S'ka muzike, por ka porno kengetare
Albeu.com
Nëse dikur krenoheshim me muzikën shqiptare, tash fatkeqësisht turpërohemi me të. Muzika shqip është shndërruar në një katrahurë, ku as muzikologu më i fortë në botë nuk mund ta dalloj në behet fjalë për muzikë, bullgare, maxhupe, turko-maqedono-bullgar.
Kështu thotë në një bisedë për “Lajm”, këngëtari i njohur i muzikës popullore Arif Vladi. Ai kujton vitet kur Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, pjesë e të cilit ai ka qenë që në vitet ’80-të, lëvizte nëpër botë dhe pasqyronte të gjitha trevat e shqiptarëve kudo që ishin pavarësisht nga kufiri zyrtar që ishte në Shqipëri. “Kishim melosin e Tetovës, kishim ‘Vallen e Rugovës’, kishim melodinë e Ymer Rizës, ‘Lulëzoj fusha lulëzoj mali’, kishim polifoninë e jugut, d.m.th. muzikologu më kritik, që mund të ishte evropian i bënte përshtypje nga më të mëdhatë”, thotë ai. Për të bërë një krahasim mes asaj se ku ishte dhe ku është sot muzika shqip, Vladi kujton vitin 1982, ku për një muaj e gjysmë në Francë kanë mbaj 26 koncerte. “Solistja e ansamblit Zeliha Sina këndonte një këngë të Shqipërisë së mesme që mendohej që është shqiptare dhe këndohej shqip prej shumë vitesh në Shqipëri, kryesisht në Elbasan. Në një tryezë kritikesh, gazetarë pas koncertit, ku përgjithësisht merrnim lëvdata të mëdha në kuptimin admirues, na dhanë edhe një vërejtje. Kaq shumë minoritet turk keni që po e prezantoni me një këngë, na tha njëri prej kritikëve. E kishte fjalën për këngën, ‘Jeleku kadife’, që e këndonte Zeliha Sina. Më pas muzikologët u bindën që është motiv turk. Ky ishte i vetmi send që ato i bezdiste. Imagjino sot nëse shkon me këto lloj melodish, neve nuk na e gjen dot origjinën dhe u themi popujve të qytetëruar të Evropës se nuk e dimë çka jemi. A jemi gabelo-turq, a jemi romë endacak a jemi sllavo-bullgar”, thotë Vladi, duke shtuar se muzika ka melodinë dhe vallja ka hapin që të identifikon nga cila zonë je. “Kur këndonte Bik Ndoja, ‘Jare shkodrane’ edhe personalitetet e njohura harronin mënyrën akademike të të ndenjurit në sallë, harronin se ku ishin dhe mahniteshin. Kurse sot është çështje tjetër, s’është si më pare. Tani ka humbur koncerti dhe duartrokitja”, thotë Vladi.

Ai thotë se për të vetmen gjë diktaturat kanë pas një farë lloje merite, pasi nuk kanë lejuar që motivet e huaja të hynin në këngë ose në valle. “Sipas historisë së muzikës, në dy milion njerëz në një dhjetëvjeçar mund të lindin 20 artistë të shquar, kurse këtu ka më shumë këngëtar se popull. Kjo është meritë e teknologjisë se tani me një sint apo një ritëm makinë japoneze gjithkush mund të bëhet kompozitor. Faji nuk mund të mbet jetim, kulturën kombëtare e mbron shteti”, thotë Vladi, duke sqaruar se Franca ka ligj ku 15 për qind të kulturave të huaja mund të transmetohen në radio, televizion. “Ne sot po ta analizojmë muzikën shqiptare, në jemi minorancë”.

Vladi thotë se në rrymat e zeza qe dominojnë tani në muzikë shfrytëzohet pamja fizike e këngëtareve , kurse ata që i financojnë i shpërblejnë me videoklip që vlerësohet si porno muzikë. “Çdo kush mund të bëhet kompozitor, nëse ka 3 mijë euro dhe bën një studio ku krijon muzikë. Sektori më fanatik duhet të jetë a i ruajtjes së kulturës së kombit të vet, d.m.th. shtetit”.

Dikur ishte Ansambli shtetëror me të cilin krenoheshim dhe identifikoheshim, ishte real pasaporta shqiptare e kulturës, ndërsa sot një rojë e një zëvendës ministri paguhet shtatë herë më shumë se një artist që mbron kulturën e popullit të vet. “Kjo këtu është dora e shtetit. Ka ikona që vlejnë, që përmenden edhe pas 100 vjetësh. Shteti nuk merr një iniciativë që kush është këngëtari apo artisti të cilin duhet t’ia transmetojnë brezave”.




RTVSH se transmetoi “Marshin e UÇK-së”

“Gjërat që lindin, që i sjell koha, edhe i qëndrojnë ‘dhunës’. D.m.th. atë krijimtari e solli vetë situata në të cilën e filluan luftën e Kosovës dhe krijuesit frymëzohen shumë nga subjektet heroike kombëtare. Kjo është zanafilla. Unë së bashku me Edmond Zhulalin, kompozitorin e muzikës, pasi e bëmë këngën ‘Jam Kosova e shqiptarisë’, pas vrasjes së Adem Jasharit, bëmë edhe ‘Marshin e UÇK-së. Në momentin që ne përgatiteshim për ta shkruan ‘Marshin e UÇK-së’, akoma në mediat shqiptare, lëre më këto sllave, luftëtarët identifikoheshin si grupe guerile”, thotë Vladi, duke shtuar se kur e kanë dërguar “Marshin…”në RTVSH, ata nuk e kanë transmetuar.




Vladi me album të ri

“Jam duke përgatitur një disk të ri, por dhe kjo çështje ka problemin e vet, pasi muzika që shitet sot është kryesisht e sponsorizuar nga kanale të zeza. Dhe ai e nxjerr muzikën në treg, vetëm për të bë një lloj hobi të vetin, apo për tu njohur se është dikush edhe pastaj tregtarët e shesin dhe ai e sponsorizon tregun. Tregu pastaj e shet sepse nuk ka rregull për mbrojtjen e të drejtave”, thotë Vladi duke shtuar se një disk I tij, duke përfshirë këtu bashkëpunimin me autorë, kompozitorë, poet e studio kushton rreth 20 mijë euro. Dhe nëse e nxjerr në treg këtë disk, tregtarët e shumëzojnë në mënyrë katastrofale dhe nuk e shesin origjinalin, por shesin materialin e shumëzuar. “Plus që të vjedh dhe të ofendon. Thonë se nuk është shitur asnjë sepse ai ka shitur nga prodhimi i vet. Plus të vjedh, të ofendon dhe të jep cilësi shumë të keqe të diskut. Imagjino tani se si duhet t’ia bëj unë që të nxjerr një disk që të dali real në treg”.


Mejhanet kanë zëvendësuar koncertet

Vladi thotë se tashmë nuk ka më koncerte, muzika bëhet nëpër kafe, nuk ka më duartrokitje. “Ka humbur ndjenja e koncertit, s’ka më duartrokitje për artistët. Kjo është vrasje”, thotë ai. (lajm)
Shtuar më 19/02/2010, ora 15:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori