Skandal, LSI deklaron se Fatos Nano ka ofruar 500 mijë euro për votën
Albeu.com
Pas intervistës qe Nano dha në emisionin "Opinion", deputeti i LSI Dritan Prifti e akuzoi ish-kreun e PS se ka dhënë 500 mijë euro për një firmë për t'u bërë President. Fatos Nano nuk do të bëhet President derisa në krye të LSI-së të jetë Ilir Meta dhe ne të jemi deputetë në Kuvend", - deklaroi dje deputeti i LSI-së, Dritan Prifti. Pas intervistës së dhënë një natë më parë nga Fatos Nano në emisionin "Opinion", Prifti e akuzoi ish-kreun e PS-së se është ai që ka dhënë 500 mijë euro për një firmë për t'u bërë President.

Anëtari i kryesisë së LSI-së quajti si të pavërteta historitë e treguara nga Nano për kërkesën që i kishte bërë Meta për të biseduar në Budva, apo që mbështetësit e Nanos brenda PS-së të kalojnë me LSI-në. "Është mashtrim ajo që Nano deklaroi dje se z. Meta i kishte kërkuar atij për një takim brenda apo jashtë Shqipërisë. Unë jam dëshmitar i një telefonate që Nano i ka bërë z. Meta, ku ka qenë i shqetësuar për firmëtarët e tij. Ai i ka kërkuar Ilir Metës azil politik për firmëtarët e tij, nëse Rama do i përjashtonte nga PS-ja", - bëri të ditur Prifti.

"Ky njeri nuk do e ketë asnjëherë fatin për t'u bërë President sa të jetë Ilir Meta kryetar i LSI-së, apo sa të jemi ne deputetë të këtij Parlamenti. Gjithashtu, nuk kemi për t'i dhënë kënaqësinë këtij njeriu për të pasur zgjedhje të parakohshme, por do të punojmë të gjithë me forca të shumëfishuara për të pasur një President dinjitoz dhe që e meriton Shqipëria", - deklaroi Prifti në një konferencë shtypi. "Nëse në Kuvend do të ketë një garë reale mes zotit Bamir Topi dhe zotit Fatos Nano për postin e Presidentit, deputetët e LSI-së do të votojnë kandidatin e maxhorancës", - tha Prifti.

"Ai u shpreh, ose unë President ose vendi në zgjedhje të parakohshme, që ka një varg kostosh dhe shkatërrimesh. Më thenë të drejtën, ai është mashtrues dhe hipokrit, por unë u çudita kur një ish-kryeministër thotë se 'Shqipëria nga zgjedhjet e parakohshme do të ketë 500 milionë euro kosto', pra ky edhe pse është i ndërgjegjshëm për këtë kosto, bën presion; ose unë President, ose zgjedhje të parakohshme", - vuri në dukje Prifti. Ai tha se ky qëndrim i Nanos është "vetëm si pasojë e avujve të alkoolit dhe papërgjegjshmëri politike, por ka antishqiptarizëm". Prifti tha se "në aspektin politik, Fatos Nano është figura më e korruptuar e gjithë historisë së Shqipërisë". "Ai është një njeri përtac dhe nuk punon, por do vetëm që të kënaqet duke u zbavitur", - sipas Priftit.

Deputeti i LSI-së tha se "jo më larg se katër ditë më parë, një koleg i Fierit më tha që Nano më ofroi 500 mijë euro për t'i dhënë firmën. Dhe ky njeri me integritet nuk ka marrë as para dhe as firmën nuk ja ka dhënë Nanos. Dhe këto pazare vazhdon t'i bëjë me deputetët e PS-së, PSD-së, LSI-së etj, sepse ai mendon se me para mund të arrijë gjithçka", - tha Prifti. "Fatos Nanon as heqja e vetullave si puna e grave apo vajzave nuk e bën të ri dhe as operacionet plastike që bën çdo katër muaj në Zvicër, nuk e bëjnë të ri. Nano është një plak që nuk i punon më mendja për politikë, por vetëm për shejtanllëqe", - u shpreh Prifti.
nga Darina Tanushi, G. Shqiptare
Shtuar më 14/07/2007, ora 11:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori