinin të ngadalësojë dhe të parandalojë integrimin euroatlantik të Ballkanit.

Sipas tij Rusia ka qenë prej kohësh një forcë destabilizuese dhe një burim dezinformomi në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se gjithmonë ka nxitur tensione në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Mali i Zi duhet të ndjekë BE-në dhe të zbatojë plotësisht sanksionet ndaj RT dhe Sputnik të cilët po përhapin dezinformata dhe propagandë të rrezikshme për të justifikuar luftën e paprovokuar të Putin”, ka thënë ai.

Ndërkohë qeveria malazeze i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë. Mali i Zi ka mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë që nga 4 marsi.