Skandal me tenderët tek Posta Shqiptare, kapen shkelje flagrante
Dy muajt e parë të këtij viti duket të jenë periudha me fluksin më të madh të punës për zyrën juridike të Postës Shqiptare.

Tenderë që anulohen dhe pezullohen si edhe dhjetra ankesa nga operatorë të ndryshëm në treg kanë shkaktuar një situatë kaosi me prokurimet publike në këtë institucion.

Ndërkohë që Komisionit të Prokurimit Publik, institucioni përgjegjës për shqyrtimin e ankesave, i duhet të punojë me orë shtesë për të ndrequr paudhësitë që po ndodhin me tenderët tek Posta Shqiptare.

Çfarë po ndodh?

Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2018, Posta Shqiptare ka zhvilluar tenderin për ruajtjen fizike të objekteve në 10 qarqe të vendit të ndarë në dhjetë lote.

Në përfundim, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Postës Shqiptare nxorri fituesit për secilin lot duke shkaktuar mjaft pakënaqësi tek kompanitë e tjera pjesëmarrëse në këto tenderë, të cilët janë ankuar për kriteret e vlerësimit në shërbim të përzgjeshjes së fituesit si edhe kriteret e pjesëmarrjes në tender.

Ka dyshime të forta tek ata se fituesit janë paracaktuar dhe tenderët kanë qenë fiktivë.

Ankimimi për një procedurë prokurimi publik është krejt normale, por e gjithë situata del nga normaliteti kur të gjithë kanë ankesa për pjesën dërrmuese të tenderëve.

Albeu.com iu referua faqes zyrtare të Komisionit të Prokurimit Publik, në të cilën vërehen përmasat e qarta të këtij skandali. Vetëm gjatë një muaji, Komisioni i Prokurimit Publik, ka shqyrtuar në total 88 ankesa prej mijëra operatorëve që marrin pjesë në prokurime dhe nga këto rezulton se 23 ankesa, ose 26 për qind e totalit të ankesave për një muaj janë pikërisht për Postën Shqiptare.

Pasi ka marrë në shqyrtim këto ankesa të kompanive të ruajtjes së objekteve, Komisioni i Prokurimit Publik ka pranuar si të drejta 9 prej tyre ose rreth 40 për qind dhe ka rrëzuar 14 të tjera.

Ashtu siç konfirmohet edhe nga të dhënat, numri i ankesave si edhe numri i ankesave të gjetura si të drejta nga Komisioni i Prokurimit Publik është një shifër jashtëzakonisht e lartë në raport me totalin e ankesave dhe aspak normale për një institucion.

Në përgjigjen që i dha portalit Albeu në lidhje me çështjen në fjalë Zyra e Shtypit e "Posta Shqiptare" shpjegon se fenomeni i ankesave të shumta në Komisionin e Prokurimit Publik nuk është i ri, por që vërehet me të njëjtin intensitet në të njëjtën periudhë çdo vit.

Ndërkohë, Albeu.com verifikoi arkivën e ankesave të administruara nga KPP gjatë të njëjtëë periudhë të vitit 2017 dhe 2016, e cila na përball me një panoramë tjetër.

Në vitin 2017 ka patur vetëm gjashtë ankesa nga vetëm një operator, kurse në vitin 2016 rezulton të mos ketë asnjë.

Portali nuk mundi të vërtetojë në mënyrë pavarur një lidhje direkte mes ndryshimit të administratorit të Postës Shqiptare dhe rritjes së problemeve me prokurimet publike gjatë fundit të vitit 2017 dhe vitit që sapo lamë pas ku në krye është Laert Duraj.

Posta Shqiptare "vuan vazhdimisht" nga sëmundja e problemeve me tenderët që dalin me "flamur të kuq".

Kështu në fillimin e vitit të shkuar, Albeu.com raportoi për një tjetër tender me probleme, siç ishte ai i shtypjes së disa materialeve promocionale për institucionin me vlerë 4.2 milion lekë.

Siç mund të lexoni ( KËTU ), Posta Shqiptare pezulloi dy herë tenderin në fjalë pas raportimeve se fituesi ishte paracaktuar, ndërkohë që në rrugë jo formale u pranua se me përgatitjen e tij ishin kryer parregullsi prej institucionit në fjalë. /albeu.com/

Shtuar më 19/02/2019, ora 15:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori